• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, March 15, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Edukimi fetar, shteti dhe laiciteti

by Xhavit Shala
13/04/2016 12:51
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Dr. Xhavit Shala

Njëzet e pesë vite më parë, me lejimin e praktikimit lirisht i besimeve fetare, Shqipëria u divorcua përfundimisht nga ateizmi shtetëror ndërkohë që shteti demokratik ruajti parimin e shenjtë të laicitetit.

Por, megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, në vendin tonë nuk ka gjetur zgjidhje ligjore problemi i edukimit fetar, problem i cili nuk mund të anashkalohet më tej. Ekziston një ndjenjë frike se mos duke u marrë me edukimin fetar, cenohen laiciteti i shtetit dhe shekullariteti i sistemit arsimor.

Feja dhe edukimi fetar, për vite të tëra gjatë komunizmit u zëvendësuan me edukimin komunist marksist-leninist. Besimi në fe u tentua të zëvendësohet me besimin te partia. Ky edukim u imponua jo vetëm në programet mësimore, por në çdo qelizë të jetës. Marksizmi, gradualisht, u kthye në një besim më vete dhe në opium për popullin.

Edukimi fetar, për kushtet e vendit tonë, që ka një popullsi relativisht të vogël, me katër besime fetare tradicionale, nuk mund të jetë thjesht një problem pedagogjik dhe arsimor, por ai ka ndikimet e tij edhe në sigurinë tonë kombëtare.

Marrja nga fëmijët dhe adoleshentët e njohurive të shtrembëruara për një besim fetar, shumë herë përjashtuese për besimet e tjera fetare, të kushtëzuara, në disa raste, me ndihma ekonomike, të ofruara nga organizata me origjinë dhe financime të dyshimta, e bën këtë kontigjent lehtësisht të manipulueshëm për t’u përdorur për veprime antiligjore dhe një kërcënim serioz për tolerancën fetare të vendit tonë.

Ndonëse shteti ka heshtur në vite për këtë problem, edukimin fetar e kane realizuar dhe po e realizojnë, sipas mënyrës dhe qëllimeve të tyre, OJQ-të dhe shoqatat me misionarë arabë, italianë, grekë apo nga vende të tjera, të stacionuar në vendin tonë. Disa nga këto shoqata janë përpjekur ta bëjnë edukimin fetar jo në përputhje me besimet tradicionale të vendit tonë dhe, në disa raste, bëjnë diversion kundër tyre. Kështu, mbështetur në burime të besueshme të komunitetit të shërbimeve tona ligjzbatuese, vetëm në Qarkun e Elbasanit, në vitet 1998-1999, kurset ilegale e gjysmë ilegale të OJQ-ve arabe, kryesisht të financimit e orientimit vehabi-selefist, frekuentoheshin nga mbi 500 fëmijë të moshave nga 9-15 vjeç. Programet fetare që jepeshin në këto kurse kishin ndryshime esenciale me fenë tradicionale islame në Shqipëri. Gjithashtu, futja e Dëshmitarëve të Jehovait në skenën e besimeve fetare në Shqipëri, përveç xhelozisë së besimeve tona tradicionale, u pasua nga një serial vetëvrasjesh të miturish në fillim të vitit 2005. Për vetëvrasjet, media fajësoi edukimin fetar të Dëshmitarëve, megjithëse edhe pas akuzave, gjer më sot, nuk ka pasur asnjë provë për ta dëshmuar këtë fakt. Në disa raste, vetë autoritetet e besimeve zyrtare fetare në vendin tonë kanë denoncuar praninë e misionarëve të huaj fetarë, të cilët, gjoja, operojnë në emër të tyre, por që nuk dihet kë përfaqësojnë.

Gjithsesi, prania në vend e dhjetëra shoqërive dhe grupimeve te ndryshme fetare, e qindrave misionarëve të huaj kristianë e myslimane, tregon  se në Shqipëri sot ekziston një sistem i tërë gjysmë legal për edukimin dhe arsimimin fetar. Diskutimi nëse duhet apo jo edukimi fetar në vendin tonë, tashmë, është i tejkaluar. Problemi është si të vihet në binarë ligjorë dhe të legalizohet ky edukim, cili do të jetë raporti i tij me arsimin publik, do të jepet ai si mësim feje apo si histori e besimeve fetare, mënyrat e financimit të tij etj. Fillimisht, duhet bërë dallimi midis edukimit dhe arsimimit fetar. Ndërsa edukimi fetar ka të bëjë me dhënien e një kulture për besimet fetare, si përmbajtja e tyre, ritualet dhe ceremonitë fetare, institucionet religjioze etj., arsimimi fetar nënkupton diferencimin e një besimi, thellimin e bindjeve për një besim të caktuar dhe për të jetuarit sipas atij besimi, si dhe përgatitjen e kuadrit fetar.

