Shefi i INTERPOL-it Ronald K. Noble ka folur për marrëdheniet me autoritete shqiptare. Numri një i këtij institucioni ka thënë se me Shqipërinë bashkëpunimi është në një nivel të lartë, sidomos për luftën kundër krimit të organizuar.
“Me Shqipërinë, sikur me të gjitha vendet e tjera anëtare të organizatës sonë, kemi bashkëpunim të mirë, sidomos në shkëmbimin e informacioneve në luftën kundër të gjitha llojeve të kriminalitetit, nga kontrabanda dhe të gjitha llojet e tjera të trafiqeve, ku shpesh Shqipëria dhe viset e tjera në Ballkan shfrytëzohen nga grupe të ndryshme kriminale si territore veprimi apo në transit. Për ne Shqipëria është një vend partner i luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar”, ka thënë Noble.
Sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, shefi i IINTERPOL-it ka thënë:
“Në Kosovë është bërë një zhvillim i hovshëm si politik, ashtu edhe në luftën kundër krimit të organizuar, falë angazhimit të ndërkombëtarëve, Kombeve të Bashkuara, dhe tashmë së fundi nga EULEX-i, duke mos harruar këtu edhe angazhimin e institucioneve vendore. Në krahasim me vizitën time para ca vitesh, pikërisht në vitin 2003, kur isha në Prishtinë, mund të them se Kosova është në rrugë të mirë. Por, kjo nuk mjafton në Kosovë, dhe më tutje duhet vazhduar të punohet në luftën kundër krimit të organizuar. Ne kemi bashkëpunim të mirë me policinë europiane të EULEX-it. Po ashtu, do të shtoja se shqiptarët nuk janë aq të rrezikshëm sa shkruhet e flitet në disa media. Para tyre, INTERPOL sot ballafaqohet me kriminelë e banda mafioze shumë më të rrezikshëm, që veprojnë sot në Europë e më gjerë”.









