• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

E vërteta pse RTSH nuk transmeton Euro 2016

by Aalison Pearse Stevens
12/06/2016 14:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Agron Tufa*

Letër e hapur publikut shqiptar, Kryeministrit, KD aktual të RTSH, Komisionit Parlamentar të Medias, Kontrollit të Lartë të Shtetit

Më takon si ish-Kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar t’i jap sqarime publikut (e me gjasë të vakët, edhe ndonjë institucioni të rëndë- sishëm shtetëror, të cilit ende mund t’i interesojë e vërteta), se pse papritur RTSH-ja hoqi dorë nga e drejta kushtetuese e sanksionuar në ligjin e kësaj medieje publike (ligji 8410), për të transmetuar Kampionatin Europian të Futbollit, Francë 2016.

E theksoj ndajfoljen “papritur”, sepse që prej ardhjes sime dhe kolegëve të mi në Këshillin Drejtues të RTSH-së (gusht 2006), ia kthyem ekranit të tij ndeshjet e futbollit shqiptar, të Kombëtares dhe kampionatet europiane e botërore, tok me sportet e tjera, të dëbuara padrejtësisht nga RTSH-ja në televizionet private. Por për të gjithë investiguesit, gazetarët, titullarët e audituesit shtetërorë a parlamentarë, unë kam një recetë më se të thjeshtë: shkoni dhe merrni në shqyrtim mbledhjen e KD të RTSH-së të datës 9/10/ 2014, në të cilën është diskutuar dhe miratuar blerja e të drejtës së transmetimit të Kampionatit Europian, Francë 2016, nga RTSH-ja, si gjithmonë, tradicionalisht nga EBU (Rrjeti i Transmetuesve Publikë të Europës) dhe aty pra, do të gjeni gjithë të vërtetën.

Kjo duhet bërë! Kjo është detyrë! Sepse qytetarit shqiptar, që paguan taksat, e ndër to edhe taksën për RTSH-në, i është vjedhur një e drejtë edhe njerëzore, edhe qytetare, edhe e ligjshme. Për më tepër, në mbledhjen e KD të RTSH-së në datën që cituam, diskutimet e të cilave janë të regjistruara, është diskutuar dhe miratuar shuma rreth 600.000 (gjashtëqind mijë) euro për ta blerë këtë të drejtë transmetimi.

Me interes edhe më të madh, madje them se kyçin e misterit se pse hoqi dorë RTSH-ja nga transmetimi i ndeshjeve të Europianit 2016, e përbën diskutimi rreth dy paketave të paraqitura si oferta për nënliçensim, nga dy platformat më të mëdha private: “Digitalb” dhe “Tring”.

Sigurisht që nuk është kohë e largët dhe ne nuk kemi kujtesë peshku. Pas diskutimit të z. Besnik Dizdari dhe në një linjë me të, kemi arsyetuar se nuk do të ketë nënliçensim për të drejta transmetimi për asnjërën paketë ofertash, për shkak se blerja jonë është një e drejtë ekskluzive e RTSH-së dhe se i përket me ligj kjo e drejtë e ndjekjes së ndeshjeve pa pagesë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Gjithësa deklaroj në këtë shkrim, mund të provohet.

Diskutimet u shtrinë dhe tek anëtarët e tjerë të Këshillit dhe në përfundim u votua unanimisht për blerjen e të drejtave të transmetimit dhe refuzim ofertave për nënliçensim, të paraqitura nga platformat mediatike “Digitalb” dhe “Tring”. Pas këtij vendimi, hartohet procesverbali i mbledhjes me vendimet e marra, nënshkruhet e vuloset, sikundër mund t’i gjeni në arkivin e KD të RTSH-së.

