Nga Lorenc Vangjeli
Të premten paradite, në Parlament, Edi Rama mbajti fjalimin për buxhetin e vitit 2016. Disa orë rresht me disa ndërprerje sherresh në mes. Ishte ndoshta fjalimi më i gjatë i karrierës së tij të nisur me fjalime dhe të mbushur me fjalime të përditshme. Dhe Edi Rama nuk flet shkurt pothuaj në asnjë rast dhe për asnjë arsye.
Të premten në mbrëmje, në Galerinë e Arteve në Tiranë, Edi Rama mbajti fjalimin më të shkurtër në karrierën e tij. Sërish histori “buxheti”, por pakkush e kuptoi si të tillë dhe askush nuk e komentoi një ditë më pas si të tillë. Të shtunën shumëkush ishte më i interesuar të dinte nëse kryeministri i kishte thënë “zemër” Albana Vokshit, nëse i kishte përmendur sërish tryezën Edi Palokës dhe mbi të gjitha, çfarë kishte pasur parasysh “me të dalën jashtë të Doktorit”, në momentin që Doktori doli jashtë sallës.
Paradite në Parlament, Rama foli edhe për buxhetin. E bëri një gjë të tillë në ndërkohën që merrej me Doktorin, Bashën dhe gjithë çfarë i shihte syri dhe i tallte mendja në krahun e tij të djathtë. Më shumë batuta se shifra, më shumë shifra sesa prova, më pak prova, por shumë më shumë optimizëm, besim dhe premtim se edhe nëse buxheti i tij nuk është më i miri i mundshëm, është më pak keq se buxhetet e paraardhësit të tij. Ky ishte stili kryeministror i prezantimit të buxhetit.
Dhe siç ndodh rëndom edhe batutat, edhe shifrat, edhe provat, edhe optimizmi, edhe besimi, dhe premtimet e kontrasti me të shkuarën sipas parimit ç’kemi qenë dhe ç’do të jemi, u lexuan në dy mënyra të ndryshme. Kundërshtarët thjesht e sulmuan, të vetët thjesht e duartrokitën. Pavarësisht se çfarë besonte secili “privatisht”, në votimin e buxhetit të gjithë ishin korrekt politikisht me ngjyrën në fanelën politike partiake.
Po në të njëjtën mënyrë u nda edhe publiku: ata që e besuan dhe shpresuan sërish tek Edi Rama në njërën anë dhe tek ata që e nuk e besojnë atë edhe kur prezanton veten me emër dhe mbiemër në anën tjetër.
Të premten në darkë, çuditërisht në fjalimin e tij më të shkurtër të karrierës, kryeministri foli me një elokuencë absolute pikërisht për “buxhetin” e qeverisë së tij. Më saktë për klimën e biznesit të qeverisë së tij. Apo akoma më saktë, përdori batutat, dhe afroi një provë të fortë optimizmi e besimi për të nesërmen ekonomike të vendit.
I ftuar në ceremoninë e inagurimit të bankës më të re shqiptare, me një mbiemër të fortë në mes të emrit – Banka Amerikane e Investimeve – Rama tha disa të vërteta të njëpasnjëshme. Fillimisht ai refuzoi falenderimet plot kortezi që i bëri CEO i Bankës për mbështetjen që ai kishte afruar si kryeministër. “Kryeministrat marrin shpesh edhe sharje të pamerituara, edhe lëvdata të pamerituara. Nuk kam dhënë asnjë mbështetje për këtë bankë. Por lajmi i mirë është që qeveria shqiptare nuk është bërë pengesë për hapjen e kësaj banke”, tha gjysëm me të qeshur Rama në një sallë që heshti. Sepse të vërtetat më serioze zakonisht thuhen me humor.
