Nga Shpëtim Nazarko
Kryeministrit nuk iu deshën më shumë se një minutë, për të vështruar situatën te Nënë Tereza. E quajti katastrofë dhe grumbullim si në stacion treni njerëzinë, që vinte vërdallë përreth sheshit, e nëpër pavijonë.
Sikur të kishte hyrë në urgjencë, mund edhe t’i dukej, sikur shikonte skena nga Beteja e Vaterlosë. Po pak më keq akoma. Dhomat e urgjencës që duhet t’i ngjanin një spitali fushor, ku të gjithë shtrihen në një vijë, a në një mënyrë që të kontrollohen nga një sy i vetëm, janë projektuar për të krijuar një labirint, nga ata që përdoren për të zgjidhur kuize reviste…E shoh shpesh me trishtim këtë skenë, kur shkoj të çoj prindërit e mi, pleq të vjetër…
Te Nënë Tereza, hyjnë gati 5 milionë njerëz në vit, po tu besojmë statistikave. Privati që është më i mençur se shteti, vuri dikur një tra tu merrte nga 1000 lekë të vjetra secilit. Para një viti, shteti e mori fuqinë në dorë dhe thonë veç nga trau, fitohen 100 000 dollarë në muaj.
Fitore e madhe apo jo? Jo dhe aq, sepse ndërkaq, këta 5 milionë njerëz që vërviten pa mbarim gjithë vitin në oborr e korridore tek të sëmurët, sëmuren vetë, apo sëmurin këta të fundit.
Në urgjencë ka dhjetra e qindra të tjerë në çdo minutë. Se, Tirana nga mblidhen gjithë rrethet, ka jo shumë urgjenca. Ndoshta, ajo është e vetmja. Nuk e di mirë, thonë do bëjnë të tjera, po avash avash…..
Po nëse syri i Kryeministrit, do të vinte re pak më matanë spitalit, do të shihte me dhjetra farmaci që janë gati tu shërbejnë atyre që me receta në dorë, blejnë si për në një betejë luftarake, gjëra që ndonjëherë nuk gjenden në spital. Janë aq shumë farmaci, sa më kujtojnë një rrugë midis Fushë Krujës dhe Kamzës, që ka nja njëqind mobileri në një gjatësi, as dy kilometra. Mund të hynë të dy rastet, në Giness.
Folur me shprehjen e Kryeministrit apo Gjeneralit që i hedh një sy betejës ku nuk ka armiq gjëkundi, le të themi … Katastrofë. Folur me ironinë e Kadaresë te “Viti i mbrapshtë” duhet thënë
Rrëmullë e shkuar rrëmullës, or bir!
Gjendjen e konstaton jo vetëm Kryeministri, jo një gazetar, po çdo njeri i thjeshtë që kalon në mes të kësaj batërdie. Puna është si shërohet, se pamja nuk është produkt tërmeti, që i zë njerëzit në një sekond.
Oborri i madh, mund të rregullohet brenda pak ditësh. Do të mjaftonte një tip parking që mund të ishte shumë katësh, si e kanë shumë spitale në botë. Zinte më pak vend dhe fitoje prapë para. Urgjenca mund të kishte jo një, po disa, që të shpinin në gjithë pikat hyrëse të kryeqyetit nga veriu në jug, a nga lindja në perëndim.
Nuk ka aparatura thua për kaq urgjenca? Besoj që po të hyjë tamam Kontrolli i Shtetit, do të gjejë aparatura dhe në qese të pahapura, e të papërdorura në bodrumet e spitalit. Sepse, sot në kohën e botës së konsumit, ato dhe t’i falin për të mos thënë shpesh. Po me kushtin t’u blesh preparatet, siç bëjnë ata që të falin ekspresin nëpër zyra.
Rrëmujën e njerëzve që shtrojnë të afërmin, mund ta zëvëndësosh me një qendër ku shpërndahen pacientët. Afërsisht si ajo që të pret te zyra afër drejtorit, kur do ta takosh, po që të shërbejë për tjetër gjë. Për të marrë leje të hysh apo jo te drejtori, po si të zësh pavijonin përkatës.
Nuk ka menaxhim thua? Natyrisht kjo është më e thjeshta për tu konstatuar. Po a rregullohet? Natyrisht. Mjafton që të dërgosh njeri jashtë që të shohë, e jo të bredhë për vizita turistike, po për të kuptuar si menaxhohet një spital….
Po, a kemi hyrë te thelbi i çështjes? A i kemi mirë spitalet tona? Besoj jo dhe do ti kemi dhe ca më keq nesër sado të investohet Edi, a qeveria e tij dhe sado mirë të jenë në krahasim me një dy apo tre vjet më parë. Thelbi është te sistemi. Këtu si i bëhet?
Spitale pa lekë? Apo pa lekë dhe të lidhura me Fond solidariteti siç bëhet tani?
Kur të vjetrit kujtojnë kohën e Hoxhës, ku nuk ekzistonin problemet e sipërme dhe në spital shtroheshe pa lekë, ti thua. Po po, Enveri i bënte mirë këto punë.
