Intervistoi Armando Meta
EKSKLUZIVE/ Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, në një intervistë për Javanews analizon disa prej çështjeve më të ndjeshme të politikës së ditës që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi, qëndrimet më të fundit të ambasadorëve të SHBA dhe BE, lidhur me këtë reformë, pasojat për ata që do ti kundërvihen politikës amerikane, si dhe për Reformën Zgjedhore. Sipas Mediut, “asnjë nuk duhet të guxojë që të gjykojë që për interesa personale prefernciale, të sfidojë autoritet amerikane, për më tepër ata që drejtojnë shtetin dhe politikën”. Ai nënvizon se Reforma në Drejtësi nuk do të dështojë dhe tërheq vëmendjen ndaj mazhorancës, që të lerë demoagogjinë dhe të ofrojë konsensus sa më të shpejtë.
JAVANEWS- Reforma në Drejtësi është bërë kryefjala e këtyre ditëve të fundit. Ambasadoret e BE dhe SHBA kanë “hequr dorashkat”. Apeli i tyre është i qartë se duhet votuar. Madje kanë paralajmëruar dhe për ndëshkime për ata që do ta pengojnë. Topi duket se ka ngelur në fushën e PD-së. Cili është qëndrimi Juaj lidhur me këtë çështje? Si e shikoni këtë panoramë pak të pazakontë? Sa po rrezikon klasa politike shqiptare duke vijuar me “cic micet” 25 vjeçare për miratimin e reformave kyçe për Shqipërinë?
Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme. Shumë besojnë se kjo do të përbëjë një pikë kthese në sjelljen dhe përgjegjshmërinë e klasës politike dhe padyshim për të organizuar një pushtet gjyqësor ku të gjithë janë të barabartë përballë ligjit dhe ku gjyqësori ka qëllim të vendosi drejtësinë. Kjo reformë është e rëndësishme për shqiptarët, por është edhe një kusht për ne përballë partnerëve si vend anëtarë i NATOs dhe që kërkojmë të hapim negociatat për anëtarësim në BE. Brukseli e ka vendosur si kusht këtë reform. Miratimi i saj kushtëzon të ardhmen tonë Europiane.
SHBA dhe BE nëpërmjet autoriteteve më të larta Presidentit Obama, Sekretarit Kerry apo Mogerini, Tusk nga BE, e kanë bërë këtë thirrje shumë konkrete në deklaratat dhe takimet e tyre. Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vllahutin, si dhe specialistët e OPDAT dhe EURALIUS kanë qenë pjesë e analizës, draftimit dhe debatit të kësaj reforme deri ne detaje.
Nëse ju mendoni se i “kanë hequr dorashkat”, po ju them se këtëe e kanë bërë me kohë në negociatat me qeverine dhe opozitën dhe së fundmi edhe publikisht. “Topi” nëse do të përdor krahasimin tuaj është në fushën e Shqipërisë, e cila kërkon që qeveria të lerë demagogjinë. Konsensusin që kërkohet sot duhet ta kish ofruar me kohë dhe jo sot nën presionin e ndërkombëtarëve.
Opozita ka përgjegjësinë që të mos jetë thjeshtë formale, por e qenësishme në këtë reformë, në mënyrë që të kemi një pushtet gjyqësor jo vetëm të pakorruptueshëm, por edhe të pavarur nga politika.
Ka qene Opozita që ka bërë vërejtje, të cilat kanë qenë thelbësore për të shmangur qëllime të hapura të shumicës, për të kontrrolluar gjyqësorin politikisht. Këto vërejtje janë vlerësuar dhe janë marrë në konsideratë nga Komisioni i Venecias edhe në draftin e fundit nga EURALIUS dhe OPDAT. Loja dhe demagogjia politike se jemi dakort pa e lexuar, në gjykimin tim është hipokrizi, më e pakta, ose papërgjegjshmëri e plotë.
Së pari: Ne jemi individ që para se të miratojmë diçka duhet të dimë të lexojmë dhe të kuptojmë. Po të ishte ndryshe mund të mernim Kushtetutën e çdo vendi dhe ta miratonim pa i ndryshuar asnjë presje, vetëm emrin e shtetit.
Së dyti: Ne kemi përpara një draft ku shumë nene të tij janë me opsione. Ne nuk mund të kemi dy nene për të njëjtën çështje. Do të ishte idiotësi edhe po ta shihni draftin ka ndryshime me të kuqe dhe çështje opsionale me blu. Pra duke e miratuar në parim, edhe ne të gjithë jemi dakort në parim, ne do të shprehemi nen për nen.
Po e përsëris mazhoranca të lerë lojrat. Opozita jep konsensusin për ndryshimet Kushtetuese, të cilat pa opozitën nuk bëhen, jo se do mazhoranca, por sepse nuk i ka numrat. Ne jemi të vendosur të votojmë një reformë për një gjyqësor të pavarur dhe që të jap drejtësi. Do të kisha shumë dëshirë që ne të gjenim zgjidhje pa ndihmën e ndërkombëtarëve, por ndihma dhe asistenca e tyre ka qenë shumë thelbësore për të arritur në këtë fazë që jemi.
