Nga Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS/ Tashmë qartazi është profilizuar skena politike zgjedhore. Për herë të parë në më shumë se 2 dekada partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje garojnë si subjekte elektorale më vete, duke mos mundur më të fshihen pas hijes së partive të mëdha, apo duke mbledhur thërrmijat e votave që bien nga trasta elektorale gjatë votimit. Gara si subjekte më vete, nga ana tjetër, është edhe sprovë për të gjitha forcat politike për të kapur numërin e duhur të votave, që më pas ato të përkthehen në mandate deputetësh. Në rrethanat e krijuara është lehtësisht i llogaritshëm numri i votave që i duhet një subjekti politik pjesëmarrës në zgjedhje për të pasur deputet në Kuvend. Kjo skemë nga ana tjetër pritet të heqë nga qafa e buxhetit të shtetit edhe financimin për ato parti të cilat nuk kapin përqindjen e duhur që të marrin para nga buxheti, shkruan javanews.
Parashikimi thuajse tërësisht i saktë
Për të nxjerrë numrin e duhur të votave që i duhet një subjekti politik që të ketë deputet, javanews ka bërë një analizë në të gjithë qarqet e vendit, duke marrë në vlerësim numërin e pjesëmarrësve në zgjedhje në dy zgjedhjet e fundit parlamentare: ato të 2009 dhe të 2013. Në bazë të kësaj analize rezulton se në zgjedhjet e vitit 2009, duke ju referuar të dhënave zyrtare të KQZ-së, morën pjesë në votim 1.558.347 zgjedhës. Po duke ju referuar të dhënave zyrtare të KQZ-së, në zgjedhjet e vitit 2013 votuan 1.724.779 zgjedhës. Diferenca është 166.432 zgjedhës. Siç vihet re numri i pjesëmarrjes në zgjedhjet e 2013 ka qenë më i lartë, me afro 12%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009. Nisur nga këto dhëna mund të bëhet edhe një parashikim thuajse i saktë për çdo Qark për numrin e votave që i duhet një subjekti politik me 25 qershor, për të pasur vende në Kuvend, shkruan javanews.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun e Tiranë
Tirana mban peshën kryesore në të gjithë vendin për numërin e mandateve të deputetëve që prodhon si Qark. Referuar KQZ në zgjedhjet e vitit 2013 në votim morën pjesë 457.653 zgjedhës. Duke qenë se në Tiranë janë 34 mandate, mbi bazën e përllogaritjeve, një forcë politike duhet të marrë minimalisht 13.465 vota që të prodhojë një mandate deputeti.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Elbasan
Duke ndjekur të njëjtën metodologji, pra duke iu referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2013, në Qarkun e Elbasanit morën pjesë në votim 175.845 zgjedhës. Në Qarkun e Elbasanit janë 14 mandate deputetësh për t’u shpërndarë. Mbi bazën e përllogaritjeve një forcë politike duhet të marrë minimalisht 12.564 vota që të përfitojë një mandate deputeti.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Fier
Pas Tiranës, Qarku i Fierit evidentohet si një ‘hambar’ sa i përket numërit të mandateve për deputet me gjithsej 16. Në vitin 2013 në këtë Qark, sipas KQZ, morën pjesë në votime 205.301 zgjedhës. Për një mandat deputeti duhen minimalisht 12.831 vota.,
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Shkodër
Edhe Shkodra hyn në qarqet e rëndësishme sa i përket numërit të mandateve për deputet me gjithësej 11. Sipas KQZ-së, në vitin 2013 morën pjesë në votim 123.715 zgjedhës. Një forcë politike duhet të sigurojë minimalisht 11.247 vota që të mund të çojë një deputet në Kuvend.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Durrës
Padyshim që Durrësi përbën një tjetër ‘thes’ mandatesh për deputet me 14 të zgjedhur. Në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2013 votuan 157.081 zgjedhës. Mbi bazën e përllogaritjeve, një forcë politike duhet të sigurojë minimalisht 11.220 vota që të ketë mundësi të çojë një përfaqësues të saj në Kuvend.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Korçë
11 mandatet që prodhon Qarku i Korçës janë të lakmueshme për çdo forcë politike. Por për të mbërritur deri në mundësinë që të kenë deputet, çdo parti duhet të marrë minimalisht 13.287 vota, që duket një mision jo i lehtë. Ky konkluzion del pas analizës së pjesëmarrësve në zgjedhjet e vitit 2013, ku në Qarkun e Korçës votuan 146.159 zgjedhës.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Vlorë
Në Qarkun Vlorë sfida ndonse në dukje nuk është shumë komplekse, realiteti shpesh herë prodhon jo pak supriza, por jo aq sa për të ndryshuar traditën e votimit. Në Qarkun e Vlorës në vitin 2013 morën pjesë në votim 122.161 zgjedhës. Nga ky qark dalin 12 mandate deputetësh. Për rrjedhim një force politike i duhen minimalisht 10.181 vota që të cojë një deputet të sajin në Kuvend.
