Në seancën e fundit gjyqësore që po zhvillohet për vrasjen e Liridona Ademajt, kanë dalë detaje të reja e tërësisht tronditëse, që lidhen me natën e ngjarjes.
Njëri nga të akuzuarit kryesorë, Kushtrim Kokalla, është para trupit gjykues duke prezantuar mbrojtjen e tij. Ai ka treguar se në natën kur u krye krimi, sipas kujtimeve të tij, Naim Murseli i kishte thënë fjalët “e kreva punën”. Kokalla tha se kjo deklaratë e kishte shqetësuar, por nuk kishte dashur të përzihej.
“Po më kujtohet që ma ka thënë këtë dhe i kam thënë mos më fol për këto gjëra mua, as nuk më ka interesuar”, është shprehur ai para gjykatës.
Gjithashtu, Kokalla u pyet nëse kishte patur kontakte me Granit Plavën pas ngjarjes së rëndë, apo nëse kishte biseduar apo qëndruar në të njëjtën dhomë me Naim Murselin. Ai pranoi se kishte komunikuar me Plavën, por shtoi se ky kontakt kishte qenë pa lidhje me ngjarjen.
“Sa kam qëndruar në dhomë, Graniti më ka shkruar dhe më ka pyetur a po vij në diskotekë në Prishtinë. Unë i kam thënë jo, sepse kam rast dhe nuk mund të vij. As nuk jam takuar me të më parë, as nuk kam biseduar për ndonjë çështje të tillë”, deklaroi Kokalla.
Gjykata po vazhdon shqyrtimin e dëshmive dhe komunikimeve mes të akuzuarve, ndërkohë që çdo detaj nga nata e vrasjes po analizohet me kujdes.
Dëshmia e tij ka krijuar debat mes palëve, duke nxjerrë në pah kontradiktat dhe interpretimet e ndryshme mbi kontaktet mes të akuzuarve gjatë natës së krimit.











