Jo vetëm Partia Demokratike, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk justifikon me dokumentacion ligjor paratë e shpenzuara për konsulencë, lobim dhe sondazhe, me anë të kompanive amerikane, gjatë vitit 2017.
Nëse PD fshehu kontratat për lobim në SHBA me vlerë 675 mijë USD, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka deklaruar kontratat në KQZ, por nuk justifikon dot burimin e parave.
Konstatimi është bërë nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me anë të një relacioni, mbi rezultatin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore të partive politike, të cilat morën pjesë në zgjedhjet për kuvendin të datës 25 qershor 2017. Në relacion thuhet se Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar një kontratë me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.
Këtë shumë LSI nuk e justifikon me dokumentacion ligjor. Nga verifikimet, kompania MCKEON GROUP, në SHBA, ka si objekt lobimin dhe konsulencën. KQZ e ka konsideruar në kundërshtim me ligjin edhe një kontratë tjetër të LSI me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA, me vlerë 1,414,465 lekë plus tatim në burim në vlerën 429, 340 lekë. Kompania JPM Strategic Solution LLc USA, me qendër në Uashington, ka si objekt sondazhe për opinionin publik.
Në relacionin e KQZ thuhet gjithashtu se LSI ka pranuar dhurime për fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.
Relacioni i plotë i KQZ për financat e LSI
-Në shumë raste ka patur afishim të materialeve propagandistike në distancë më të madhe se 5 m nga zyra elektorale, në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara në nenin 24/2, pika 5 të ligjit ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017, si me poshtë:
-Në qendër të qytetit të Durrësit, fillimi i rrugës “Kasem Durrësi” zyrë elektorale e LSI dhe përballe zyrës është vendosur banderolë që tejkalon distancën 5 m nga zyra elektorale.
-Rruga për Spitallë pranë maternitetit Durrës Lagja nr. 8 zyra elektorale e LSI dhe banderolë që tejkalon distancën 5 m nga zyra elektorale.
-Në Spitallë, lagja 15, Porto Romano është vendosur banderolë në distancë më shumë se 10m larg zyrës elektorale.
-Në lagjen nr 18, pranë klinikes italiane San Giovani dhe karburant “Përnoca” ndodhet zyrë elektorale e subjektit politik dhe një banderolë që tejkalon distancën 5 m nga zyra elektorale.
-Në “Katër rrugët e Shijakut”, ka flamuj dhe banderola të subjektit politik të vendosura përballë zyrës elektorale në anën tjetër të kryqëzimit në më shumë se 25 m distancë.
-Në Qendër Manëz, në Durrës, në një godinë në ndërtim, janë vendosur postera elektoral dhe flamuj të subjektit politik, ndërsa zyra elektorale është 1 km me larg.
-Në Sallmone, Shijak, Durrës (afër kompleksit Gjoka) ka flamuj të vendosur në lokale dhe godina anës rrugës automobilistike.
-Nuk është respektuar udhëzimi i KQZ nr. 1 datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore” për numrin e zyrave elektorale në një lagje. Rruga muzeu Durrës – Spitallë- Porto Romano është e mbushur me zyra elektorale pa respektuar rregullin një lagje-një zyrë. Në Rrashbull ka dy zyra elektorale, në Marikaj qarku Tiranë dy zyra elektorale, në Manëz qarku Durrës dy zyra elektorale.
-Flamur i LSI në hyrje të shkollës Asim Zeneli në Gjirokastër.
-Në fshatin “Asim Zeneli” në Gjirokastër në ndërtesën ku janë ambientet e Parkut Arkeologjik të Antigonesë ishte vendosur zyrë elektorale e LSI, por pasi u publikua në media, zyra u hoq.
-Në shumë raste ka patur më shumë se 1(një) zyrë elektorale për çdo lagje, në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara në nenin 2, pika 2 të udhëzimit të KQZ-së nr. 1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore” .
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpenzime të padeklaruar si më poshtë: Mungon dokumentacioni justifikues financiar për “shpenzime për qira zyrash me pagesë dhe me dhurim”. Nga 292 zyra elektorale të llogaritura në total (184 zyra elektorale nga informacioni zyrtar i bashkive, 21 zyra elektorale sipas informacionit të marrë nga partia, 87 zyra elektorale të monitoruara në terren), u identifikuan pagesa vetëm për 6 zyra elektorale.
Kosto e përllogaritur për 286 zyra elektorale, prej 16.302.000 lekë, është konsideruar nga ekspertët financiar, si shpenzim i padeklaruar nga ana e partisë politike, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 24/3, pika 1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017. Sipas të cilit partitë politike janë të detyruara të dokumentojnë në mënyrë të plotë dhe të saktë, sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, të gjitha shpenzimet e kryera dhe mënyrën e përdorimit të fondeve gjatë fushatës zgjedhore.
-Mungon dokumentacioni justifikues financiar (mund të jenë kryer pagesa në informalitet) për shërbimet “Shpenzime për qira, organizim eventi, regji televizive, ekran led, foni stage ndriçim, dekori, karrige me qira”, për disa nga aktivitetet elektorale të identifikuara:
Mitingu në Shkodër datë 07.06.2017,
Mitingu në Lezhë datë 11.06.2017,
Mitingu në Berat 07.06.2017,
Mitingu në Kamëz 03.06.2017,
Mitingu në Sarandë date 10.06.2017,
Mitingu në Fushë Krujë datë 14.06.2017,
Mitingu në Lushnje datë 11.06.2017,
Mitingu me të rinjtë në Korçë datë 02.06.2017, etj..
Në kundërshtim me përcaktimet e nenit 24/3, pika 1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë Politike” i ndryshuar me ligjin nr. 90/2017, sipas të cilit Partitë politike janë të detyruara të dokumentojnë në mënyrë të plotë dhe të saktë, sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, të gjitha shpenzimet e kryera dhe mënyrën e përdorimit të fondeve gjatë fushatës zgjedhore.
-Shpenzime konsulence në vlerën, 1,414,465 lekë plus tatim në burim në vlerën 429, 340 lekë, me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA.
-Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë, për të cilën rezulton se nuk e justifikon me dokumentacionin financiar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
-Në kundërshtim me nenin 90, pika 2 të Kodit Zgjedhor dhurimet nuk janë pranuar në një llogari të posaçme e cila duhet të deklarohet në KQZ, por janë pranuar në 6 llogari bankare të çelura në tre banka.
http://shqiptarja.com/home/1/ekskluzive–lsi-lobim-me-para-t–zeza-me-kompani-amerikane-459171.html?pos_1