Në New York, përplasja mes Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, po thellohet.
Pas mbledhjes së Komitetit të Politikës Monetare (FOMC), Powell ka deklaruar se jo vetëm që nuk do të ulë normat e interesit, por në kushtet aktuale ekonomike ato madje mund të rriten.
Ai ka theksuar gjithashtu se do të qëndrojë në krye të Fed-it deri në konfirmimin e pasardhësit të tij, Kevin Warsh, dhe se nuk do të largohet nga bordi i institucionit derisa të përfundojë një hetim i Departamentit të Drejtësisë.
Këto deklarata janë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj presionit dhe kritikave të Trump, i cili e ka quajtur më herët “i vonuar”.
Nga ana tjetër, Powell ka theksuar se inflacioni mbetet mbi objektivin prej 2%, duke u luhatur rreth 2.4%, edhe para ndikimit të konfliktit me Iranin.
Ai paralajmëron se rritja e çmimeve të karburantit është vetëm faza e parë e ndikimit ekonomik, ndërsa mund të pasojnë rritje të tjera të kostove në transport, mungesa furnizimesh dhe presion mbi sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe tregun e banesave.
Powell ka vënë në dukje gjithashtu dobësinë në krijimin e vendeve të reja të punës, duke e lidhur këtë edhe me politikat e administratës për emigracionin dhe pasiguritë që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale.
Në lidhje me të ardhmen e tij në krye të Fed-it, Powell ka bërë të qartë se ligji i lejon të qëndrojë në detyrë dhe se nuk do të ketë vakum drejtimi. Ai ka shtuar se nuk ka vendosur ende nëse do ta përfundojë të gjithë mandatin, duke lënë të hapur mundësinë e një zhvillimi të ri në krye të institucionit.











