Nga Eduard Zaloshnja
Acarimi i situatës politike në muajt e fundit ka patur efektet e veta në humorin e elektoratit shqiptar. Këtë gjë mund ta them, meqë zhvilloj sondazhe të përmuajshme për një revistë që botohet anglisht në Tiranë. Gjë që më jep mundësinë t’i mas në mënyrë të përafërt efektet elektorale.
Kështu, nga ekstrapolimi i përafërt i sondazhit që zhvillova në janar, para se opozita të shpallte djegien e mandateve parlamentare dhe fillimin e protestave të periodike, më rezultonte se për PS-në ishin gati të votonin rreth 680 mijë banorë të rritur të Shqipërisë (në zgjedhjet e parvjetshme ajo mori 765 mijë vota). Ndërsa për PD-në ishin gati të voton në janar rreth 480 mijë banorë të rritur të Shqipërisë (në zgjedhjet e parvjetshme ajo mori 455 mijë vota).
Partitë e tjera (LSI, PDIU, PR, PSD, LIBRA etj.) kishin pësuar në janar 2019 një tkurrje të ndjeshme, në krahasim me zgjedhjet e 2017-ës (nga 370 mijë vota kishin zbritur në 240 mijë vota). Dhe me acarimin e situatës politike, ato e vazhduan tkurrjen, duke zbritur në kuotën e 195 mijë votave në prill. Ndërsa PS-ja dhe PD-ja u rritën në tre muajt e fundit me nga 60 mijë vota secila (shihni grafikun shoqërues).
Dy partitë e mëdha
Sondazhet që zhvilloj unë kanë si objektiv thjesht matjen e kuotave elektorale, pa u thelluar në arsyet që mund t’i shkaktojnë luhatjet e tyre. Por dy sondazhe italiane që janë publikuar në televizione shqiptare mund të na ndihmojnë të kuptojmë arsyet e rritjes së kuotave për dy partitë e mëdha.
Kështu, në sondazhet italiane, kuotat e Berishës ishin sa dyfishi i kuotave të Bashës, e madje edhe më të larta se ato të PD-së. Meqë Berisha ishte zëri më i fuqishëm i opozitës në thirrjen për djegien e mandateve dhe fillimin e protestave pa kthim (para protestës së 16 shkurtit atë mund ta shihje çdo natë në studio të ndryshme televizive), përkrahësit e tij të zhgënjyer nga udhëheqja e Bashës duket se janë rikthyer në sinorin elektoral të PD-së. E si rrjedhim PD-ja pati një rritje prej 60 mijë votash nga janari në prill.
Por Berisha nuk shërben vetëm si magnet për votuesit e PD-së. Sa më aktiv të bëhet ai në jetën politike, aq më shumë socialistët e ndjejnë frikën e rikthimit të tij në pushtet – sidomos kur Berisha ripërmend 1997-ën… Dhe duket se pakënaqësitë e janarit ndaj qeverisjes, socialistët i kanë lënë mënjanë tani, dhe janë rikthyer në vathën e tyre tradicionale elektorale.
Partitë e tjera
Po me partitë e vogla ç’po ndodh? Më e madhja ndër të voglat, LSI-ja, duket se ka një problem të ngjashëm me të PD-së. Sipas sondazhit italian, kuotat e kryetares Kryemadhi ishin sa gjysma e kuotave të LSI-së dhe sa çereku i kuotave të themeluesit të saj, Ilir Metës. Por ky i fundit, ndryshe nga Berisha, e ka quajtur gabim djegien e mandateve parlamentare dhe ka bërë thirrje për kompromis mes palëve. Duket se këto mesazhe kontradiktore kanë patur një efekt negativ në elektoratin e LSI-së.
Sidoqoftë, pavarësisht problemeve specifike të LSI-së, të gjitha partitë e vogla kanë një problem strategjik. Ato funksionojnë si parti elektorale, në bazë të parimit të patronazhit. Suksesin e tyre ato e bazojnë tek premtimet që u japin gjatë fushatave elektorale përkrahësve të tyre, duke krijuar kështu një marrëdhënie patronazhi me ta. “Na jepni votën dhe ne do të kujdesemi për ju e familjen tuaj pas zgjedhjeve” – kjo ka qenë formula më e përdorur në terren e partive të vogla, ndryshe nga dy të mëdhatë, që nuk mund të marrin në patronazh qindra e qindra mijëra votues.
Mospjesëmarrja e partive të vogla në zgjedhjet e radhës prish pikërisht formulën e tyre të suksesit. Aq më tepër, kur ato largohen krejt nga sistemi politik (në qendër e në rrethe) ato nuk e kanë më mundësinë të kujdesen për përkrahësit e marrë në patronazh në zgjedhjet e shkuara.
Konkluzion
Me pak fjalë, dy paritë e mëdha ndoshta do ta shtojnë përkrahjen elektorale respektive në kushtet e acarimit të mëtejshëm të situatës politike, ndërsa partitë e vogla mund të përballen me një krizë ekzistenciale tkurrjeje.