JAVANEWS Ju jeni njohës mjaft i mirë i politikes amerikane. Çfarë do të thotë të ecësh në kundërrjedhë me politikën amerikane? Çfarë nënkupton fraza e ambasadorit Lu se SHBA dhe BE nuk do të lejojnë që të dështojë Reforma në Drejtësi?
SHBA janë partneri ynë strategjik, aleati ynë historik. Sot jemi shtet edhe për shkak të mbshtetjes amerikane. Jemi në NATO edhe për shkak të Amerikës. Kemi Kosovë të pavarur apo kemi një mundësi kombëtare për t’u bërë pjesë e BE, si rezultat i mbështetjes amerikane. Fatkeqesisht, këtë mbështetje të madhe amerikane nuk e kemi kapitalizuar dhe vlerësuar si dhe sa duhet. Sa herë që kemi zgjidhur ndonjë problem kemi harruar se kë kishim në krah.
Asnjë nuk duhet të guxojë të mendojë se ka forcë apo të tentojë të prishë marrëdhëniet me SHBA. Asnjë nuk duhet të guxojë që të gjykojë që për interesa personale prefernciale, të sfidojë autoritet amerikane, për më tepër ata që drejtojnë shtetin dhe politikën, se nuk përfaqësojnë thjeshtë vehten. Reforma në Drejtësi nuk do të dështojë. E përsëris, ne si opozitë jemi të vendosur që të kemi një drejtësi të pakorruptuar dhe të pakontrolluar politikisht.
JAVANEWS Reforma Zgjedhore duket se vijon të jetë “thembra e Akilit” për zgjedhjet. Ju keni kërkuar lista të hapura, një kërkesë kjo në kundërshti me dy partitë e mëdha që duket se parapëlqejnë listat ku kryetaret vendosin për kandidatët. Si do mund t’i ndergjegjesoni? Në rradhë të parë PD-në që është edhe aleati Juaj. A pritet të ketë një bllok të partive më të vogla parlamentare, lidhur me këtë kërkesë? Edhe LSI ka një opsion të tillë.
Votime të lira dhe të drejta janë parakusht për shoqëri demokratike. Parlament përfaqësues bazuar në sovranitetin e popullit që buron nga vota dhe si rrjedhojë dhe qeveri të përgjegjeshme. Qeveria e koalicionit Rama-Meta nuk kanë lënë rast pa provuar se vota e shqiptarëve nuk ka vlerë jo vetëm si qeverisin, por në zgjedhje, sidomos ato locale, manipuluan hapur që me Reformën Administrative Territoriale, por edhe në dhunën verbale e fizike, nëpërmjet pushtetit të lidhur me krimin, në pengimin e votuesve, blerjen e votës dhe mbushjen e kutive. Këto janë të gjitha të shprehura në raportin e OSBE/ODHIR, por edhe në prova të gjalla në Vorë, Durrës etj. Përparësi të kësaj reforme, për gjykimin tim duhet të jenë:
Së pari: Administrimi i procesit të votimit duke prerë duart manipuluese të politikes dhe krimit për të manipuluar votat. Kjo kërkon: a-Identifikimin electronic; b-votimin elektronik; c-numërim elektronik.
Së dyti: Një parlament përfaqësues të popullit që vendos se kush e përfaqeson në Parlament dhe jo deputetët e kryetarëve të partive. Brenda sistemit aktual mund te aplikohet votimi preferencial apo ndryshe listat e hapura.
Së treti: Ne duhet të ndalojmë një Parlament të blerë. Finacimi i gjithe fushatës nga buxheti, bazuar në barazinë në garë dhe proporcionalitetin electoral. Kjo është domosdoshmëri për të shmangur influencën e krimit, parave të korrupsionit, që krijojnë nje Parlament të korruptuar dhe qeveri të korruptuar.
Së katërti: Çdo parti të marrë në Parlament deputet në përputhje me votat që merr në koalicion ose si parti e vetme. Meqënëse jemi në propocional, atëhere votat e mbledhuar në rang kombëtar të kthehen në mandate në rajonet përkatëse.
JAVANEWS Keni kërkuar krijimin e një Konfederate të së Djathtës. Ide e mire. Por a besoni vërtetë se ka parti të djathta në Shqipëri? Edhe vetë aleati juaj PD, duket se prej kohësh nuk është më në binarët e së djathtës. Kam parasysh qëndrimet për pronën. A mos po flisni për një të djathtë pak utopike?
Po e ritheksoj e djathta është pronë e njerëzve që besojnë tek liria dhe individi, që besojnë tek biznesi dhe Prona dhe nuk i takon vetëm PD dhe PR, por edhe partive tradicionale dhe atyre të reja, sidomos grupeve të interesit si biznesi, të përndjekurit, pronarët, rinia. Ky koalicion duhet të ketë në fokus shtetin e së drejtes dhe jo thjeshtë pushtetin. Prandaj për ta bërë funksionale politikisht dhe elektoralisht, duhet që ne të ndërtojmë një marrëdhënie institucionale, ku propocionaliteti në vendimarrje është elementi bazë. Bashkëpunimi i sinqertë elektoral me njerëz me integritet të gjykuar së bashku është domosdoshmëri.