EKSKLUZIVE/ Mundësia që reforma zgjedhore të kalojë me referendum, ka ngjallur jo pak debate edhe brenda qarqeve të konstitucionalistëve.
Ajo që në pjesën dërrmuese bashkon opinionin e tyre është fakti se ata janë kundër referendumit. Ata vlerësojnë se referendumi mund të jetë thjeshtë një gjest politik ku forcat politike kanë mundësinë të përballen edhe një herë politikisht, por në thelb nuk shërben, pasi, sipas tyre, është jologjike që qytetarët të lexojnë reformën e propozuar dhe më pas të marrin një vendim sesi do të votojnë në referendum.
Konstitucionalisti, Sokol Hazizaj, në një prononcim për Javaneës sqaron se, Kushtetuta dhe ligji nr. 7864 për referendumet, parashikon rastet se kur ato zhvillohen. Sipas ligjit, referendumet zhvillohen për kushtetutën, amendamentet e saj, çështje të tjera me rëndësi të veçantë, që lidhen me sovranitetin, integritetin, pavarësinë dhe çështje të tjera madhore, si dhe për ndarje admistrative.
“Çështja qëndron sesa madhore është reforma në drejtësi? Në opsionin tim reforma në drejtësi nuk është çështje madhore në kuptimin e sovranitetit të shtetit. Nga ana tjetër mos vallë mund që kjo ide të çojë në suprimim pushtetesh? Sa kohë nuk ndodhi për ndarjen administrativo- teritoriale, nuk mund të pranohet që reforma në drejtësi të miratohet me referendum”, shprehet Hazizaj.
Sipas tij, duke parë paragraf më paragraf Kushtetutën dhe ligjin 7864 për referendumet nuk ka vend për referendum. Hazizaj vlerëson se ideja për referendum për të dalë nga qerthulli i mungesës së votave në Kuvend, më shumë se një ide racionale ligjore “do të ishte një ide anarkiste”.Me. Ar









