Në një editorial të përbashkët të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić propozojnë një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Në thelb të propozimit të tyre qëndron ideja e një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit. Pra, pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse.
Për kryeministrin Rama dhe Presidentin Vuçiç, kjo formulë do të mundësonte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së.
Editoriali vjen në një moment reflektimi kritik për politikën e zgjerimit, duke qenë se prej vitit 2013 nuk ka pasur asnjë anëtar të ri në Bashkimin Europian një fakt që, sipas editorialit, ka kontribuar në rritjen e zhgënjimit në Ballkanin Perëndimor dhe në zbehjen e besueshmërisë së procesit të integrimit, ndërkohë që qasja e re po merr gjithnjë e më shumë zë.
SHKRIMI I PLOTE:
Një histori e re suksesi për Evropën
Që nga rënia e Murit të Berlinit, zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë një nga politikat më transformuese të Unionit. Evidenca është e qartë: duke shtrirë institucionet, rregullat dhe tregun e tij te anëtarët e rinj, BE-ja ndihmoi në ankorimin e demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në pjesën më të madhe të kontinentit.
Asnjë mjet tjetër politik nuk e ka riformësuar Evropën më thellësisht apo më paqësisht.
Megjithatë, që nga viti 2013, asnjë anëtar i ri nuk i është bashkuar Unionit dhe, siç është tashmë një fakt i pranuar gjerësisht, zgjerimi mbeti për një kohë të gjatë jashtë agjendës së BE-së. Për ata prej nesh që kanë pritur, kjo ka zgjatur sa një jetë. Edhe pse kjo mund të mos pasqyrojë mungesën e angazhimit, por një mjedis më kompleks – reforma të brendshme, tensione gjeopolitike, kufizime institucionale dhe shqetësime legjitime publike brenda shteteve anëtare – e vërteta e hidhur është se ky realitet i trishtë dhe dekurajues ka zgjatur për shumë kohë. Megjithatë, pyetja e zgjerimit nuk është zhdukur, por sot është bërë më urgjente.
Arritjet e projektit evropian janë të pamohueshme. Asnjë brez evropianësh nuk ka gëzuar një paqe, lëvizshmëri dhe prosperitet të tillë. Zgjerimi luajti një rol qendror në këtë sukses, duke zgjeruarnjë komunitet të ndërtuar mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe ndërvarësinë ekonomike. Ruajtja e këtyre fitoreve kërkon si konsolidim, ashtu edhe rritje.
Në pjesën tonë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor – një rajon gjeografikisht i rrethuar nga Unioni dhe historikisht i lidhur me fatin e Evropës – perspektiva e anëtarësimit mbetet shtytësi i vetëmmë i fuqishëm për reforma, investime dhe pajtim. BE-ja ka mbeturthellësisht e angazhuar përmes asistencës financiare, dialogut politik dhe integrimit sektorial. Ne jemi mirënjohës, por gjithsesi, ndikimi transformues i anëtarësimit të plotë nuk është materializuar ende. Është koha që BE-ja të pranojë se në Ballkanin Perëndimor shtrihet një kufi i ri për investime në forcën e Unionit dhe në një të ardhme të përbashkët.
Shumë evropianë pyesin me të drejtë nëse Unioni mund të funksionojë në mënyrë efektive me dukshëm më shumë anëtarë. Shqetësimet për vendimmarrjen, ekuilibrin institucional dhe kohezionin politik janë legjitime. Udhëheqësit në Paris, Berlin dhe gjetkë kanë theksuar se reformat e brendshme të BE-së mund të jenë të nevojshme për të siguruar që një Union i zgjeruar të mbetet i aftë për të vepruar në mënyrë vendimtare.
Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë. Kemi mësuar, shpesh në rrugën e vështirë, se sa e vështirë është të bindësh të gjitha shtetet anëtare për të përshpejtuar proceset tona të anëtarësimit dhe sa lehtësisht mund të bllokohet përparimi, shpesh për arsye të rrënjosur në konsideratat politike të brendshme të shteteve individuale. Por le të jemi të sinqertë: t’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të kenë durim dhe të presin që BE-ja të reformohet përpara se të bashkohen, është e barabartë me mbylljen e derës në një “déjà vu”: më shumëfjalime ceremoniale të bukura, me liderë që riafirmojnë angazhimin e tyre për të mirëpritur anëtarë të rinj, ndërkohë që pak ose asgjë nukndodh vërtet. Kjo do të ishte e gabuar, e papërshtatshme, kundërproduktive dhe madje e rrezikshme në kohët tronditëse në të cilat jetojmë.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm: rruga drejt anëtarësimit kërkon reforma të thella dhe shpesh të dhimbshme, modernizimin e ekonomive dhe harmonizimin me standardet e BE-së në pothuajse çdo sektor të jetës publike. Këto transformime janë të kushtueshme dhe sfiduese politikisht, por ato ndërmerren sepse destinacioni ia vlen, pasi janë vërtet transformuese. Ne nuk do të ndalemi. Dy vendet tona dhe i gjithë rajoni, me të gjitha dallimet dhe sfidat e përbashkëta, kanë ndryshuar, janë maturuar dhe transformuar në mënyra që do të dukeshin të imagjinueshme vetëm një dekadë më parë.
