Nga Nikoll Lesi.
Gjithnjë kam menduar se Koço Kokëdhima ka një fuqi enigmatike mbi Edi Ramën, të pashpjegueshme. Është fuqi financiare, është fuqi miqësore, fuqi mendimi, fuqi që i vjen Koços nga Zoti atje lart apo fuqi … ? Ç’është kjo fuqi e cila sposton miqtë e tij me të ngushtë, që flak tej në parti edhe “shtyllën kurrizore” të PS-së që mbetet Gramoz Ruçi, që e bën Ramën të mos pyesë asnjeri për administrimin e forcës politike përveç Koços, që nuk e lejon të pyesë për ekonominë e vendit dhe se si mund të mirërregullohet mirëqënia e vendit, pikërisht të shoqen, Linda Ramën, e cila është një prej ekonomisteve më të mira të Shqipërisë. Duhet pranuar se Linda Rama mbetet një mendje e shkëlqyer në fushën e financës dhe ekonomisë, por e dëgjon kryeministri ynë apo sapo del nga shpia në Surrel e takon Koçon harron çka mësuar nga bashkëshortja?
Ç’është kjo fuqi koçiane!
Fuqi e cila është krijuar qëkur Edi u bë kryetar bashkie. Para se të hynte në zyrën e bashkisë nuk e di nëse Rama e ka njohur Koçon, por besoj se jo. Edi asokohe, para se të njihej me të, ishte me pranë realitetit, me solidarë me njërëzit, natyrisht shpotitës si dhe me një penë brilante, kur shkruante. Por ishte Edi ! Jo ky Rama i sotmi që në gjithçka varet se si e ka humorin Koço Kokëdhima, se ç’mendje ka Koço apo si të mos i prishet humori Kokëdhimës.
Kjo të krijon dyshime ku nuk arrin edhe fantazia. Si shpjegohet që një komitet drejtues i tërë socialist vendosi për kongresin të zhvillohej tani në janar, por janari edhe një javë ka e po fluturon bashkë me shkurtin, mundet edhe me mars-prillin. Gramoz Ruçi gjithë ai burrë me thinja e me rrudha partie socialiste, të mbi 25 viteve, ndjehet i turpëruar se si një Koço biznesmen e palos dhe hedh tutje sikur të ishte një magazinier kongresi. Ka njërëz të besuar në selinë rozë që thonë se Edi Rama kishte rënë dakort me Ruçin dhe me një grup drejtuesish socialistësh që kongresi të mbahej në janar, por sapo ka takuar Kokëdhimën në një kafe ka ndryshuar mendim dhe ka rrëzuar një shtab të tërë partie.
Ç’është kjo fuqi koçiane!
Edhe Linda të ka këshilluar që të dëgjoje Ruçin dhe PS-në, por prapë fitues del Koço! Edi, i dashuruar me Lindën dhe i përkushtuar në publik ndaj saj, ka një forcë e cila e bën një kryeministër të palodhur në mënyrën e tij, porse sapo takon Koçon shfryhet si një tollumbace.
Kam të drejtën të pyesë Edi Ramën, pasi flitet për kryeministrin e vendit e jo për një person privat që ka jetën e tij personale: Pse hedh poshtë ministrat, miqtë, shokët, PS-në, edhe Lindën si një këshilltare brilante për ekonominë se si mund të menaxhosh qeverisjen, se ku janë rrisqet financiare, etj porse mbi të gjithë ngrihet stoik qeparioti Kokëdhima? E bëre “supërdeputet”, e emërove siç thotë me ironi të hollë Mero Baze si “kryeministri i jugut”, kurse ai del dhe hedh poshtë punën e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, pasi ministri flet dhe arreston grupet e canabisit, ndërsa Koço jep mesazhe dhe flet hapur procanabisit, duke dekujaruar indirekt policinë dhe entuziazmuar grupet e drogës. Po të ishte deputet i pavarur ka të drejtën e tij të propogandojë, porse kur de facto është dyshi në PS, kjo e komprementon forcën tënde politike. E di si e meriton ky politikani biznesmen, nëse do kishte forcë politike serioze apo shef të qeverisë që nuk don t’ia dijë për koçot; duhej që vetë Saimir Tahiri ta arrestonte në sallën e parlamentit. A heton ministri Tahiri se cili deputet i Jugut po blenë toka në Gjirokastër që t’i mbjellë me canabis, pasi janë toka cilësore canabiso-koçiane?
