Skuadra e “Romës” e drejtuar nga trajneri Jose Mourinho do të të luajë në Tiranë më 12 gusht në një miqësore me skuadrën e “Partizanit”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet posterin e ndeshjes, ku përveç Mourinho-s shfaqet edhe këngëtari i njohur Noizy, i cili do të performojë përpara ndeshjes miqësore.
“Zotnia i Romës dhe çuni i Tironës bashkohen në Air Albania Stadium ekskluzivisht për një spektakël miqësie me top dhe rep”, shkruan Rama.
Sezonin e shkuar, Mourinho arriti të fitonte Ligën e Konferencës në Tiranë me skuadrën e Romës në një përballje me Feyenoordin, aty ku verdhekuqtë arritën të fitonin me rezultatin 1-0.