Në praktikat botërore edukimin fetar askush nuk e anashkalon, pavarësisht nga mënyra se si e realizon. Edhe praktika Perëndimore, së cilës shpesh i referohemi, është e larmishme. Kështu, sipas ligjit amerikan, edukimi fetar në shkolla ndalohet përveç paraqitjes së informacionit nga një këndvështrim neutral dhe akademik. Informacionet jepen në kurset teologjike ose mësohen duke u përfshirë në departamentin e teologjisë. Në SHBA ka pasur një ndarje tradicionale mes besimeve dhe shtetit. Shkollat shtetërore nuk ofrojnë studime fetare për fëmijët. Arsimimi fetar i besimtarëve dhe i kuadrit fetar realizohet nga vetë komunitetet fetare.

Në Europë shtetet financojnë edukimin fetar nëpër shkolla në mënyra të ndryshme. Ajo varion nga varianti i hartimit të një lënde të botës fetare, si në Norvegji; edukimi kryesisht tradicional i fesë ortodokse kristiane në Greqi apo ai katolik roman në Itali e Spanjë e deri te zgjedhja e njërës prej traditave protestante ose katolike si një alternativë në programet etike, si në Gjermani e Holandë. Edhe në vendet ish- komuniste, edukimi fetar ka zëvendësuar gjerësisht vendin e indoktrinimit të vjetër komunist.

Ashtu si Amerika, edhe Franca nuk praktikon sponsorizimin e shtetit për edukimin fetar. Kjo, për shkak të ndarjes historike midis shtetit dhe kishës romane katolike. Por shpejt edhe ajo do ta braktisë këtë pozicion. Kohët e fundit, në opinionin francez po diskutohet pozitivisht futja e edukimit fetar nëpër shkolla. Prania e një komuniteti të madh mysliman, kryesisht afrikano-verior, nevoja që ata të marrin një edukim korrekt për islamin dhe për besimet e tjera fetare, do të ndihmojnë në integrimin më të lehtë të tyre në shoqërinë franceze, si dhe në ndihmojë në parandalimin e radikalizimit të tyre, duke ndikuar kështu pozitivisht në cështjet e sigurisë në Francë.

Me interes është studimi i praktikës së edukimit fetar në Angli. Fëmijët atje mund të marrin kulturë fetare rreth gjashtë besimeve kryesore në botë, të cilat janë: kristianizmi, islamizmi, hinduizmi, judaizmi, budizmi dhe besimi sikh, besime të cilat janë prezente dhe në territoret e Mbretërisë Bashkuar dhe të Komonuelthit. Kjo nuk të befason, kur mendon se rreth 100 vjet më parë në parlamentin anglez ka pasur deputetë myslimanë.

Sistemi anglez i edukimit fetar bazohet në disa parime mjaft të rëndësishme. Në radhë të parë, edukimi fetar në Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse kërkohet me ligj, është shekullar. Ai nuk ka për qëllim të konvertojë besimin e njerëzve ose të thellojë bindjet në një besim të caktuar. Synimi i tij është të kontribuojë në zhvillimin njerëzor dhe edukativ të fëmijëve, duke i bërë ata të aftë të kuptojnë diçka nga besimet dhe të zhvillojnë ndjenjat e tyre për vlerat e jetës. Indoktrinimi është kategorikisht i ndaluar. Lënda që jepet për edukimin fetar është shekullare, gjithashtu, edhe nga përbërja e trupës mësimore që e jep atë. Mësuesit e edukimit fetar janë mësues të zakonshëm. Ata nuk janë domosdoshmërisht përfaqësues të një besimi apo të kenë ndonjë besim të veçantë. Edukimi fetar trajtohet si një përgjegjësi profesionale. Mësuesit specialistë që diplomohen në teologji apo në studime fetare, trainohen dhe mësojnë edhe për lëndë të tjera të programit mësimor.