Por ja që fill pas nënshkrimit të këtyre vendimeve, pa kaluar as gjysmë ore, filluan telefonatat e thellësisht-të-shqetësuarve, të alarmuarve, të tërbuarve etj., etj. Mandej erdhën varg ndërhyrësit, negociatorët, rixhaxhinjtë, e domosdo edhe kërcënimet, me të cilat nuk ia vlen t’ia rrokanisim kokën lexuesit. Shkurt, deri në mes të nëntorit 2014, u provuan të gjitha metodat, kryesisht “të buta”, për të më bindur të mblidhja edhe njëherë KD që të anulonim vendimin e marrë më 9 tetor 2014.

Mandej, si duket u bindën, se nuk isha nga ai popull që ende shpresonin dhe ra heshtja. Dhe kjo heshtje zgjati për 15 ditë të plota, d.m.th., deri më 1 dhjetor , ku pa asnjë shpjegim lajmërohesha të dorëzoja numrin celular në RTSH dhe se KD i RTSH-së prej asaj date pushonte së vepruari, për shkak se fillonin procedurat për zgjedhjen e KD të ri Drejtues.

Sidoqoftë, kjo procedurë zgjati diku rreth një vit a më shumë deri në miratimin përfundimtar, kohë gjatë së cilës Radio Televizioni Publik ka qëndruar pa Këshill Drejtues.

Çfarë mund të ketë ndodhur gjatë kësaj kohe vallë? E kam fjalën për vendimin unanim që RTSH e vetëm ai do ta përdorte të drejtën televizive të blerë nga EBU, në përputhje me ligjin, në përputhje me të drejtën e padiskutueshme të qytetarëve taksapagues, ndër to edhe të taksës për RTSH-në?

Jam i detyruar të sqaroj se prita deri në fillim të Europianit me shpresën se fjalët dhe propaganda reklamuese nëpër platforma private nuk do të ishte e vërtetë për sa i përkiste ekskluzivitetit të transmetimit dhe përjashtimit absolut të RTSH-së.

Përveç shumë arsyeve të tjera që tashmë shpjegohen më sipër dhe mbi të gjitha, nisur nga e vërteta, më shtyu t’i shkruaj këto radhë edhe reagimi zyrtar i RTSH-së, që sqaron, me gjasë, shkakun e mostransmetimit: pjesëmarrja në tender, por (ah!), se oferta e RTSH-së nuk doli fituese!

Një alibi e verbër, naive, por fatlumnisht dhe lehtësisht e verifikueshme. EBU nuk vendosi “papritur” të mos ia shesë RTSH-së të drejtën. Ajo nuk e ka bërë këtë për asnjë televizion publik të Europës dhe që nga emërtimi që mban, ai shpreh në radhë të parë e vetëm interesat e transmetuesve publikë.

Përkundrazi, në rregulloren e RTSH-së, neni 231 (EBU) e kallëzon qartë marrëdhënien e RTSH-së me EBU, sikundër citohet: “EBU (European Broadcasters Union) është Bashkimi Europian i Transmetuesve, organizatë ndërkombëtare në të cilën RTSH-ja bën pjesë me statusin e anëtarit aktiv. Tërësia e të drejtave dhe detyrimeve që ka RTSH-ja karshi EBU, ndiqen nga Sektori i EBU për pjesën që i takon Drejtorisë së Televizionit Shqiptar”.

Pra, në RTSH ka dhe një sektor që harmonizon marrëdhëniet me EBU! Përse atëherë EBU të mos ia shiste, si gjithmonë, RTSH-së të drejtën e transmetimit, sikundër një radhë të pafundme të drejtash për prodhime të tjera? Apo mos është bërë ndonjë akrobaci gjatë menopauzës kur RTSH-ja ishte pa Këshill?

Prej gjithë kësaj historie precipiton fakti fyes e i hidhur: qytetarët shqiptarë, edhe pse kanë të drejtë të shohin Kampionatin Europian e Botëror të Futbollit, sikundërse Kombëtaren e tyre pa pagesë, kur këtë ua garanton ligji përmes Televizionit Publik, janë të detyruar ose të ndihen të huaj në këtë festë ku merr pjesë Kombëtarja e tyre, duke hequr dorë nga pamundësia të blejnë aparatet dixhitale dhe abonimin, ose të shesin lëkurën për t’iu nënshtruar platformave private dixhitale, pra, ta blejnë shtrenjtë me varfërinë e tyre atë që u takonte me ligj.

