Christian Jouret i pati humbur shpresat se gjyshi i tij, Jerry, njeriu që në fakt e rriti, do të ishte ende gjallë. Kishte kaluar një javë që kur 81-vjeçari la shtëpinë e tij në mal për të shkuar në Nevada tek e shoqja, por për 6 ditë nuk arriti. Fatmirësisht pas gjithë kësaj periudhe kohore, ish-punonjësi i NASA-s u gjet i bllokuar në borë dhe kishte mbijetuar duke konsumuar biskota dhe disa brioshë.
“E gjithë gjëja duket si një mrekulli. Ishte e vështirë për ne që të mendoje se një njeri me jetën e tij, i cili ka krijuar një trashëgimi të madhe, të ngecte në makinë dhe të vdiste nga hipotermia”, tha ai për BBC.
Jerry Jouret u kap në mes nga një stuhi dimërore që kaploi Kaliforninë këtë muaj dhe ngeli në mes të borës. Nipi i tij ka treguar se 81-vjeçari mbijetoi pasi praktikoi ato që kishte mësuar në disa episode mbijetese të serialeve amerikane që kishte parë bashkë me gruan.
Jerry, i cili kishte veshur vetëm një xhaketë të lehtë, u ngroh me një jorgan të hollë dhe një peshqir banje që gjeti në makinë.
Matematikanti ishte në gjendje të ruante baterinë e makinës për tre ditë e gjysmë duke e fikur automjetin në mënyrë periodike. Për ujë, ai hapte dritaren dhe merrte borë, ndërsa për të ngrënë u drejtohej atyre pak ushqimeve të mbetura që kishte në makinë.
“Ai mbijetoi me borë, briosh dhe biskota,” tha nipi i tij.
Gjërat morën për keq kur bateria e makinës ra teksa ai po mbyllte xhamin. Kjo ndodhi dy ditë para se të shpëtohej. Kjo e la edhe më keq përballë temperaturave shumë të ftohta.
Kur autoritetet shkuan për ta shpëtuar, fillimisht, piloti i një helikopteri e mori makinën e të moshuarit si shkëmb. Pasi e vunë re të moshuarin, ata e dërguan menjëherë në spital.
Atje, infermierët janë habitur kur kanë parë shenjat e tij jetësore, që ishin komplet normale dhe pa shenja hipotermie.
/a.r