Nga Mero Baze
Ajo që në fillim të fushatës dukej si prioritet i Halim Kosovës, tani duket se po kthehet në problem kryesor të saj. Përvoja e tij si mjek gjinekolog, administrimi i një klinike private paralel me detyrën shtetërore të administrimit të Maternitetit, si dhe eksperiencat e tij profesionale për të ndihmuar në lindjet e foshnjave, janë kthyer në një problem politik.
Për shkak të varfërisë së ideve për administrimin e qytetit dhe mungesës së hapur të mbështetjes politike nga Partia Demokratike, Halim Kosova e ka nisur dhe po e mbyll fushatën elektorale duke na treguar si lindin gratë. Nuk është puna se e ka përdorur një herë për ilustrim të profesionit apo për ndonjë rast ku tregon meritat e tij, por tregimet e tij me lindjet e grave janë të vetmet histori që ai tregon në fushatë.
Qysh në takimin e tij të parë e deri më sot, që nga Tirana deri në Shënmëri, ai ka ilustruar gjithçka me lindjet e grave që i dalin përballë. Fjalori i tij është tmerrësisht i varfër dhe nis me fjalinë: “Ja këtu kemi një zonjë që e mbaj mend kur ka ardh të lind”, nuk besoj se ka grua që nuk ndihet në siklet nga kjo) dhe vazhdon me fjalinë, “gëzohem që tani është shëndosh e mire”, edhe pse ajo mund të ketë dhe 30 vjet që ka lindur, siç ishte rasti i Shënmërisë.
Nga ana tjetër kushdo që e pyet Halim Kosovën për rrugët, ai e ilustron me një lindje gruaje sesi ka dështuar nga gropat, kush e pyet për ujin ai e ilustron me një lindje gruaje si e ka larë beben, kushdo që e pyet për dritat ai e ilustron me lindjen e një gruaje kur s’kishte drita. Vetëm në rastin e banjave publike mori si shembull gjyshin, që kishte rrahur një të ri që pshurrte në cep të pallatit.
Po kështu ndodhi dhe sot kur dikush e pyeti për sportin dhe klubin e Tiranës. Atij iu kujtua presidenti i klubit, Refik Halili. Foli për një dështim fëmije në moshën 9 -muajshe të tij dhe ndihmën për lindjen e një vajze. Siç rezultoi, dhe këto nuk ishin të vërteta, por dhe sikur të ishin, është një skandal më vete përmendja e çdo gjëje që ka ndodhur në Maternitet apo klinikën e tij private publikisht.
Tani të gjithë e dimë që doktor Halimi është gjinekolog. E dimë që ka plot gra dëshmitare për këtë, ashtu siç ka mendime të përziera për zotësinë e tij dhe akoma më shumë për pastërtinë e tij. Tani ai duhet të ndalojë të na tregojë kush ka qenë dhe çka bërë, sa gra kanë lindur me operacion dhe sa në mënyrë natyrale, sa fekondime invitro ka bërë dhe sa çifte të pashpresë për fëmijë kanë mundur të lindin. E gjithë kjo po kthehet në një histori të pështirë, që nuk ka më asnjë lidhje me fushatën elektorale, por me pishmallëkun e një njeriu, që e kanë nxjerrë në rrugë si për gjynah dhe ai po telendis gjithë gratë e botës.
Halim Kosova është kandidat për Bashkinë e Tiranës dhe jo kandidat për t’u rikthyer drejtor materniteti. Dhe këtu ai ka një problem serioz, jo vetëm që nuk kthehet dot tek materniteti shtetëror, por nëse do ishte sadopak serioz, duhet të mos kthejë edhe tek klinika e tij private, që është një ndërtim tërësisht pa leje, i legalizuar tre herë dhe sërish me probleme legalizimi nga shtesat e vazhdueshme. Ai është një ndërtim skandaloz në mes të rrugës, që për fat të keq ia ka legalizuar qeveria e re e Edi Ramës, pasi Shaban Memia është treguar serioz dhe nuk ka lejuar të legalizohet një klinikë, që fiton miliona në mes të rrugës.
Tani, nëse Kosova kërkon të bëhet kryetar bashkie duhet të pushojë së foluri si kanë lindur gratë e këtij qyteti dhe duhet të prishë klinikën e tij të paligjshme, e ndërtuar duke zaptuar hapësirë publike. Kryeqyteti nuk mund të ketë kryetar një njeri që ka biznes ende të palegalizuar nga ana urbane dhe tërësisht të shëmtuar nga pikëpamja e konfliktit të interesit dhe kapjes së shtetit. Sidoqoftë, meqë Halimi e ka pranuar këtë sfidë, së paku të heq dorë nga e shkuara e tij, duke na e shpjeguar vizionin e ardhshëm të Tiranës me vizionin që ai ka si gjinekolog. Dhe më tepër akoma të heq dorë nga konflikti i interesit, që mund të ketë kryetari i ardhshëm i Bashkisë që duhet të legalizojë ndërtimin e tij pa leje.
Kjo është shkelja më e madhe etike e fushatës dhe konflikti më i pastër i interesit, që një kandidat ka me postin që kërkon. Nga ana tjetër, kjo është dhe fushata më vulgare që ka bërë ndonjëherë ndonjë kandiat i PD-së dhe PS-së në këtë qytet, i cili ka folur 90 përqind të kohës si kanë lindur gratë e botës në klinikën e tij dhe 10 për qind çdo të bëjë ai për të ardhmen e atyre fëmijëve që kanë lindur aty.
Imazhi i doktor Halimit para fushatës ishte pozitiv, si një burrë i heshtur dhe i qetë, që merrej më punët e tij. Problemi i tij i madh është se ai ishte i detyruar të fliste dhe këto çfarë kanë thënë qysh kur e ka nisur fushatën janë dëshmitë më vulgare që një kandidat ka lënë në rrugët e këtij qyteti, qysh nga viti 1992. Shikohet qartë se ai nuk ka çfarë të thotë për qytetin, por do ishte më mirë të mos thotë më asgjë për vete, se ka thënë aq shumë sa i mjaftojnë të humbasë. Arma e tij më e fortë ka qenë heshtja dhe fakti që nuk e njihnin. Tani ky shans ka humbur, pasi ai po flet dhe po e njohin të gjithë. Në vitet ‘90 njerëzit e çmonin se kishte një aparat dhe bënte ekon e mitrës, tani brenda tre javëve i ka bërë ekon vetvetes. Dhe ka zbuluar diçka që nuk e shëron dot më: Budallallëkun!









