Ekskluzive/ Erza, shqiptarja që mahniti Francën, intervista për JavaNews.al dhe urimi për shqiptarët
Kjo është Erza Muqolli, vogëlushja 9-vjeçare, që ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët. 9-vjeçarja nga Drenasi i Kosovës, mori pjesë në talent show-n francez, “La France a un incroyable talent” (Franca ka një talent mahnitës). Por edhe pse nuk fitoi, duke marrë vetëm vendin e tretë në këtë konkurs, Erza ka mahnitur me zërin e saj jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë francez, aq sa mediat e krahasuan me një Celine Dion të vogël.
Intervistoi Flogert Muça
Erza përshëndetje. Ti je 9 vjeç dhe plot talent. Ti ke lindur në Francë, por ke bërë krenar gjithë kombin shqiptar me popullaritetin tënd në Francë dhe talentin tënd të jashtëzakonshëm. Si ndjehet një 9 vjeçare kaq e talentuar për gjithë këtë?
Përshëndetje të gjithë lexuesve të revistës JAVA si dhe stafit tuaj. Po, jam 9 vjeçe. Kam lindur në Francë dhe ndihem jashtëzakonisht shumë mirë dhe e lumtur për atë që kam arritur, por ndihem akoma dhe më mirë kur shoh që kam bërë popullin tim të ndihet krenar me suksesin tim. Unë ju jam shumë mirënjohëse që të gjithëve për të përkrahjen e pafundme që më kanë dhënë.
Në Francë ti krahasohesh me këngëtaren e famshme Indila, por në të vërtetë kush është idhulli yt në muzikë, pra për cilin artist ti thua “Dua të arrij këtë, të bëhem si ky/kjo” dhe a ke pasur ftesa nga këngëtarë të mëdhenj të huaj për bashkëpunime?
Në Francë më krahasojnë me shumë artistë të njohur. Më krahasojnë me Indila, Edit Piaf, Celin Dione e të tjerë. Unë ndihem shumë e lumtur që më krahasojnë më të tillë artistë të mëdhenj dhe kjo më motivon të punoj fort që t’ja arrij. Unë dua të jem gjithmonë origjinale dhe të këndoj në mënyrën që di të këndoj, me shpirt. Nëse do të thoja një idhull që unë kam, ajo është Celin Dione. Sa i përket bashkëpunimeve, kam pasur disa kërkesa që për momentin dua t’i lë surprizë. Mund të them vetëm se jam në prag të finalizimit të një CD-je. Gjithashtu kam edhe një kërkesë për të luajtur një rol në një film dhe puna besoj se do fillojë në shtator.
Suksesi yt në “La France a un incroyable talent” ishte i jashtëzakonshëm, si e përjetove dhe kujt i je më shumë mirënjohëse?
E vërteta është se pjesmarrja ime në këtë garë ishte një kënaqësi e veçantë për mua, pasi kjo ishte një ëndërr e imja. Këtë ëndërr ma realizuan prindërit e mi të cilevë do ju jem gjithmonë mirënjohëse dhe falenderuese, pasi bënë të pamundurën që të ma realizonin këtë ëndërr.
Sa të ndihmon ty në motivimin e përditshëm, mbështetja që merr nga shqiptarët dhe të gjithë fansat tuaj?
Mbështetja e madhe që më vjen nga populli im më bën gjithmonë mirë dhe më jep fuqi të madhe duke më motivuar që të punoj sa më shumë që të mos i zhgënjej. Falenderime dhe përqafime për të gjithë.
Erza, çfarë instrumentesh di të luash dhe cili është i preferuar yt?
Unë di të luaj në piano dhe është pikërisht ky instrument që e preferoj shumë dhe e dua pafund.
Në interepretimet tuaja ju këndoni për vendlindjen e prindërve tuaj. Keni qenë në vendlindjen e prindërve dhe sa ju mungon ath’dheu juve që në fakt, keni lindur siç thamë në Francë?
Herën e fundit që isha në Kosovë kondova një kolazh me këngë shqiptare të cilat më emocionojnë vërtetë shumë kur i dëgjoj. Unë me familjen vijmë në atdheun tonë të paktën dy herë në vit sepse na mungon shumë vendi ynë. Edhe pse jemi të lindur në Francë në fëmijët, në edukohemi shqip dhe me traditat tona bujare.
Kur do të vini në Shqipëri për të kënduar për kombin tënd (Koncert) ?
Unë në Shqipëri do të vija sa herë të më ftojnë. Do e bëja me kënaqësi për kombin tim dhe pse jam e zënë duke studiuar e punuar me muzikën.
Për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, çfarë mesazhi ke për të dhënë ?
Për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen së pari dëshiroj të jenë mirë. Ju jam shumë mirënjohëse për gjithë ato mesazhe mbështetëse e dashurie që me sjellin. Më prekin në zemër. Për të gjithë fëmijët nga diaspora kam një lutje që të mos e harrojnë kurrë gjuhën e nënës dhe një përshëndetje O sa mirë me qen shqiptar o heeejjjj. Ju dua.
Pyetje për prindërit e Erzës:
Zoti dhe Znj. Muqolli çfarë do të thotë për 2 prindër shqiptarë, që të bëhen të njohur si familje për shkak të vajzës së tyre të vogël, në një vend të huaj?
Padyshim që ndiemi mirë për suksesin e Erzës dhe jemi shumë krenarë që vajza jonë performoi në mënyrë madhështore në atë skenë të vështirë ku gara ishte e fortë. Në vend të huaj është shumë e vështirë të arrish sukse, mirëpo falë talentit Erza ja doli që të bëjë për vetë publikun francez dhe të na nderojë nevë si familje dhe njëkohësisht mbarë kombin tonë.
Mund të na thoni, si filloi jeta juaj në Francë, si dhe diçka për familjarët që keni në Kosovë dhe marrëdhënien që mbani me vendlindjen?
Ne emigruam drejt Francës në vitin 1991. Që nga ai vit, jetojmë këtu në Francë. Fillimi sigurisht që ishte i vështirë, por ja dolëm. Në Kosovë kemi të gjithë familjen e ngushtë ,ndaj sa më shpesh mundemi, shkojme i vizitojmë. Fëmijet tanë duht ta ndjejnë përherë veten pranë tyre.