Numri i votave dhe deputetët në Qarku Berat
Sipas të dhënave të KQZ-së në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 2013 morën pjesë në votim 92.822 zgjedhës, Qarku i Beratit prodhon 7 mandate deputetësh. Por që njëri prej tyre të marrë rrugën drejt Tiranës për të hyrë në Kuvend, duhet të sigurojë minimalisht 13.260 vota.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Gjirokastër
Gjirokastra nuk ka ndonjë suprizë të madhe sa i përket tendencës së votimit. Por sigurimi i votave për të hyrë në Kuvend është si të ngjitësh të përpjetën e “Qafës së Pazarit” në Gjirokastër. Nga ky qark dalin 5 deputetë. Në zgjedhjet e 2013 morën pjesë në votim 60.210 zgjedhës. Një deputeti i duhen minimalisht 12.000 vota që të zbresë i lehtësuar drejt Tiranës.
Numri i votave dhe deputetët në Qarku Dibër
Qarku i Dibrës ka njohur përthyrje elektorale këto vitet e fundit, ndaj dhe aty gara mes PS- PD-së e së fundi dhe PDIU-së, mund të jetë nga më interesantet në shkallë vendi, ndonëse numëri i mandateve që prodhon kjo zonë është vertëm 6. Një deputeti i duhet të sigurojë minimalisht 12.667 vota që të sigurojë mandatin. Në zgjedhjet e 2013 në Dibër dolën të votojnë 76.000 zgjedhës.
Numri i votave dhe deputetët në Qarku Kukës
Kuksi prodhon 3 mandate deputetësh ndaj dhe fituesi shpesh përcaktohet me ‘foto-finish”. Në zgjedhjet e 2013 në Qarkun e Kukësit dolën të votojnë 47.438 zgjedhës. Ndaj dhe për të marrë një mandat një deputeti i duhen minimalisht të sigurojë 15.813 vota. Kjo është mesatarja më e lartë e numërit të votave që duhen për një mandat deputeti në shkallë vendi.
Numri i votave dhe deputetët në Qarkun Lezhë
Në Qarkun Lezhë dalin 7 mandate deputetësh, duke qenë kështu pas Shklodrës, Qarku me numërin më të lartë të mandateve. Në zgjedhjet e 2013 në këtë Qark votuan 81.769 zgjedhës. Mbi bazën e përllogaritjeve një deputeti i duhet të sigurojë 11.681 vota që të shkojë në Kuvend.
Si funksionon sistemi i elektoral i përllogaritjeve
Për të kuptuar se si përllogaritet ndarja e mandateve po ju sjellim një shembull sikur në një zonë zgjedhore kanë votuar 400,000 zgjedhës dhe duhet të ndahen 8 mandate.
Votat janë shpërndarë në mënyrë të tillë:
Partia A: 126,000 vota
Partia B: 94,000 vota
Partia C: 88,000 vota
Partia D: 65,000 vota
Partia E: 27,000 vota
Numri i votave në nivel zone zgjedhore të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore. Do të kemi:
Partia A: 126.000, 63.000, 42.000, 31.500, 25.200, 21.000, 18.000, 15750
Partia B: 94.000, 47.000, 31.333, 23.500, 18.800, 15.667, 13.428, 11.850
Partia C: 88.000, 44.000, 29.334, 22.000, 17.600, 14.667, 12.571, 11.000
Partia D: 65.000, 32.500, 21.667, 16.250, 13.000, 10.834, 9.285, 3.375
Partia E: 27.000, 13.500, 9.000, 6.750, 5.400, 4.500, 3.857, 3.375
*Në fakt, rezultati del 31,333.333… Pra herësi që përftohet është me mbetje dhjetore. Në këtë rast, si herës merret numri i plotë më i afërt, që është 31,333. E njëjta logjikë për rezultatet e tjera me mbetje dhjetore.
Rezultatet e përftuara në këtë tabelë renditen nga herësi më i madh në herësin më të vogël, pa bërë dallimin se kujt partie i përkasin. Do të kemi:
- 126,000 (Partia A)
- 94,000 (Partia B)
- 88,000 (Partia C)
- 65,000 (Partia D)
- 63,000 (Partia A)
- 47,000 (Partia B)
- 44,000 (Partia C)
- 42,000 (Partia A)
- 32,500
- 31,500
- 31,333
- 29,334
Në këtë rast, mandatet do të shpërndahen në këtë mënyrë: Partia A – 3 mandate, Partia B – 2 mandate, Partia C – 2 mandate, Partia D – 1 mandat. Nëse do të shpërndaheshin më shumë mandate se 8, logjika do të vijonte duke vazhduar renditjen e pjestuesve nga më i madhi të më i vogli…