Reforma dhe përparimi, megjithatë, nuk mund të mbahen vetëm me besim. Mbështetja publike varet nga besueshmëria. Në pjesë të Ballkanit Perëndimor, entuziazmi për Bashkimin Evropian vazhdon pavarësisht zhgënjimeve të përsëritura dhe të vështira; në të tjera, po ato zhgënjime kanë thelluar gradualisht skepticizmin. Shqiptarët janë dhe mbeten më optimistë; serbët janë më skeptikë. Megjithatë, në mbarë rajonin, ekziston një emërues i përbashkët: njerëzit duhet të shohin se procesi është i besueshëm dhe se objektivi i anëtarësimit është i arritshëm brenda një afati kohor të arsyeshëm.
Ne e bashkëautorizuam këtë shkrim sepse pranojmë që Evropa sot përballet me dy gola njëlloj legjitimë. Vendet kandidate kërkojnë një rrugë realiste drejt anëtarësimit të plotë. Shtetet anëtare kërkojnë të ruajnë efektivitetin dhe unitetin e Unionit. Ky tension nuk duhet të jetë një dilemë “zero-sum” (ku dikush fiton e dikush humbet). Me imagjinatë dhe vullnet politik, ai mund dhe duhet të bëhet një mundësi strategjike.
Kjo është arsyeja pse ne po propozojmë një integrim konkret dhe të përshpejtuar në strukturat thelbësore ekonomike dhe të lëvizshmërisë të BE-së, ndërkohë që ndiqet anëtarësimi i plotë institucional. Tregu i Përbashkët dhe Zona Shengen – të ndërtuara mbi lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit – janë ndër arritjet më të mëdha të Evropës. Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza për vendet kandidate të përgatitura do të sillte përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Unionit.
Një qasje e tillë nuk do të rëndonte arkitekturën e vendimmarrjes së Unionit dhe nuk do të ndryshonte automatikisht ekuilibrin institucional të BE-së. Kjo nuk do të përfshinte dhënien e të drejtës së vetos, komisionerë shtesë, anëtarë shtesë të Parlamentit Evropian apo ndryshime në strukturat e votimit. Brenda kësaj qasjeje, një status i diferencuar në të njëjtën tryezë nuk do të ishte thjesht i mjaftueshëm; ai do të thellonte integrimin aty ku ka më shumë rëndësi për qytetarët dhe bizneset, duke i dhënë Unionit kohën dhe hapësirën e nevojshme për të përfunduar reformat e veta institucionale.
Ne besojmë fuqishëm se ky hap do të zbuste shqetësimet midis atyre shteteve anëtare që hezitojnë për zgjerimin e mëtejshëm, duke e bërë gjithashtu shumë më të lehtë për ta që ta prezantojnë dhe ta mbrojnëprocesin në mënyrë bindëse para opinionit të tyre publik. Për vendet kandidate, kjo do të dëshmonte se reformat çojnë në përparim konkret dhe se anëtarësimi në BE nuk mbetet thjesht një ëndërr. Më e rëndësishmja, kjo do të përforconte koherencën strategjike të Evropës në një kohë kur konkurrenca globale dhe sfidat e sigurisë kërkojnë unitet.
Zgjerimi nuk ka qenë kurrë një akt bamirësie. Ai ka qenë një investim reciprokisht i dobishëm. Unioni fitoi tregje të reja, talente, thellësi strategjike dhe stabilitet politik; anëtarët e rinj fituan prosperitet, siguri dhe një zë në formësimin e së ardhmes së Evropës. Dhe mbi të gjitha, paqja në kontinentin tonë vazhdoi të fitojë terren në një shkallë që nuk ishte dëshmuar kurrë më parë në historinë e Evropës.
Në një epokë rivaliteti gjeopolitik, Evropa nuk mund të përballojë “zona gri” pasigurie brenda kontinentit të saj. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një çështje rajonale – është një çështje evropiane.
Kundërshtarët e Evropës lulëzojnë mbi narrativat e rënies dhe ndarjes. Forca e Evropës ka ardhur gjithmonë nga aftësia e saj për të kthyer krizat në integrim dhe diversitetin në unitet. Zgjerimi, krahas Treguttë Përbashkët dhe Shengenit, është një nga historitë më të fuqishme të suksesit të Unionit.
Kapitulli tjetër i asaj historie nuk është shkruar ende. Me një projektim të kujdesshëm, besim të ndërsjellë dhe guxim të ripërtërirë politik, ai mund të bëhet historia e re e suksesit evropian – jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për Evropën në tërësi.
Edi Rama është Kryeministër i Shqipërisë. Aleksandar Vučić është President i Serbisë.