Më pas nuk e la t’i shpëtonte rasti që të fliste dhe për nevojën e kreditimit të ekonomisë, edhe për shpresën që banka e re, ABI, të bëhej shembull për bankat e tjera dhe mbi të gjitha, të ndalej më gjatë në emrin e saj për të bërë pak politikë. Duke folur për ekonominë. Dhe duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Që sipas tij dhe gjithkujt tjetër në Shqipëri, politikisht janë të shkëlqyera, por që kanë nevojë për një frymëmarrje tjetër në marrëdhëniet ekonomike: “Jemi të vendosur ta çojmë përpara me ç’ka mundemi materializimin e kësaj dashurie, shqiptaro-amerikane, me prani edhe më të madhe kapitalesh në vendin tonë, kjo edhe për një arsye tjetër që ka të bëjë me kulturën e sipërmarrjes, me shpirtin e aventurës që amerikanët e kanë po kaq të spikatur, ashtu sikurse edhe disiplinën”, tha Rama.
Me të njëjtin stil, lakonik si bankier, i qartë si diplomat dhe i drejtpërdrejtë si amerikan, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu u përfshi në një prognozë “buxheti” për të nesërmen e ekonomisë shqiptare. Ai tha: “Banka Amerikane e Investimeve! Tingëllon tërheqëse”!
Lu kujtoi se një tjetër investim amerikan në fushën bankare kishte ardhur në Shqipëri në vitin e largët 1999, atëherë kur vendi ende nuk kishte tejkaluar dhembjet e krizave ciklike e të përgjakshme të 1997-ës, të 1998-ës dhe ishte në pikun e luftës së Kosovës. Atëherë Banka Amerikane e Shqipërisë, në maj 1999, hapi sportelet e para duke u bërë një histori suksesi. Dhe një Kasandër gjithashtu mjaft e vlefshme: Amerikanët nuk i hedhi kurrë kot paratë! Dëshmitare e tejkalimit të krizave atëherë, duket se shpresa simbolike që afrohet paradëshmon se nesër do të jetë më mirë. Si një fall i hedhur në sportelin e një banke.
Një koincidencë: edhe atëherë, edhe tani, me diferencë 16 vjeçare në mes, një italo-amerikan arkitekt i suksesit të dikurshëm, është pjesë e ekipit të sotëm të bankës së re. Lorenzo Ronkari, një “i njohur” i vjetër i Ramës, siç tha vetë kryeministri, duket se është garancia e të bërit “bis” me bankën e re.
Edhe përshëndetjet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, edhe kortezia e CEO-s shqiptar të bankës Andi Ballta, ishin më shumë se kortezi. Sepse gjithçka ishte politikë. Edhe pse pakkush e kuptoi. Edhe pse pakkush e di të vërtetën elementare që politika është gjithashtu një lloj kartmonedhe dhe politikanët janë bankierë gjithashtu.
Të premten e buxhetit 2016, politika po luante një akt dramatik në një segment me dy skaje vetëm pak qindra metra larg. Nga Parlamenti Shqiptar në një anë, tek Galeria e Arteve në anën tjetër.
Në skajin e parë Rama si kryeministër foli sipas zakonit të tij. U tall me kundërshtarët, mezi fshihte padurimin për të ikur nga salla ngaqë ka kuptuar detyrimin për të ndenjur në sallë. Në atë ambient që ai e përbuz dukshëm dhe e nënvleftëson pafund qoftë për produktin që krijon, qoftë për njerëzit që në shumicë i ka futur vetë aty dhe sot nuk e kupton se pse e ka bërë.
Në mbrëmje, i rikthyer në shtëpinë e tij të dikurshme, në Galerinë e Arteve, Rama ishte ndryshe. Shumë më elokuent se paradite. Ai foli për ekonominë si pakkush nga kryeministrat e tjerë shqiptarë: “…Të paktën qeveria nuk është bërë pengesë dhe ky është një lajm i mirë”!, tha ai. Një e vërtetë e hidhur e shumëvjeçare që pothuaj gjithmonë i është fshehur publikut me fraza të parfumosura shprese të kotë, besimi të zhgënjyer, optimizmi të shtirur dhe provash të gënjeshtëra. Rama nuk e bëri të premten në mbrëmje. Përpara amerikanëve që investojnë në sistemin bankar ai ishte artisti rebel i dikurshëm, genetikisht i programuar të jetë kundër çdo qeverie. Edhe kur për koinçidencë, e drejton po vetë! Mëkat që nuk e kuptuan Ramën të premten tek Banka Amerikane e Investimeve.