Monedha britanike shënoi një tjetër rekord negativ në tregjet aziatike, ndërsa shqetësimet për votimin e Britanisë për shkëputjen nga BE vazhdojnë të peshojnë në besimin e investitorëve.
Paundi u këmbye me 1.279 dollarë të mërkurën, niveli më i ulët ky në 31 vjet. Rënia vjen pas vendimeve të administratorëve të fondeve të tillë si “Standard Life” dhe “Aviva”, për të ndaluar investitorët të tërheqin para nga fondet e tyre të pronave në Britaninë e Madhe.
Ata thanë se nivelet e larta të pasigurisë të shkaktuara nga referendumi kishin shtyrë investitorët të marrin mbrapsht paratë. Besimi i tyre u minua edhe më shumë pas paralajmërimit të Bankës së Anglisë të martën, se kishte prova se disa prej rreziqeve të identifikuar prej saj në lidhje me “Brexit”-in kishin filluar të konkretizoheshin.
Të dhënat zhgënjyese në sektorin britanik të shërbimeve dhe një rënie e porosive në fabrikat amerikane ushqyen gjithashtu pesimizmin.
Tregjet financiare u tronditën nga Brexit 2 javë më parë, me triliona dollarë të humbura nga tregjet globale dhe monedha të tilla si paundi, që pësuan tkurrje të rënda.
Por, që atëherë ato kanë rifituar terren mes spekulimeve se bankat qëndrore do ndërmarrin masa shtese për stabilizimin e tregjeve.
Gjithsesi investitorët përballen më me shumë pasiguri, pasi kryeministri David Cameron, i cili bëri fushtatë për qëndrimin e Britanisë në BE, njoftoi vendimin për t’u dorëhequr duke çuar drejt një gare të kontestuar për zgjedhjen e pasuesit të tij.
TCH/d.i.