Një e moshuar nga Himara i është drejtuar Fiks Fare se familja e Niko Bollanos, i cili mbështetet nga OMONIA në Himarë, po tenton që t’i marrë një pronë të vjehrrit të saj.
Sose Dhima thotë se kalvari ka nisur 8 vite më parë, kur i ka vdekur edhe bashkëshorti. Në momentin që Fiksi po xhironte në parcelën objekt konflikti, afrohen të afërmit e z. Niko Bollano, nusja e djalit, djali dhe gruaja e tij, dhe kërkojnë që Fiksi të largohet se “është pronë e tyre”. Madje, lajmërojnë edhe policinë, e cila pasi vjen thotë se “ata s’ndajnë prona dhe do të pezullojnë çdo punim deri sa të zgjidhet konflikti nga institucionet e tjera”.
75-vjeçarja: Bollano i OMONIA-s po më vjedh pronën!
Fiksi udhëtoi në Himarë, me kërkesë të zonjës Sose Dhima. Ajo thotë se vjehrri i saj i ka lënë një pronë rreth 3300 metra, të përfituar me ligjin 7501. Por të njëjtën pronë e pretendon edhe familja e Niko Bollanos, me të cilët thotë Sosja kanë pasur konflikte. “Konfliktet kanë filluar që 8 vite më parë, kur më vdiq burri. Këta gjejnë njerëz pa përkrahje dhe turren që të marrin pronat. Këtë pronë e ka pasur vjehrri im. Më vdiq burri dhe më pas më bënë prokurë që t’ma kalonin mua. I kam të gjitha letrat në rregull, nëse s’do ma kalojnë mua t’ia japin atij që ka emrin në AMTP. Por këta Bollanot i kanë krahët e ngrohta, gjoja me ndihmë nga OMONIA Greke po na i marrin pronat. Shikojnë kush është në vështirësi dhe e moshuar dhe tentojnë t’ia marrin. Unë e kam me letra, ai vjen dhe thotë është e imja. Këta të bashkisë as e marrin mundimin t’a verifikojnë, se pala tjetër s’ka asnjë letër. Unë s’kam as mbivendosje, pasi prona e tij është shumë larg tonës, por këtë e do se është anës rrugës. Biles edhe tani vijnë dhe vjelin ullinjtë. Jemi konfliktuar disa herë se këta këtë punë kanë” thotë Sosja. Sipas saj, edhe kryetari i komisionit që ka ngritur Bashkia e Himarës për këto prona, Arqile Bollano, mban anën e palës tjetër. “Janë kushërinj a fis, dhe mbrojnë njëri-tjetrin. Unë kërkoj që t’i shikojnë letrat se kam dhe një fëmijë të sëmurë dhe për atë po mundohem” përfundon Sosja.
Familja Bollano kërcënon grupin e Fiks Fare: Do t’ju thyejmë kamerën
Në momentin që Fiksi po xhironte parcelën që na tregoi denoncuesja, afër grupit të xhirimit vjen një e re dhe kërkon që të mos xhirohet. Ajo i drejtohet grupit të Fiksit se “kush jeni ju, ikni nga prona ime, mos më xhironi, do të vij t’ju thyej kamerën”. Gazetarët i kërkojnë se çfarë dokumentesh kanë ata për këtë pronë dhe nëse kanë, t’ua tregojnë dhe grupi menjëherë largohet. “Kush jeni ju që t’ua tregojmë letrat janë në bashki. Ikni nga prona se do të lajmërojnë policinë”. Ndërkohë, afër grupit të xhirimit vjen djali dhe gruaja e Niko Bollanos, të cilët thonë se prona është e tyre. Fiksi i kërkon dokumentet, nëse e kanë regjistruar apo jo, dhe çfarë dokumenti kanë. Asnjë prej tyre nuk tregon dokumentin, teksa vijojnë me “kërcënime” se do të lajmërojnë policinë.
“Ja po vjen dhe do të shohim nëse unë jam te ajo kamera atje unë do ta marr do ta thyej. Do ta bëj copa-copa, more vesh? Ai s’ka pse më nxjerr mua në video po të them prapë. Nuk ka arsye të më nxjerri mua. Nxirr ullinjtë jo mua, në rregull” thotë familja. Ndërkohë, pas disa minutash në atë vend shkon edhe Policia e Himarës, ku familja Bollano ankohet për denoncuesen dhe grupin e Fiks Fare. Gazetarët bisedojnë me policët, të cilët thonë se u lajmëruan për konflikt. Fiksi i thotë nëse pala tjetër është apo jo pronare e kësaj parcele, teksa ata përgjigjen se “ne jemi vetëm nëse ka konflikt apo jo, paraprakisht s’do të lejojmë asnjërën palë që të vjelë ullinjtë në këtë pronë”. Sipas tyre, ndarjen e pronës e bëjnë të tjera institucione dhe se ata u paraqitën nëse do të kishte apo jo konflikt.
