Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yuli-Yoel Edelstein vizitoi Shqipërinë, me ftesë të kryetarit të Kuvend të Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin ai e konsideron mik personal dhe të vendit të tij. Ai mbajti edhe një fjalim në Kuvend, si dhe u dekorua nga Presidenti Bujar Nishani.
– Z. Kryetar i Parlamentit, ju mbajtët një fjalim në parlamentin e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë u dekoruat nga Presidenti shqiptar me Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Cilat janë përshtypjet tuaja pas këtyre ngjarjeve?
– Para së gjithash, është gjithmonë kënaqësi të mbash fjalim në një seancë plenare në parlament dhe në Shqipëri vura re se kishte pjesëmarrje të lartë. Si një Kryetar Parlamenti e di se nuk është shumë e lehtë t’i bashkosh të gjitha palët dhe të dëgjosh një funksionar të lartë të huaj i cili po viziton vendin. Pra, kjo është arsyeja pse isha shumë i lumtur ta shikoja “sallën plot”, ndërkohë që shumë anëtarë të qeverisë gjithashtu morën pjesë në seancë. Ishte vërtet një nder për mua dhe kjo tregon edhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona.
Për sa i përket dekoratës së veçantë dhe Urdhrit të Lartë, siç i thashë dhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, mendoj se une personalisht nuk e meritoj. E pranova me përulësi në emër të qindra hebrenjve që u shpëtuan në Shqipëri gjatë holokaustit, e pranova në emër të deputetëve, duke përfshirë ata që zhvilluan marrëdhëniet me Shqipërinë kohët e fundit, dhe të popullit të Izraelit. Siç thashë, kjo dekoratë nuk është për mua personalisht, por është një njohje e relatave dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.
– Në këtë kuadër, populli juaj dhe liderët e tyre, perfshirë këtu dhe ju, e vlerësojnë shumë dhe në mënyrë të përsëritur popullin shqiptar për atë që bënë gjatë kohës së errët të holokaustit. Ju këmbëngulni të konfirmoni se kurrë nuk i harroni miqtë. Dekada kanë kaluar që prej atyre kohërave. Cili është kuptimi i mbajtjes gjallë të vlerësimit për humanizmin dhe kurajën e shprehur nga shqiptarët për popullin e Izraelit gjatë pushtimit nazist?
– Unë mendoj se mbi të gjitha është e rëndësishme për sa i përket vlerave njerëzore. Nuk duhet harruar ajo që ka ndodhur dhe nuk duhen marrë gjërat për të mirëqëna. Mendoj se ata që shpëtuan hebrenjtë treguan kurajo personale, lloj tjetër vlerash dhe kjo është arsyeja pse shumë prej tyre, duke përfshirë 39 shqiptarë, po njihen në një memorial në Jeruzalem dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse, siç thashë, bëhet fjalë për vlera njerëzore. Thënë kjo, mendoj se ka dhe një mesazh për brezin e ri të popullit shqiptar sepse, siç e diskutuam me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta dhe deputetët e tjerë, nuk duhet të marrim asgjë për të mirëqënë. Vetë fakti që gjyshërit dhe stërgjyshërit e të rinjve të sotëm u sollën në atë mënyrë nuk do të thotë se edhe të rinjtë do të sillen në po të njëjtën mënyrë. Pra, unë mendoj se ne të gjithë duhet të kujtojmë se duhet të investojmë në arsim, në mësimin e historisë në mënyrë që ta mbajmë traditën gjallë. Jam shumë i kënaqur që tani kemi një marrëveshje me stafin akademik të një institucioni arsimor izraelit dhe stafi akademik i këtij të fundit do të vijë këtu të ofrojë programe arsimi, etj. Edhe njëherë, nuk bëhet fjalë vetëm për hebrenjtë dhe holokaustin por tashmë është dhe për islamofobinë, terrorizmin, etj., të cilat fatkeqësisht janë pjesë e europës së sotme, falë zotit, jo shumë e Shqipërisë së sotme, por në shumë vende në europë po përballemi me këto sfida.
– A mendoni se dy popujt kanë nevojë të afrohen më shumë duke qënë se kanë shumë gjëra për të ndarë përveç aspektit politik? Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë fushë për ta zhvilluar mbi bazën e eksperiencës në të shkuarën? Është domethënës fakti që ju jeni këtu në 25- vjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste.
