Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku vlerëson se ka ardhur koha që puna e bërë nga institucionet kosovare që nga çlirimi i vendit e deri tani të kurorëzohet me përfitime konkrete nga Bashkimi Evropian.
Një ditë pas kthimit nga vizita në Bruksel, ku u takua me komisionerin Johannes Hahn, ministri Bekim Çollaku thotë në një intervistë për Top Channel se viti 2015 pritet të jetë viti i kthesës së madhe për Kosovën në raportet me Bashkimin Evropian. Ai thotë se pas disa vonesave në përkthime dhe çështje teknike, brenda këtij viti Bashkimi Evropian do të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.