Kështu mendoja dhe unë kur një ditë tim eti, një antienverist i thekur, po i mburresh nga ana e tjetër e gardhit, një plak i drejtimit të kundërt.
E kishe dhuratë nga Partia shëndetin. Pa lekë spitalin eee… Hë tani.
Po- u përgjigj im atë. Po pa lekë ishte. Po nuk e di ku i gjente Partia lekët që na e bënte këtë dhuratë… Këtë po munde ma thuaj…
U kthjellova në vend. Thelbi ishte i thjeshtë. Hoxha kishte siguracion shëndetsor të detyruar, po nuk ta shkruante në llogarinë e taksave …
Thelbi është siguracioni. Jam i bindur, se problemet tona, nuk zgjidhen as me ndërtesa dhe aparate të reja që dhe ti falin në këmbim kushtesh. As me spitale të huajsh, që duhet ti mbash me donacione shtetërore, Dhe ato do kenë fatin e spitaleve të huaja, që erdhën pas 90-tës. Nuk do vdesin për një a dy vjet, si rezultat i donacioneve të shtetit, por për tre a katër vjet, kjo është e sigurt. Ndoshta, vetëm rreth 5 përqind e popullsisë ka mundësi të shkojë atje… Dhe kjo, kur është vetëm keq, apo në prag të vdekjes.
Thelbi është prapë në pyetjen. Si t’ja bëjmë?
Po marr guximin, ta ribëj këtë propozim që e bëra dhe 6 vjet më parë.
Nëse Shqipëria do të ndërtonte, ta zëmë 6 spitale në rrethet kryesore të saj me nga 50 milionë euro secili dhe dy në Tiranë me nga 100 milionë do ti duheshin 500 milionë euro… Amerikanët thonë në studimet e tyre po t’i besosh një ish-ministri të Ramës, që tani i kam harruar dhe emrin thoshte duhen 300.
Mund të shkojë te Siemensi dhe t’i kërkojë tua bëjnë nga dyshemeja në tavan, me gjithë pajisje e shërbim ndihme.
Mirë mirë, po ku ti gjejmë këto para, se Siemensi është me vrap gati.
Shkoni në Bankë. Nëse nuk u pëlqen ajo, shkoni te kasat gjermane të siguracioneve. Kërkoni 500 milionë dhe do t’u marrin një miliardë për 20 vjet me interesat brenda. Do t’ua japin menjëherë, po kur t’i tregoni plan biznesin ama..
Dmth. do t’u ktheni 50 milionë euro në vit, apo 4 milionë në muaj.
Me këtë plan minimal biznesi, çdo shqiptari do t’i duhej 1 euro në muaj, për të pasur spitalet më të mira në botë. Aq sa bën parkimi te ai spitali, ku çdo shqiptar vete njëherë në muaj dhe ia mbajnë te trau.
Dhe mos ti paguanin 50 përqind të shqiptarëve këtë 1 euro në muaj, qeveria ka ku t’i gjejë dy milionë për bankën, po 500 milionë euro, nuk i gjen dot kurrë…
Dhe nëse doni ta shtrini shembullin edhe te ilaçet, shkoni prapë te Kasat gjermane. Bashkëngjitjuni koncerneve të mëdha, me ndihmën e tyre, e me të njëjtën teknologji, do të merrni për një a dy euro në muaj ilaçet më të mira në botë. Se kështu do të blini mall shumice dhe te baballarët e mjeksisë, jo ku mundni, e me kë mundni.
Po me tre euro për person, do të keni spitalet dhe ilaçet më të mira në botë. Po nuk deshët vazhdoni… Do të biem pre e monopoleve dhe grabitqarëve, që vetëm rrënojnë dhe vdesin Shqipërinë.
Shteti jep 350 milionë euro në vit për shëndetësinë. Është prapë shumë keq. Një zot e di sa nxjerrin vetë shqiptarët nga xhepat e tyre… Ndoshta po aq sa qeveria…
Nga ky 350 milionë, 50 milionë, do të mjaftonin të kishin qenë mjaft për të pasur spitalet më të mira në botë…. 300 të tjerat mjaftojnë apo kompesojnë ilaçe, e rroga për infermierë e doktorë. Nesër do keni më shumë…
Thelbi është te menaxhimi ndryshe. Nuk mund të vazhdojmë me bërjen e një buxheti komunist, i cili mbledh taksa dhe në fund të vitit fillon e nxjerr nga thesi, thërrime të pafundme, të cilat bien në duar menaxherësh, apo me gjuhën e popullit, në duar ustallarësh.
Po vazhduam kështu, pra me këtë mënyrë menaxhimi, do të meritojmë fjalët e një miku që thotë duke qeshur, e duke qarë…
Këtë lloj teknike menaxhimi, si tek ne, ku ende vazhdon bërja në formë e përmbajtje komuniste e buxhetit, po ta përdorësh edhe në Sahara ku është rëra e tërë botës, do të shkosh vetëm në një përfundim. Pas disa vjetësh në Sahara do të importojnë rërë…(konica.al)