– Keni shumë të drejtë që marrëdhëniet diplomatike, qeveri me qeveri, si edhe parlament me parlament, them ‘edhe’ sepse parlamentet përfaqësojnë popullin, nuk janë të mira mjaftueshëm. Dhe kjo është arsyeja pse them se programet arsimore dhe në fund shkëmbimet arsimore janë shumë të rëndësishme për këtë aspekt. Por edhe turizmi i afron dy popujt me njëri-tjetrin. Më kujtohet që kur nuk isha pjesë e politikës dhe kur shkonim në një kafene diku në Europë, njerëzit afroheshin tek ne, edhe prej jarmulkës që mbajmë në kokë, dhe na pyesnin për Izraelin dhe ishte një shkëmbim i vërtetë sepse mësonim nga njëri-tjetri. Nuk jemi ende në nivelin që duhet të ishim por jemi duke diskutuar edhe iniciativa të tjera për të promovuar, veçanërisht në fushën e turizmit duke qënë se nëpërmjet tij populli i Izraelit do të mësojë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët do të mësojnë më shumë për Izraelin dhe izraelitët, dhe kjo patjetër që do të thellojë më tej marrëdhëniet tona.
– Z. Kryetar i Parlamentit, cilat janë perspektivat për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend më tërheqës për bizneset izraelite? A janë marrëdhëniet politike në të njëjtin nivel me bashkëpunimin ekonomik?
– Në të gjitha takimet tona, ne themi të njëjtën frazë: jemi në rrugën e duhur sepse marrëdhëniet janë shumë të mira por kemi ende shumë rrugë për të bërë. Janë rreth 40 kompani izraelite që aktualisht operojnë në Shqipëri ose që kanë investuar këtu. Është shumë por njëkohësisht edhe shumë pak. Për më tepër, bëhet fjalë për kompani të vogla ose të mesme, përveç një ose dy kompanive. Ka ende shumë potencial për të tërhequr bizneset izraelite në vend. Gjithsesi, ajo që mund të them është se ambasadori ynë këtu organizon shpesh takime ndërmjet bizneseve izraelite që operojnë në Shqipëri dhe deputetëve që këta të fundit të dëgjojnë shqetësimet e bizneseve ose të diskutojnë mënyra për të përmirësuar më tej bashkëpunimin ose klimën e biznesit, etj. Nga ana tjetër, kreu i grupit të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe ambasadori shqiptar në Izrael po punojnë për t’i njohur anëtarët e Parlamentit të Izraelit dhe bizneset izraelite me potencialet e Shqipërisë. Pra, do të arrijmë shumë progres nëse kemi sukses në këto dy iniciativa. Pas përfundimit të kësaj vizite, kur të kthehem përsëri në Izrael do të flas me miqtë e mi, biznesmenët dhe investitorët në mënyrë që ata të mendojnë të vijnë ose të eksplorojnë mundësitë për të investuar në Shqipëri.
– Ju u takuat me homologun tuaj, Ilir Meta më 19 shkurt 2016 në fillim të qëndrimit tuaj në Shqipëri, të cilin e konsideruat si një ndër miqtë më të mirë të vendit tuaj. Cilat janë iniciativat e dy palëve për të forcuar bashkepunimin parlamentar dhe rolin e tij në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe?
– Mendoj se Kryetari i Parlamentit është përgjegjës për vizitën time këtu sepse më infektoi me patriotizmin e tij shqiptar dhe qëndrimin e tij për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, dhe e konsideroj si mik të Izraelit por edhe si mik timin personal. Ne kemi marrëveshje për bashkëpunimin në praktikë mes dy parlamenteve. Drejtori yne i përgjithshëm erdhi këtu për të parë çfarë mund të bëjmë së bashku në projekte të ndryshme. Por për sa i përket nivel parlamentar, ne ramë dakord se kemi grupe miqësie të cilat janë shumë aktive por gjithashtu do të përpiqemi të promovojmë bashkëpunimin mes komisioneve, veçanërisht për çështje praktike si ekonomia, teknologjia, etj. Gjithashtu, po mendojmë për më shumë bashkëpunim në strukturat ndërkombëtare, ku jemi të dyja palët aktive dhe mund të jemi më të koordinuar. Dhe për sa i përket bashkëpunimit në parlamente, unë besoj se parlamentet përfaqësojnë popullin dhe në momentin që ne e mbështesim bashkëpunimin në parlament kjo do të thotë se ai nuk varet nga një qeveri apo një tjetër ose nga një kryeministër, ministër i jashtëm, etj. Pra, ai është i rrënjosur thellë. Jam i lumtur që si në parlamentin shqiptar ashtu dhe në atë izraelit nuk ka asnjë problem mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe kjo është një shenjë shumë e mirë.