Arqile Bollano: Nuk flas me Niko Bollanon, jemi zënë për politikë!
Pas ankesës dhe ballafaqimit, denoncuesja shkon në Bashkinë e Himarës dhe takon kryetarin e komisionit që ka ngritur Bashkia e Himarës për verifikimin e titujve të pronësisë, që është Arqile Bollano, zëvendës kryetar i Bashkisë Himare. Denoncuesja debaton me z. Bollano, teksa i kërkon se palët janë në konflikt dhe se Bashkia e Himarës nuk është në gjendje të përcaktojë se kujt i përket.
Grupi i Fiks Fare shkon në Bashkinë e Himarës dhe interviston z. Bollano. Ai e fton grupin e Fiksit në zyrë dhe në prani të znj, Sose Dhima thotë se zona ku është prona është ende e pa menaxhuar dhe se të dyja palët pretendojnë pronësinë. Gazetarët i bëjnë me dije se zonja Sose ka AMTP dhe me emërtim zone, por ai thotë se edhe pala tjetër ka sjellë dokumente dhe se juristi e topografi po verifikojnë këto pretendime. Ai debaton sërish me Sosen për emërtesën dhe për këtë konflikt, teksa Fiksi e pyet nëse ai vetë ka ndonjë lidhje familjare me z. Niko Bollano, pasi mbiemrat e tyre janë të njëjtë. Ai thotë fillimisht se jo, më pas tregon se lidhje të largët dhe në fund thotë fis I largët. Më pas tregon se me z. Niko Bollano nuk flet për “çështje partish dhe zgjedhje”.
***
Ballafaqimi i Fiksit me familjen e Niko Bollanos
Qytetarja – Zotëria po më nxjerr mua në video?
Gazetari – Po filmojmë këtë zonën këtu (ullishtën).
Qytetarja – Zotëri me çfarë të drejte me filmon?
Gazetari – Jemi gazetar të Top Channel.
Qytetarja – E pashë që ishte drejtuar nga unë.
Gazetari – O zonjë kush jeni, kush jeni?
Qytetarja – Unë?
Gazetari – Po.
Qytetarja – Kam ardhur të mbledh ullinjtë e zotërisë që ka pronën këtu.
Gazetari – Kush i ka?
Qytetarja – Në radhë të parë keni leje që vini dhe filmoni këtu?
Gazetari – Kush e ka këtë pronë?
Qytetarja – E dini shumë mirë.
Gazetari – Nuk e di, kush e ka?!
Qytetarja – Keni leje dhe më thoni nga cili emision jeni, kush gazetar jeni.
Gazetari – Po juve si quheni?
Qytetarja – Ç’ju intereson
Gazetari – Unë quhem Sokol Çobo gazetar.
Qytetarja – Më jepni lejen pra!
Gazetari – Çfarë leje pra, prona e kujt është?
Qytetarja – Prona është e Nikollaq Bollanos, e Simo Bollanos dhe e Dhimitraq Bollanos.
Gazetari – Kjo këtu ku jemi ne aktualisht?
Qytetarja – Nga këtu deri poshtë. Nuk do t’ju jap juve të dhëna, keni leje po ju pyes prapë ose do të marr policinë të vijë këtu tani.
Gazetari – Merreni, merreni!
Qytetarja – Leje keni për të filmuar?
Gazetari – Kemi ardhur për shkak të një dokumenti që ka zonja Sose.
Djali i Bollanos – Unë jam djali i pronarit.
Gazetari – Ti je djali i pronarit?!
Djali i Bollanos – Ee.
Gazetari – Kjo është prona juaj?
Djali i Bollanos – Po.
Gazetari – Është prona juaj?
Djali i Bollanos – Po, ik në bashki merri dokumentet i ke atje.
Gazetari – Po patjetër do të shkoj. Ju keni punuar këtu, keni vjelë ullinj këtu?
Qytetarja – I shikon gjë të mbledhur?
Gazetari – Ishin disa të mbledhur!
Qytetarja – I ka mbledhur zonja.
Djali i Bollanos – Ajo i ka mbledhur.
Gazetari – Juve keni dokumente për këtë pronë?
Djali i Bollanos – Po kemi.
Qytetarja – Po te toka jonë s’do mbledhim ullinjtë.