E dini zoti kryeministër se sa punë të hedhë poshtë “supërdeputeti” edhe në parti , edhe në qeverisje, kudo e sido që ta duash ti.
Nuk jam marrë me Koçon shumë kur ishte pa pushtet politik dhe kryeministror, pasi në fund të fundit para se të bëhej deputet ishte një biznesmen që synonte të shtonte miliardat e tij. Në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme kjo don kohë të sqarohet, por përderisa nuk ka çështje penale ndaj tij nuk mund të flas për momentin. Porse bën “xing” fakti se në kohën kur ishit kryetar bashkie firmat e tij private kanë marrë shumë gjëra në bashkinë tënde. Të ligjshme do të thoni ju, por hajde e merre vesh të ligjshmen në Tiranë! Pse caktove njeriun e tij në krye të Albpetrolit kur u bëre kryeministër? Për para? Nuk besoj se ti ke nevojë për para. Ke parime, siç thoni. Ia “fale” Albpetrolin me pak se një frigorifer dykatësh kur privatizoi ,dikur , frigoriferin e Durrësit sa një frigorifer shtëpie! Ti mund ta mohosh, porse të gjithë e dijnë se vendose administratorin privat të tij në krye të ndërmarrjes me të fuqishme në vend, ku buron nafta si të ishte lum me miliona euro. Pse pikërisht burimet e naftës firmosen e drejtohen nga njeriu më i rëndësishëm që ka punuar në firmat e tij private? Se është administrator i zoti apo përse? Kush e kontrollon Albpetrolin Ju apo Koço?
Pse e vendose në krye të partisë së jugut në kundërshtim me pothuaj krejt deputetët e jugut?
Pse nuk dëgjon, të paktën Lindën, gruan tuaj e cila siç thashë me bindje e pa asnjë ekuivok, është një keshilltare e nivelit europian në ekonomi, nëse don ta pyesësh? Kudo në botën demokratike burrat e mençur të shtetit pyesin e keshillohen me gruan. Nuk ka asgjë të keqe. Shiko po deshe Bill Clinton, Bush apo Obama, të gjithë kanë pas tyre gra të mençura keshilltare. Ti ke fat që është edhe ekonomiste, financiere, administratore, pedagoge dhe më mirë keshillat e saj se sa të Koços. Por të është bërë mendja “Koço, Koço!”.
Kokëdhima është burrë i zoti për punët e tija personale e private, por kurrsesi nuk bindem se ka aftësinë minimale për të drejtuar ty. Dhe është fyese të jetë ai shefi jot shpirtëror e filozofi i PS-së! A është e vertetë zoti Rama se po investohesh kaq fortë me kryetarin e gjykatës kushtetuese që kjo gjykatë të mos i heq mandatin e deputetit Koços? Po tre anëtarë të kësaj gjykate i ke takuar personalisht në këtë fillimjanari, prapë për Kokëdhimën? Po investohesh që gjykata kushtetuese të “blihet” apo po përdor ofertë-presionin ndaj tyre?
Nëse do të ishte për një çështje të madhe ku të prish punët e qeverisë edhe mund të hahej ndërhyrja në Kushtetuese, por për një person privat, pse zoti kryeministër? Nuk je investuar kaq shumë as për Ilir Beqjen, ndonëse asokohe e ke patur koleg në ekipin e basketbollit dhe mund të ishte e natyrshme për një shok student të kohëve të vjetra.
Ç’është kjo fuqi koçiane që të ka molepsur zoti Kryeministër?
Para nuk është, presion jo, detyrim partie jo se jo. Interesa biznesi, nuk besoj. Ç’është atëhere?
Kaq për sot dhe në pritje të ndonjë reagimi koçian, pasi mezi po e mbaj veten të hap fushëbetejën e vitit.
Zoti Kryeministër ! Ti e di se nuk jam gazetë pa dokumenta,dosje tenderash, privatizimesh, etj,etj pasi edhe bashkë patëm bërë plane në vitin 2004-2005 se si të rrëzojmë një kryeministër si Nano, të kapur nga “koço” të tjerë. Dhe e rrëzuam!