Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Michigan, aktivisiti i njohur i çështjes shqiptare, Ekrem Bardha i ka kërkuar senatorit demokrat të shtetit të Michiganit, Gary Peters të lobojë për të ndihmuar Shqipërinë dhe Kosovën me vaksinat anti-covid.
Përmes një letre drejtuar senatorit Peters, zoti Bardha shpreh shqetësimin e komunitetit shqiptar prej 100 mijë personash në Michigan për mungesën e vaksinave në Kosovë dhe Shqipëri dhe situatën dramatike që këto dy vende po kalojnë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Letra e plotë e zotit Bardha
I nderuar Senatori Gary Peters,
Në emër të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Miçigan shpresojmë që ju, familja, stafi dhe miqtë tuaj të jeni mirë në këtë kohë shumë të vështirë për vendin tonë.
Po ju shkruajmë për t’ju informuar për efektet shkatërruese të Covid-19 në vendlindjet tona. Vdekjet e lidhura me Covid-19 në Shqipëri dhe Kosovë janë jashtëzakonisht të larta.
Ka mbi një milion shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara ku rreth 100,000 prej tyre banojnë në Michigan.
Shumica dërrmuese janë shumë të shqetësuar dhe të frikësuar nga situata dramatike dhe e rrezikshme me të cilën po përballen familjet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Shumë prej tyre kanë humbur anëtarët e familjeve nga Covid-19. Edhe pse autoritetet përgjegjëse po bëjnë çmos për të adresuar situatën, gjendja po përkeqësohet për shkak të mungesës së vaksinave të disponueshme në treg.
Ne shqiptaro-amerikanët po kërkojmë ndihmën tuaj. A është e mundur që ju të ndihmoni në sigurimin e vaksinave të nevojshme në Shqipëri dhe Kosovë? Mbetemi me shpresë, duke pasur parasysh udhëheqjen tuaj të shkëlqyer, që vaksinat nga Kalamazoo, Michigan mund t’u sigurohen vëllezërve dhe motrave tona jashtë vendit. Do t’ju jemi përgjithmonë mirënjohës nëse mund të ndihmoni popullin shqiptar gjatë kësaj kohe te veshtire pandemie.
Në frymën e Shën Terezës etnike shqiptare, ju urojmë suksese të mëdha në detyrat tuaja fisnike.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
EKREM BARDHA
Konsull Nderi
West Bloomfield