– Z. Kryetar i Parlamentit, rajoni i Lindjes së Mesme dhe më tej vazhdon të jetë i përfshirë në konflikte të përgjakshme dhe terrorizmi është kthyer në një kërcënim të rrezikshëm për gjithë popujt e rajonit, të europës dhe gjithë botës. Si një vend i rajonit të prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë, çfarë mund të thoni për këto ngjarje dhe për mundësitë për të kapërcyer këtë dramë, duke përfshirë dhe vendosjen e paqes dhe bashkëjetesën me popullin palestinez?
– Siç thatë ju, rreziqet në rajonin tonë janë të shumta, për të qënë i sinqertë. Po flasim për DAESH-in, ISIS-in, të cilat fatkeqësisht po marrin jetë njerëzish duke bërë atë që ne mendonim se i përkiste mesjetës, si prerja e kokës dhe ceremoni të tilla, por që siç rezultoi janë ende prezente. Po flasim për një masakër në Siri e cila vazhdon prej vitesh nga të gjitha palët dhe mos u përpiqni të më pyesni mua se cila mund të jetë zgjidhja sepse fatkeqësisht une mund të them vetëm se janë grupe të ndryshme terroristësh që luftojnë me njëri-tjetrin dhe nuk e shoh cili është i keq dhe cili është më i keq në atë konflikt. Por unë besoj se kërcënimi më i madh që i bëhet rajonit për momentin, jo vetëm Izraelit, por Lindjes së Mesme, është problemi nuklear i Iranit.
Kur më thonë se ka një marrëveshje dhe nuk duhet të shqetësohem, unë di një gjë: Iran do të marrë menjëherë rreth 150 miliardë dollarë për shkak të shkrirjes së llogarive dhe bashkëpunimit të nxituar. Çështja është se nëse një përqind e këtyre parave shkojnë në duart e Hezbollahut, Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste, ky do të përbënte një faktor destabilizimi për rajonin tonë. Pra, këto janë lajmet e këqija. Lajmi i mirë është se gjithmonë e më shumë po kuptohet se konflikti ndërmjet Izraelit dhe Palestinës është një problem por jo problemi i vetëm dhe kryesor në Lindjen e Mesme. Edhe nëse ne ulemi nesër me palestinezët, pranojmë njëri-tjetrin dhe arrijmë e firmosim marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, ne kemi ende Sirinë, ISIS-in, problemin nuklear të Iranit të cilat nuk do të zhduken. Kjo është arsyeja pse mendoj se në shumë vende arabe të cilat thonë se ‘duhet të merremi me konfliktin, duhet të ndihmojmë palestinezët, por ndoshta kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdojmë të urrejmë Izraelin’.
Ka mundësi për bashkëpunim dhe sinqerisht shpresoj se këto mundësi do të shqyrtohen. Unë sapo pata një eksperiencë sot në këtë hotel. Siç mund ta dini, kishim një takim të parlamentarëve të Mesdheut, dhe unë fola për një sugjerim shumë praktik për bashkëpunim ndërmjet parlamenteve në zonën tonë. Dhe, ju e dini, ishte shumë e dhimbshme të shihje se ky fjalim u prit shumë mirë nga të gjithë delegatët dhe organizuesit europianë, ndërkohë që nuk kishte asnje delegacion të vetëm arab që të paktën të duartrokiste pas fjalimit ose të jepte ndonjë shenjë se u kënaqën që e dëgjuan atë fjalim. Pra, ka ende shumë për të bërë. Në të njëjtën kohë, nuk mund të arrish synimet nëse nuk përpiqesh. Gjithsesi, unë sinqerisht shpresoj që do vazhdojmë të përpiqemi dhe në fund të arrijmë në një zgjidhje.
Ka dy supozime themelore: i pari është se ne nuk do të zhdukemi dhe palestinezet nuk do të zhduken; në fund ne duhet të negociojmë një zgjidhje, dhe i dyti është se për sa kohë nuk ka marrëveshje paqeje nuk do të thotë se e vetmja alternativë është të qëllojmë njëri-tjetrin. Ne mund të përpiqemi të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme dhe të ndërtojmë marrëdhëniet tona, dhe në fund do të negociojmë kufijtë e përhershëm, marrëveshje ushtarake, etj. Në këtë fazë, edhe pse nuk kemi një zgjidhje të menjëhershme, nuk do të thotë se duhet të qëllojmë njëri-tjetrin.
Genc Mlloja & Denisa Hunci
Albanian Daily News