Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri deklaroi se janë në studim tre zona për të ndërtuar lagjen e re në kuadër të rindërtimit të vendit, pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas, ku Durrësi ishte ndër bashkitë më të prekura.
Në një prononcim për ATSH-në, Tahiri theksoi se këto tre zona po studiohen dhe deri në fund të muajit pritet të jetë marrë vendimi për caktimin e zonës.
Më pas, tha ai, do të nis edhe hartimi i masterplanit të zhvillimit.
Ndërkohë në terren, grupet e ekspertëve inxhinierë vazhdojnë punën për të kryer inspektimet dhe vlerësimet mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti, si dhe sigurinë e banorëve.
Tahiri ka konfirmuar për ATSH-në se këto grupe shkojnë shtëpi më shtëpi, për të kontrolluar strukturat dhe komunikuar me çdo qytetar, si në aspektin teknik, ashtu edhe njerëzor. /e.s/