Nga ana tjetër, edukimi fetar që bëhet në Angli është kritik dhe shpirtëror. Sistemi anglez i edukimit fetar synon të aftësojë fëmijët të zhvillojnë aftësinë e të menduarit, të dëshmojnë vlerat dhe të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne, të kenë sensin kritik për vlerat e shoqërisë, në mënyrë që të zhvillojnë sensin e qytetarisë brenda një shoqërie multikulturore. Një parim tjetër i rëndësishëm i sistemit anglez të edukimit fetar është edhe decentralizimi. Pavarësisht se është i detyrueshëm me ligj, implementimi i programeve mësimore të edukimit fetar është përgjegjësi e autoriteteve lokale. Lënda e edukimit fetar është pjesë e programit mësimor, i cili vendoset në bashkëpunim midis mësuesve dhe prindërve.

Për kushtet e Shqipërisë do të ishte e rekomandueshme përfshirja e edukimit fetar në sistemin arsimor publik, duke respektuar laicitetin e shtetit dhe shekullaritetin e shkollës. Për këtë është e nevojshme të hartohet një lëndë mësimore, nga e cila fëmijët të marrin informacionin e duhur për besimet kryesore fetare, me synim që të arrijnë të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne e të zhvillojnë sensin kritik për vlerat e shoqërisë. Edukimi legal fetar, jo vetëm që nuk e cenon laicitetin e shtetit dhe shekullarizmin e sistemit arsimor, por është një investim për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e tolerancës fetare në vendin tonë.

Next Post

Fotot/ Vitet kalojnë por Amanda përherë e më seksi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Përpjekjet e Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, Trump bën thirrje për veprim të përbashkët ndërkombëtar

Përpjekjet e Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, Trump bën thirrje për veprim të përbashkët ndërkombëtar

March 14, 2026
14 dokumente në një platformë të vetme, “Dritarja e Vetme Doganore” do jetë gati në qershor 2027

14 dokumente në një platformë të vetme, “Dritarja e Vetme Doganore” do jetë gati në qershor 2027

March 14, 2026
“Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon”, ministrja Bozhinovska shpjegon arsyet

“Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon”, ministrja Bozhinovska shpjegon arsyet

March 14, 2026
Iu ngel hatri edhe për gjënë më të vogël, njihuni me tre shenjat më të ndjeshme të zodiakut

Iu ngel hatri edhe për gjënë më të vogël, njihuni me tre shenjat më të ndjeshme të zodiakut

March 14, 2026
“Ndryshimet në Ligjin për të Huajt”, presidenti serb Vuçiç vlerëson Kosovën: Nuk ka zgjidhje të lehta, por është lehtësim

“Ndryshimet në Ligjin për të Huajt”, presidenti serb Vuçiç vlerëson Kosovën: Nuk ka zgjidhje të lehta, por është lehtësim

March 14, 2026
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së: Lufta duhet të ndalet dhe të respektohet sovraniteti e integriteti territorial i Libanit

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së: Lufta duhet të ndalet dhe të respektohet sovraniteti e integriteti territorial i Libanit

March 14, 2026
Kush është Kristi Ceka që dhunoi ish-bashkëshorten në Sarandë dhe i vuri pistoletën në kokë kunatit të saj

Kush është Kristi Ceka që dhunoi ish-bashkëshorten në Sarandë dhe i vuri pistoletën në kokë kunatit të saj

March 14, 2026
Debati mes gazetares dhe Ramës, përkthyesja: Kjo çupa është jo profesionale! Pyetjen e kishte yll, atë sherrin mysybet

Debati mes gazetares dhe Ramës, përkthyesja: Kjo çupa është jo profesionale! Pyetjen e kishte yll, atë sherrin mysybet

March 14, 2026
Ngjarje e rëndë në Sarandë/ Një person dhunon ish-bashkëjetuesen, kanos me armë familjarët e saj

Ngjarje e rëndë në Sarandë/ Një person dhunon ish-bashkëjetuesen, kanos me armë familjarët e saj

March 14, 2026
Në 4 vite u sekuestruan 1800 celularë nga SPAK, sa prej tyre u “zbërthyen” dhe sa u përgjuan gjatë 2025

Në 4 vite u sekuestruan 1800 celularë nga SPAK, sa prej tyre u “zbërthyen” dhe sa u përgjuan gjatë 2025

March 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In