Deputetët e Komisionit të Sigurisë kombëtare kërkojnë që Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Elidon Bendo të jap informacion rreth deklaratave të Presidentit Meta se do të digjej Kuvendi.
Kërkesa e deputetëve është bërë më dt. 10 shtator, vetëm një ditë pasi Presidenti Ilir Meta, deklaroi në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, se arsyeja që zhdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit ishin informacionet që ai kishte se do të digjej Kuvendi në ditët kur zhvillonte protestat opozita, shkruan Java News.
Kërkesa e siguruar nga “Java News” është bërë nga 9 deputet të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Nga deputetët që kanë firmosur kërkesën shihet se janë bërë bashkë të opozitës dhe mazhorancës.
Pas kësaj kërkese priten informacionet që do të japë kreu i SHISH nëse përputhen me deklaratat e Metës, apo Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka pasur asnjë informacion për sulm ndaj Kuvendit.
Ardit Rada / Java News