Armand Duka nuk është i lehtë për t’u intervistuar këto ditë. Pas tre ditësh ai do të shohë kurorëzimin e një gare të fortë me një ish-kryeministër, ish-ministër e deputet e shumicës, Bashkim Finon, i cili i ka dhënë puls dhe tension garimit për kreun e FSHF. Megjithatë në këtë intervistë për Javanews ai rreshton me durim bilancin e punës së tij shumëvjeçare në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe atë që mendon se do të jetë e ardhmja e afërt e lëvizjes futbollistike në vendin tonë. Një sfidë dhe një histori në të cilën Armand Duka ka tashmë një vend të palëvizshëm, por që në 7 shkurt do të njohë startin e një kapitulli të ri.
- Zoti Duka, cili do të ishte një bilanc i karrierës tuaj në krye të FSHF në pak rreshta? Tifozet shqiptarë fokusohen shumë tek pjesëmarrja në Europian, por natyrisht që nuk mbaron këtu…
Europiani mbetet momenti historik dhe një triumf mbarëkombëtar, por meqë më thoni në pak rreshta, do mundohesha specifikisht të theksoja rritjen e ndjeshme në Masivizim, Infrastrukturë, tek edukimi, përfaqësimi ndërkombëtar, apo edhe garat kombëtare.
Te infrastruktura (përfshirë dy stadiumet e përfunduara në Elbasan e Shkodër, apo edhe veprën madhore sportive “Arena Kombëtare”) do veçoja gjatë këtyre ndërtimin e 70 fushave minifutbolli ne te gjithe Shqiperine • 48 -impiante fushe me bar natyral • 15 -fusha me bar artificial • 7 -impiante ndricimi ne stadiume kombetare • 12 -rikosntruksione te pjesshme te ambienteve te stadiumeve kombetare • Ndertimi iQendresStervitoreKamez • Blerja e ambienteve per zyrat e administrates se FSHF. Kjo në një total prej mbi 11 mln euro investime.
Në aspektin e edukimit dhe trajnimit të trajnerëve:
Në vitin 2004 ishin gjithsej 30 trajnerë të licensuar, ndërsa tani në këtë moment që jemi kemi 1835 trajnerë të licensuar në të gjitha kategoritë e licensave të UEFA-s, pa përjashtim. Në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtar ju evidentuat me shumë të drejtë suskesin e ekipit kombëtar, por të mos harrojmë edhe ecurinë e Skënderbeut në grupet e Europa League, apo edhe ecuria e skuadrave të tjera.
- Teksa bëni këtë bilanc, çfarë mendoni se duhej të kishte shkuar më mirë në qeverisjen e futbollit? Cilat janë aspektet që do të donit t’i kishit korrigjuar?
Realisht është bërë shumë, por ka akoma më shumë për të bërë përpara. Të themi që çdo gjë ka shkuar në perfeksionin e saj të mundshëm, jo, sepse edhe gabimet kanë qenë pjesë e punës tonë. Sidoqoftë një analizë e shëndoshë ka shoqëruar gjatë gjithë kohës ecurinë e punës, si në aspektin e garave, gjykimit, një performance akoma më të mirë në përfaqësimet ndërkombëtare, apo një hap më shumë në aspektin e tifozerive duke punuar shumë më tepër në raport me shumë tifo-grupe gjithmonë në bazë të një strategjie përkatëse.
- Ku po shkon futbolli shqiptar sipas jush?
Unë mendoj se po shkon me ritme impulsive drejt të gjitha niveleve europiane. Pse?
- Sepse kemi një përfaqësim me ekipin kombëtar A që besojmë e shpresojmë shumë për një kualifikim tjetër
- Sepse gjithmonë në përfaqësimin ndërkombëtar klubet shqiptare po avancojnë dukshëm me rezultatet e tyre.
- Sepse kemi një garë kompetitive dhe një kampionat shumë rivalizues, ndër më të mirët në rajon dhe këtë nuk e pohon vetëm Duka.
- Sepse është rritur maksimalisht ana e edukimit dhe licensimit të të gjithë trajnerëve për të gjitha nivelet e licensave
- Sepse po kurohet dhe do vazhdojë mbështetja për të gjitha klubet për licensimin e tyre konformon standarteve që duhen.
- Sepse gjatë këtij viti Shqipërisë do ti shtohet një impiant modern dhe ku jemi përsëri kandidatë potencialë për të organizuar finalen e Superkupës Europiane.
- Sepse niveli I ekipeve kombëtare zinxhir do të prodhojë një kualifikim edhe në përfaqësimet ndërkombëtare të moshave.
Mund të rendis edhe shumë sepse të tjera, por futbolli shqiptar do të cojë deri në fund projektet e nisura së bashku për një vision afatgjatë.
- Po asistojmë në një garë të fortë me konkurentin tuaj Bashkim Fino. A e prisnit që një ish-kryeministër të kishte interesa për futbollin dhe a e shihni këtë aspekt si një dëshmi të rëndësisë që ka ky sport në shoqërinë shqiptare?
