Juventus do t’i shpërblejë lojtarët me nga 350 mijë euro secilin, nëse arrijnë të mposhtin Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve. Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli ka vendosur t’u japë një shpërblim të majmë futbollistëve, në rast se fitojnë Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit më 3 qershor.
Sipas medias italiane, shifra që do të përfitojë secili prej futbollistëve të “Zonjës së vjetër” është 350 mijë euro, 50 mijë më e lartë sesa premtimi i bërë përpara dy vitesh në finelen ndaj Barcelonës në Berlin.
Por edhe nëse humbasin, lojtarët bardhezinj do të kenë përfitime ekonomike. Arritja në fazën finale të kësaj gare u siguron atyre plot 270 mijë euro secili.
Në total, shifra e shpërblimit e akorduar në rast fitoreje të Ligës së Kampionëve, për Juventusin është 9.1 milionë euro.
Sigurisht kjo vlerë monetare është e garantuar nga UEFA dhe sponsorët, e Agnelli vendosi ta përdorë për të motivuar edhe më shumë futbollistët, për të sjellë në Torino trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.
Juventus për herë të fundit Ligën e Kampionëve e kishte fituar në vitin 1996, përgatiti ”Express”. (b.an)










