Nga Astrit Patozi
Le të mëdyshet sa të dojë Edi Rama, mes mendjes, që e shtyn të jetë me Bashën, kur ka parasysh amerikanët, dhe zemrës që e çon instiktivisht tek Berisha, ndoshta kur i kujtohet Erion Velija në një të ardhme të përfytyruar.
Le të çahet më dysh edhe mazhoranca parlamentare, sikur të mos mjaftojë grupi i Partisë Demokratike, për legjitimitetin e dy Kuvendeve të Dhjetorit. Unë i di arsyet, po nuk besoj se ka Zot që mund t’ua shpjegojë shqiptarëve se ç’punë kanë socialistët që të ndahen për Foltoren dhe për vulën e SHQUP-it, ndërkohë që sot thjesht duhet të fërkonin duart nga përçarja e kundërshtarit.
Le të marrin pozicione lufte pronarët e mëdhenj medias, analistët po se po, madje edhe ata që kanë qenë gjithë jetën majtas, sepse gazetarët e thjeshtë nuk i fut njeri në llogari fare. Tek e fundit, tregtarëve të armëve u intereson gjithmonë të ketë luftë, pavarësisht se ku zhvillohet ajo. Mjafton që ata të shesin pushkët dhe të raportojnë për viktimat. Dhe më të zotët pastaj të ndërmjetësojnë armëpushimin.
Le t’i ndajnë po të duan edhe “të fortët” mes palëve ndërluftuese dhe të ankohen sa të duan për njëanësi, por të jeni të sigurt se po u përmendën emrat e tyre, kjo ndodh gjithmonë për arsye xhelozie dhe jo për ndonjë shkak parimor.
Për demokratët e shkretë nuk ka nevojë të lodhesh shumë për të konstatuar se janë në pikë të hallit, por askush nuk e ka në refene zgjidhjen e problemit të tyre. Sepse janë më të pafafajshmit, më të keqpërdorurit, më të pambrojturit dhe më të hutuarit si të përfshirët e drejtpërdrejtë pa dëshirë në një luftë, që po bëhet gjoja në emër të tyre thjesht dhe vetëm për çelësat e partisë.
Sa për ne, jo dy Kuvende të bëjnë ata, por edhe 100 copa sikur të ndahen për të maskuar qëllimin dhe shkakun e këtij konflikti, të cilin njëra palë e quan “revolucion paqësor” dhe tjetra si mbrojtje e vlerave euroatlantike, sërish nuk do të zgjedhim asnjërin prej tyre.
Sepse jemi pak më të qartë, pak më të vendosur, dhe ndoshta pak më të sprovuar se të tjerët për të kuptuar se sot janë duke u ndeshur dy gjysmat e të njëjtës filozofi politike. E cila nuk ka qenë vetëm arsyeja e degradimit dhe e dështimit elektoral të Partisë Demokratike, por edhe e mungesës së një aferte serioze që do të garantonte bashkimin dhe suksesin e një fronti opozitar në Shqipëri. Nuk është se ashtu i konsiderojmë ne, por ata janë realisht njësoj, edhe pse sot ngjajnë sikur nuk bashkohen dot edhe për datën.
Ne nuk ia lejojmë vetes që të gëzohemi me faktin se ata po ndahen, me logjikën e Fatos Lubonjës që thotë se dy banda janë më mirë se një bandë. Jo për shkak se edhe ai tashmë e ka bërë zgjedhjen e vet mes Foltores dhe Partisë së Vulës, por sepse jemi të bindur se ata janë e njëjta shkollë e vjetër dhe e tejkaluar politike. Dhe si e tillë ajo është e destinuar të dështojë sërish, pavarësisht se kush do ta fitojë të drejtën për mbajtjen e logos, sepse aty do të reduktohet në finale beteja “epike” midis tyre.