Gazetari – E keni certifikuar?!
Djali i Bollanos – Ça certifikate?
Gazetari – Certifikatë pronësie!
Djali i Bollanos – E kemi me 7501-shin.
Gazetari – Dhe kjo zonja e ka me 7501-shin!
Qytetarja – S’ke pse t’i japësh llogari gazetarit.
Djali i Bollanos – Ajo i ka të falsifikuar dokumentet.
Gazetari – I ka ajo të falsifikuara dhe i keni ju origjinalet?
Djali i Bollanos – Po ore.
Gazetari – Tani keni juve dokumente për këtë pronën këtu?
Djali i Bollanos – Zonja na ka çuar neve në prokurori.
Qytetarja – Cila është arsyeja që më filmon mua?
Gazetari – Në momentin që vjen këtu (te grupi i xhirimit) kemi të drejtë të filmojmë.
Qytetarja – Ja po vjen dhe do të shohim nëse unë jam te ajo kamera atje unë do ta marr do ta thyej. Do ta bëj copa-copa, more vesh?
Gazetari – Atë s’e thyen dot se është pronë e Top Channel!
Qytetarja – Ai s’ka pse më nxjerr mua në video po të them prapë. Nuk ka arsye të më nxjerri mua. Nxirr ullinjtë jo mua, në rregull.
Gazetari – Ne e kemi për detyrë të dokumentojmë çdo veprim që po bëjmë moj zonjë. E keni me certifikatë? Nëse ju keni certifikatë pronësie unë dal direkt!
Djali i Bollanos – Po ik se do bredhësh ti ore, ne i kemi.
Gazetari – (Sosja) na ka vënë në dispozicion dokumentet.
Djali i Bollanos – Ku i ka dokumentet ajo?
Gazetari – I ka me vete.
Djali i Bollanos – Ajo është 70 vjeçe dhe s’di ku ka pronën!
Gazetari – Ça lidhje ka 70 vjeçe dhe s’di pronën!
Djali i Bollanos – Nuk e di ku e ka.
Gazetari – A i ke dokumentet?
Djali i Bollanos – Si s’i kemi, i ka bashkia po të them.
Gazetari – I ka bashkia? Do të shkojmë edhe te bashkia.
Djali i Bollanos – Nuk është në rregull ajo, ajo kërkon qiqra në hell.
Gazetari – Tani ‘në rregull’ ti s’je ekspert mjeko-ligjor që ta vendosësh është ‘në rregull’ apo ‘s’është në rregull’.
Djali i Bollanos – Të jesh i sigurt jam në rregull.
Qytetarja – Po shkoni njëherë në bashki dhe pastaj hajde na filmoni.
Gazetari – Nuk na tregon se çfarë do të bëjmë ne!
Gruaja e Bollanos – Zoti Sokol se të dëgjova emrin. Ti s’je kompetent për të zgjidhur këtë pjesë.
Gazetari – Nuk jam absolutisht, s’po ndaj. Të dukem topograf unë?!
Gruaja e Bollanos – Pse prish këpucët nëpër grryza dhe asfaka.
Gazetari – Është puna ime! Nuk më tregon se çfarë do të bëj. Unë mund ti këpus, ti gris apo ti hedh. Apo mund ti bëj me baltë.
Gruaja e Bollanos – Në rregull, po që …
Gazetari – Kush jeni ju?
Gruaja e Bollanos – Unë jam e zonja e atij zotërisë që thotë ajo që vjedh tokën.
Gazetari – E zonja e kujt?
Gruaja e Bollanos – E Nikollaqit.
Gazetari – E Nikollaq Bollanos?
Gruaja e Bollanos – Po.
Gazetari – Dhe ju keni dokumente për këtë pronën?
Gruaja e Bollanos – Po.
Gazetari – Çfarë dokumentesh?
Gruaja e Bollanos – I ka bashkia, ikni te bashkia.
Gazetari – Ju s’keni personalisht vetë për këtë pronën këtu?
Gruaja e Bollanos – Pse ti mbaj në xhep?
Gazetari – Po bashkia mund ti grisi, ju keni!
Gruaja e Bollanos – Ji s’i gris bashkia, se është kaq e ndërgjegjshme saqë e ka ndihmuar zonjën disa herë.
Gazetari – Ju çfarë dokumentesh keni për këtë pronë?
Gruaja e Bollanos – 7501-shin, jemi 3 kushërinj.
Gazetari – E keni regjistruar në Kadastër?
Gruaja e Bollanos – Nuk e shes që ta …
Gazetari – Ndërkohë që edhe zonja ka dokumente me 7501-shin.