Përse drejtuesit e RTSH-së bëhen folje ndihmëse të TV-ve të fuqishme private? Pse gjithçka që mund ta fuqizonte këtë media publike, vendoset nga pazaret e politikës me biznesin dhe i shkon shëndet propagandës qeveritare dhe monopoleve private mediatike?

Prandaj nervi im qytetar i drejtësisë bën apel, të hetohet kjo çështje në rrënjët e saj, deri në përfundimin logjik të saj. Sepse nëse ia heqin RTSH-së edhe këto shenja të identitetit, ai s’ka pse të quhet më publik, por një shtojcë e kasnecërisë qeveritare dhe dallavereve të tregut televiziv.

Pjesa tjetër, siç po e shohim, është propagandë, bashkë me emisarët e informacionit, ku mbizotërojnë komisareshat e tipit Laje (“Kur hidheshin themelet”), që kanosin, kërcënojnë, ndalojnë e persekutojnë gazetarët sipas oreksit politik. Atëherë, përse duhet qytetari të paguajë taksë televizive? Për lavazh propagandistik?!

* Ish-kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH, 2006-2014

Panorama/d i

Next Post

Kërkohet kujdes gjatë demarkacionit me Serbinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Kemi nevojë për Groenlandën!” Trump shkakton alarm në Danimarkë: SHBA të ndalë kërcënimet

Groenlanda, Trump: S’lejojmë ta marrin Kina ose Rusia, ata nuk mund të jenë fqinjët e SHBA

January 9, 2026
Eksperti ngre shqetësimin: Durrësi s`ka arkivat e projekteve, ja pse bllokohen kanalet

Eksperti ngre shqetësimin: Durrësi s`ka arkivat e projekteve, ja pse bllokohen kanalet

January 9, 2026
Policia kalon në gatishmëri të përforcuar, 5500 efektivë dhe 700 mjete në patrullim

Policia kalon në gatishmëri të përforcuar, 5500 efektivë dhe 700 mjete në patrullim

January 9, 2026
Ende vatra aktive te “5 Maji, tregtari: Biznesi më i vogël me 200 milionë lekë dëme. Po të tjerët?

“Një zjarrfikës u plagos”, prefekti i Tiranës jep detaje nga hetimet për flakët te 5 Maji

January 9, 2026
Protestë para Bashkisë së Durrësit, policia ndalon të riun që po sulmonte godinën me fishekzjarrnte

Protestë para Bashkisë së Durrësit, policia ndalon të riun që po sulmonte godinën me fishekzjarrnte

January 9, 2026
EMRI / Gjendet i vdekur një person në Elbasan, Policia jep detajet e para

EMRI / Gjendet i vdekur një person në Elbasan, Policia jep detajet e para

January 9, 2026
Kalaja: Gabim ftesa për komunistët në tryezën e opozitës, protestat të mos jenë thjesht “foltore”

Kalaja: Gabim ftesa për komunistët në tryezën e opozitës, protestat të mos jenë thjesht “foltore”

January 9, 2026
Trump jep lajmin: Do të takohem me Presidentin e Kolumbisë muajin e ardhshëm

Trump jep lajmin: Do të takohem me Presidentin e Kolumbisë muajin e ardhshëm

January 9, 2026
Deklarimi i të ardhurave personale, çfarë ndryshon në 2025-n; Kujdes afatin e ri!

100 mijë lekë për shpenzimet arsimore kush ka fëmijë nën 18 vjeç, Tatimet: Ja si të aplikoni për të përfituar rimbursimin

January 9, 2026
Djali u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare, ringritja nga dhimbja e Besa Muçës: Jetoj me kujtimet e tij

Djali u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare, ringritja nga dhimbja e Besa Muçës: Jetoj me kujtimet e tij

January 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In