Shifra alarmante të të infektuarve nga koronavirusi raportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë regjistruar më shumë se 120,000 raste në 24 orët e fundit. Kjo është ajo që del nga të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins”.
Por edhe Europa nuk mbetet pas. Gjermania ka regjistruar 21,506 raste të tjera të Covid-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 619,089. Sipas të dhënave që vijnë nga Instituti “Robert Koch”, kanë vdekur 166 pacientë, për një total prej 11,096 vdekjesh që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit në Rusi, janë regjistruar 20,582 infeksione të reja të Covid-19: numri më i lartë në një ditë të vetme që nga fillimi i epidemisë. Vdekjet e shkaktuara nga sëmundja janë 378 gjatë ditës së fundit. Sipas të dhënave të botuara nga qendra e operacioneve të koronavirusit, në total në Rusi ka 1,733,440 infeksione dhe 29,887 njerëz që kanë vdekur nga Covid.
/a.r











