Katër prej arrestimeve të bujshme në dy vitet e fundit janë bërë në ditë të premte, duke filluar me Xhelal Mziun, për të vazhduar me Ardian Fullanin, Shpëtim Gjikën e së fundi me Spiro Kserën. Gazeta Panorama ngre pyetjen nëse kjo është një rastësi apo strategji e ndjekur nga ana e organit të akuzës.
Urdhrat janë zbatuar gjatë pasditeve vonë dhe ditën tjetër ata kanë pasur komunikimin me avokatët. Tre prej tyre pas betejës gjyqësore janë sot të lirë. Pritet c’do të ndodhë në rastin e Kserës.
Spiro Ksera
Të premten e 29 janarit u ekzekutua urdhër-ndalimi i prokurorisë së Tiranës për ish-ministrin e Punës dhe të Cështjeve Sociale, Spiro Ksera. Sot, Ksera ndodhet në drejtorinë e Tiranës, ku ka komunikuar edhe me avokatin e tij, Genc Gjokutaj.
Shpëtim Gjika
Ka qenë data 6 shkurt e vitit 2015 kur ish-kreu i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika u vu në pranga. Ka qenë mesdita e së premtes kur efektivë të policisë janë paraqitur me udrhër ndalimin nga ana e organit të akuzës.
Arrestimi i Gjikes ndodhi rreth orës 14:00 në një restorant pranë banesës së kryebashkiakut 52- vjeçar të Vlorës. Një skuadër policore është paraqitur në lokalin ku po drekonte Shpëtim Gjika dhe pasi ka marrë kontakt me të, i ka bërë me dije se kishte një vendim gjykate për arrestimin e tij.
Para prangosjes, mësohet se kryebashkiaku ka qenë në zyrën e tij, si çdo ditë tjetër pune në Bashki.
Rreth orës 13:00 ai ishte larguar mesa duket për të drekuar diku pranë banesës së tij, ku edhe ndodhi arrestimi. Pasi ka dalë nga restoranti ku ndodhej me disa persona të tjerë, policët i kanë vënë prangat Shpëtim Gjikës, i cili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Ardian Fullani
Ka qenë data 5 shtator e vitit 2014 kur gjykata kishte caktuar masën “arrest me burg” të vendosur në mungesë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, pas kërkesës së prokurorisë. Ka qenë ditë e premte. Në ora 19:45 të mbrëmjes Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndodhej në zyrën e tij, në godinën e ish-kompanisë VEFA në Tiranë.
Një skuadër e policisë mbërriti te sheshi “Avni Rustemi” me urdhrin e arrestit të lëshuar nga gjyqtarja Blerina Muça, pas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci.
Sapo Guvernatori kishte hapur derën e makinës së tij “BMW”, me targë TR 0270 Z, katër oficerë policie, dy civilë e dy me uniformë, e kanë penguar të futej brenda.
Oficerët i kanë komunikuar Fullanit urdhrin e arrestit për akuzën “shpërdorim detyre”. Mes punonjësve të Policisë dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore ka pasur një bisedë sqaruese, që ka zgjatur vetëm disa sekonda dhe më pas dy prej oficerëve e kanë kapur nga krahët, duke e drejtuar drejt makinës së tyre. Fullani ka hipur në një tjetër “BMË” të bardhë të Policisë dhe është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në orën 19:55 të mbrëmjes, Fullani u fut i prangosur në Drejtorinë e Qarkut, ku u izolua në qelinë e paraburgimit.
Xhelal Mziu
Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës u bë po në një ditë të premte, në mbrëmje vonë. Ka qenë 20 dhjetori i vitit 2013, kur policia ekzekutoi urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e tij për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera publike.
Policia ekzekutoi në mbrëmje vendimin e Gjykatës së Tiranës, që kishte vendosur ndaj kryebashkiakut masën e sigurisë “arrest me burg”, pas kërkesës së Task-Forcës të Prokurorisë, që kishte regjistruar procedim penal që prej muajit shtator.
Një orë pas arrestimit të Mziut, policia shpalli në kërkim edhe drejtorin e zyrës juridike të Bashkisë Kamzë, Atli Hoti, për të njëjtën akuzë, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me Mziun.
Vetë bashkëshortja e tij, aso kohe në një intervistë për Panoramën hodhi poshtë akuzat që qarkulluan se në banesë Mziut iu gjet vulë zgjedhjesh dhe se ajo vetë ishte pronare argjendarie. “Procesverbalin e këqyrjes së banesës nga Policia e kam firmosur vetë dhe aty nuk ishte shënuar asnjë objekt i jashtëligjshëm, aq më pak një vulë KZAZ-je. Ndërsa historia e argjendarisë është e sajuar, unë nuk kam argjendari në pronësi, por jam drejtoreshë e një filiali banke, sipër të cilës ndodhej një dyqan i tillë”, tha ajo.