Tani futbolli ka peshën e tij specifike si sporti kryesor dhe me një afiliacion të jashtëzakonshëm. Unë prisja çdokënd që dëshiron të japë kontributin e tij për futbollin në vendin tonë. Prisja një kryeministër, një deputet aktual që kërkon të drejtojë. Eshtë e drejta e tij. Por ajo që nuk më ka lënë një shije aspak pozitive është fakti që është folur fare pak gjatë këtij muaji për futboll, duke dalë në plan të parë përballja me realitete të tjera që lidhen me cënimin, shantazhimin apo edhe bërjen pis të këtij procesi.
- A po zhvillohet e ndershme, sipas jush, gara për kreun e FSHF? Kam parasysh kur bëj këtë pyetje, akuzat jo të pakta që janë shkëmbyer deri tani mes jush?
Ajo që shpesh e kam thënë dhe e përsëris është pjesa e ingranimit të të gjithë formacionit politik nga ana e kandidatit e investuar plotësisht. E gjithë makineria është në dispozicion të kësaj gare, që pastaj deduksionin logjik e nxirrni vetë, në lidhje me ndershmërinë që thoni. Kryetarë bashkish të majtë, deputetë të majtë, zyrtarë të ndryshëm, përfshirë edhe kontigjentet e ndryshme kriminale të përfshirë në një garë e cila duhej të kishte tjetër objekt, përfshirë këtu edhe akuzat penale mbi njerëz me reputacion dhe integritet në futboll. Realitete që lidhen direkt me cënimin e procesit, ku e gjithë makineria shtetërore është vënë në lëvizje nga kandidati me mandate deputeti.
- Keni thënë disa herë se Fino duhet të mos kandidojë si kandidat i PS. A besoni sot, kur na ndajnë edhe pak ditë nga votimi, se zoti Fino është de facto kandidat i maxhorancës?
Më jepni një argument të vërtetoni të kundërtën. Ju përmenda pak më sipër në pyetjen tjetër disa fakte reale. Nuk mendoj të zgjatem në këtë pikë, pasi zoti Fino është ende Deputet i Grupit Parlamentar të PS, njëherësh një kandidat I mazhorancës, duke e vënë në lëvizje të gjithë mekanizmin e plotë të pushtetit në shërbim të tij. Me të gjitha mënyrat, përfshirë edhe elementët me precedent penalë. Të gjithë.
- Nga platforma juaj, por edhe e zotit Fino, bien në sy disa premtime të cilat ngjajnë me atë të klasës politike në fushatat elektorale: stadiume të reja, sisteme ndriçimi, kushte më të mira etj. Sa të realizueshme janë të gjitha këto sipas jush, kur Shqipërisë i janë dashur dekada që të nisë nga ndërtimi ose ristrukturimi i tre stadiumeve të saj, përfshirë stadiumin kombëtar?
Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju me etiketimin që thoni premtime të fushatave elektorale, pasi investimet në infrastrukturë tashmë janë fakt gjatë gjithë këtyre viteve. Elbasani, Shkodra, tashmë “Arena Kombëtare”, dhe gjatë gjithë këtyre viteve vecojmë rikonstruksionin e 56 fushave të stadiumeve, ndërtimi i 19 fushave me bar sintetik për stërvitjet, financimi i 7 sistemeve të ndricimit të stadiumeve të Superiores, dhe të Kategorisë së Parë, apo edhe rikonstruksionin e pjesshëm të 12 tribunave.
Në total në të gjithë vendin kemi:
170 fusha stërvitore, 25 stadiume dhe 109 fusha loje. Pra këto janë fakte, janë investime të kryera dhe që do të pasojnë me shumë të tjera. Brenda vitit 2018 mbyllet “Arena Kombëtare”, apo akoma më tej në këtë 4 vjecar që vjen edhe Shtëpia e Re e futbollit shqiptar te ish-kompleksi “Dinamo”.
- Çfarë gare parashihni? Ka nga ata që presin një rezultat të kontestuar dhe të tensionuar. A e konsideroni 7 shkurtin si ditën kur përfundimisht do të marrë fund gara për kreun e futbollit shqiptar?
Familja e madhe e futbollit dhe anëtarët e saj do të zgjedhin në datë 7 dhe do të kenë presidentin e tyre për 4 vitet ardhëshme. Edhe për arësye të lartcituara tensioni është pjesë e këtij procesi, por anëtarësia do të zgjedhë atë ditë edhe drejtuesit e saj. Shoh një garë e cila do të kryehet brenda të gjitha normave e principeve stauore. Pjesa tjetër që mund të dëgjoni është thjesht produkt i makinerisë. Askush nga ne nuk ka tagrin të cënojë vullnetin e anëtarëve që në 7 shkurt do të shkojnë në zgjedhje.
- Sa i sigurt ndjeheni në rizgjedhjen tuaj në krye të FSHF?
Këtë e vendos anëtarësia në 7 shkurt. Unë ndiej siguri në vijimin dhe përfundimin e të gjitha projekteve dhe nismave që kemi me familjen e futbollit, për të bërë akoma më shumë. Së bashku për futbollin, kjo më jep sigurinë për të dhënë akoma më shumë dhe për të rritur akoma më tej kreditet e futbollit shqiptar në Europë.
Intervistoi Skënder Minxhozi