Një grua në Itali vijon të reultojë pozitive me koronavirus prej 6 muajsh, një rast ky i pazakontë.
Nada Cava, 49-vjeç nga qyteti Marche, është në karantinë që prej 13 marsit, ditë në të cilën rezultoi e prekur me virusin.
“Unë nuk ndihem mirë dhe tani jam vërtet e zemëruar. Shpresoj që ky makth të përfundojë një herë e përgjithmonë. Tani ata do të më çojnë në spitalin Covid në Pescara dhe do të më thonë nëse jam e përshtatshme për trajtimin e plazmës hiperimune.
Shpresoja të filloja menjëherë terapinë por më bënë vetëm analiza, shpresoj të fillojnë së shpejti. Mendoj shpesh që kjo është vetëm një ëndërr e shëmtuar dhe kur të zgjohem do të mbarojë, por fatkeqësisht nuk është kështu”, deklaron gruaja për mediat italiane.
Ajo ka treguar se për shkak të infektimit me Covid nuk mundi të merrte pjesë në funeralin e të ëmës dhe dasmën e së bijës.
Ky rast ende nuk është i shpjegueshëm nga ana e mjekëve.