Nga Namir Lapardhaja
Edi Rama është i qartë në strategjinë e tij për të shfryrë çdo pakënaqësi politike dhe popullore, por, në thelb, pa ndryshuar filozofinë dhe fizionominë e qeverisjes së tij.
E nisi paraditen e së enjtes me një fjalim të gjatë lidhur me pakënaqësinë dhe kritikat e tij ndaj mënyrës së si po funksionon drejtësia e re dhe në mbrëmje shpalli një kabinet ministror me profile tërësisht teknik, asnjë politik.
Nëse lexohet qartë, Rama dëshiron të dërgojë një mesazh lidhur me lëshimin e parë në raport me kërkesat e opozitës, edhe pse nuk e pranon publikisht një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, kërkon t’u tregojë ndërkombëtarëve se po merr të gjitha masat edhe ta përfshijë opozitën në plotësimin e kërkesave, edhe, nga ana tjetër, po lëviz nga qeverisja emrat e rënë në rrjetën e drejtësisë.
Ajo që vihet re në qeverinë e re është se i vetmi politikan me profil të lartë politikë është kryeministri Rama, ngase të gjithë të tjerët janë teknokratë, administratorë, ose figura pa kapital politik të ndërtuar në terren apo në raport me kohën.
Pra, në një farë kuptimi, me këtë lëvizje Rama synon që pa negociata formale, pa tryezë politike apo pa një marrëveshje publike, të shpallë një qeveri që në thelb është 100% teknike.
Ironia në këtë mesele është se ajo që nuk pranohet si kërkesë e opozitës, realizohet si inisiativë e mazhorancës, mirëpo Ramës do t’i duhet në të ardhmen që së bashku me këto llogari të mbajë edhe ai pjesën e përgjegjësisë së vetë, qoftë për dështimet, qoftë për arritjet.
Se sa do t’i shërbejë largimi i Ballukut si amortizues i tensioneve të krijuara kohët e fundit, ngelet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: këto ndryshime efektin e parë do ta japin në protestën e radhës së opozitës, e cila, ashtu siç do të shihet, nuk do ketë as motivin as tempin as vrullin e nevojshëm për të realizuar diçka që mund ta detyrojë qeverinë të ulet në negociata me ta.
Tek e fundit nuk ka pse ulet, kur e ka vetë edhe gurin edhe arrën dhe ndërton kabinete 100% me teknokratë dhe nuk ka askënd që t’i kërkojë llogari brenda radhëve të veta.











