Një 20-vjeçar është arrestuar nga karabinierët në Ankona pasi plagosi me thikë prindërit dhe vëllain gjatë një sherri në shtëpi në një familje me origjinë nga Bangladeshi. Mediat italiane shkruajnë se i riu, goditi me thikë prindërit dhe vëllain e tij 16-vjeçar brenda shtëpisë së tyre në Fano, në provincën e Pesaro Urbinos. Ishte nëna ajo që arriti të japë alarmin, duke njoftuar menjëherë autoritetet për ngjarjen e rëndë.
Sipas raporteve fillestare, fillimisht pati një grindje midis dy vëllezërve, e cila u përshkallëzua. Prindërit ndërhynë për të ndarë fëmijët, por edhe ata u goditën me thikë.
Tre personat e plagosur, babai 46-vjeçar, nëna 43vjeçe dhe vëllai, u transportuan në spitalin e Ankonës. Gjendja e babait është e rëndë dhe ai ndodhet në kujdes intensiv.
I riu u arrestua nga karabinierët dhe u dërgua në stacion me akuzën e vrasjes së trefishtë në tentativë. Sipas burimeve hetimore, ai ka deklaruar: “Doja ta bëja prej kohësh”, një pohim që ka ngritur shqetësime të mëdha mbi motivet dhe gjendjen e tij psikologjike.











