“Reagimi” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, gjatë të cilit u vu në pranga një person i dyshuar për një sërë vjedhjesh në makina dhe lokale.
Efektivët e komisariatit Nr.2, gjatë pasdites së kësaj të hëne bënë arrestimin e Xh. Ll., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
I riu u kap në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në dy makina të parkuara pranë një pallati.
Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar policinë. Falë reagimit të shpejtë të patrullës që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e tij.
Nga hetimet paraprake rezultoi se 25-vjeçari ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, i riu dyshohet është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jetë i përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë.
/a.r