Ekonomia shqiptare në përgjithësi po vuan, por bankat ia dolën të fitojnë rreth 112 milionë euro neto, duke ulur shpenzimet e interesave për depozita dhe duke mbajtur të larta të ardhurat nga interesat e kredive, ndërsa të dhënat e bilanceve të tyre sugjerojnë mungesë konkurrence.
Fitimet neto të 16 bankave të nivelit të dytë në Shqipëri gjatë vitit 2015 u rritën në 15.6 miliardë lekë (rreth 112 milionë euro), me një rritje prej 40 për qind në krahasim me vitin 2014, bëhet e ditur nga bilanci i agreguar i tyre i publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Fitimet neto të sektorit bankat më 2015 qenë më të lartat në historinë e bankingut në vendin tonë, ndërsa këto fitime vijnë në një kohë kur ekonomia shqiptare po përjeton ditë të vështira me rritje anemike të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ekonomia shqiptare ka pasur rritje mesatare prej 2 për qind në vit që nga viti 2009. Gjatë kësaj periudhe, volumi i përgjithshëm i kredive nëpër banka ka qëndruar në stanjacion ndërsa norma e kredive të këqija është rritur me shpejtësi duke shënuar kulmin në vitin 2014, kur 24 për qind e totalit të kredive klasifikohej si kredi e keqe. Por pavarësisht humbjeve nga kreditë e këqija, fitimet vijojnë të rriten.
Fitimet shumë të larta të bankave erdhën në veçanti si pasojë e shkurtimit nga ana e tyre e shpenzimeve për interesa, përgjithësisht interesat e depozitave. Shpenzimet për interesa u reduktuan nga 22.5 miliardë lekë që qenë në vitin 2014, në 14.5 miliardë lekë në vitin 2015 me rënie prej 36 për qind. Në të njëjtën kohë, të ardhurat nga interesat ranë me vetëm 5 për qind.
Presion mbi interesat
Kriza ekonomike që ka mbërthyer Shqipërinë që nga viti 2010 ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të ulë normat referencë të interesit për lekun në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa normat e interesit të euros dhe dollarit janë mbajtur gjithashtu në pranë zeros përgjatë të gjithë këtyre viteve.
Teorikisht, bankat do të duhej që të reflektonin kushtet e lehtësuara monetare duke pranuar depozita me interesa më të ulëta si dhe duke dhënë kredi gjithashtu me interesa më të ulëta. Por fakti është që interesi i depozitave ka rënë në masë shumë më të lartë se sa interesi i kredive. Aktualisht, interesi mesatar i depozitave ka rënë në vetëm 1 për qind, ndërsa interesi i kredive ka rënë në shkallë më të vogël se sa ai i depozitave.
Për rrjedhojë, fitimet bruto të bankave nga aktiviteti i pranimit të depozitave dhe dhënies së kredive, janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Ekspertët e sektorit shpjegojnë se interesat e depozitave për nga lloji janë shumë më tepër fleksibël se sa ato të kredive, pasi kontratat për depozita kanë afat tipik prej maksimumi një apo dy vjet ndërsa kontratat për kreditë kanë afat tipik prej 5, 10 apo më shumë vjet.
Gjithsesi, fakti është që aftësia e bankave për të shkurtuar menjëherë shpenzimet për interesat e depozitave në mënyrë drastike pa pësuar rënie të ndjeshme në të ardhurat nga interesat e kredive apo borxhit publik, sugjeron se konkurrenca në tregun bankar është larg të qenit perfekt.
Aktualisht, interesat e depozitave janë më të ulëtat e regjistruara që nga vitet 1980 në Shqipëri dhe gjatë vitit 2015, interesat nominale qenë më të ulëta se sa norma e inflacionit, duke bërë që depozitat të prodhojnë interes real negativ, fenomen i paparë që nga viti 1998.
Krizë, por jo për bankat
Banka e Shqipërisë raporton veçmas treguesit e performancës financiare të bankave, të tilla si kthimi neto mbi aktivet dhe kthimi mbi kapitalin e vet.
Kthimi neto mbi aktivet llogaritet si përqindje e fitimit neto me totalin e aseteve të bankës, të përbëra nga depozitat dhe kapitali i vet. Në vitin 2015, kthimi mbi aktivet qe në masën 1.2 për qind, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2007, pra para krizës.
Kthimi mbi kapitalet e veta, i cili llogaritet si fitimet neto në raport me kapitalin aksioner të bankave, në vitin e kaluar qe 13.2 për qind, gjithashtu kuota më e lartë e regjistruar që nga viti 2007.
Normat e larta të fitimeve tyë bankave kanë ardhur në një kohë kur pjesa tjetër e ekonomisë ka ecur keq, një tregues tjetër i mungesës së konkurrencës apo aftësisë së bankave për të fituar para pavarësisht gjendjes së përgjithshme të ekonomisë.
Në rritje indeksi H
Banka e Shqipërisë përdor Indeksin H, një metodë statistikore për të matur shkallën e përqendrimit të aktivitetit të një sektori në pak kompani. Indeksi H varion nga zero deri në 1, ku 1 nënkupton një kompani në pozicion monopol në një treg dhe 0 mungesën e çfarëdolloj dominimi. Ky nuk është treguesi që automatikisht identifikon të gjitha kufizimet e konkurrencës në një treg, por jep një ide të përgjithshme për fuqinë e operatorëve të caktuar në të. Sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, Indeksi H për vitin 2015 qe 0.15, nga 0.14 që qe një vit më parë. Sipas të dhënave historike të BSH, indeksi H qe në masën 0.54 në vitin 1998, kur në Shqipëri kishte efektivisht vetëm dy banka shtetërore dhe disa banka të vogla private ose në bashkëpronësi, ndërsa treguesi i përqendrimit erdhi në rënie të vazhdueshme duke shënuar nivelin më të ulët në vitin 2009 në 0.14.
Treguesi tjetër për matjen e përqendrimit në një sistem bankar i përdorur nga BSH është pesha e dy bankave më të mëdha të sistemit në totalin e aktiveve të bankave.
Në Shqipëri ka aktualisht 16 banka që kryejnë veprimtari, por dy bankat më të mëdha kanë afërsisht 48 për qind të aseteve ndërsa të 14 bankat e tjera ndajnë pjesën tjetër.
Nëse merren në analizë veçmas tri bankat më të mëdha, panorama është akoma më negative. Sipas BSH, tri bankat më të mëdha në sistem kishin kontroll mbi 59 për qind të totalit të tregut ndërsa të 13 bankat e tjera ndanë 41 përqindëshin e mbetur./BIRN