Orizi është kaq i shumëllojshëm në varietete e receta, sa që bëhet gjithnjë pjesë e tryezës sonë. Megjithatë, arsyeja kryesore e përdorimit të shpeshtë të tij janë vlerat ushqimore dhe, ta pranojmë, fakti që nuk të shëndosh! Në markete e gjeni të bardhë, të zi, integral, thai, basmati….etj.
Në këto kohë që jetojmë, na duket vetja të gjithëve pak kuzhinier por ndodh kështu edhe për shkak të larmisë së produkteve që na ofron tregu! Por le t’i kthehemi qëllimit të shkrimit; përse duhet ta shpëlajmë orizin përpara se ta gatuajmë?
Qëllimi i këtij procesi është që të largojmë amidonin e tepërt nga orizi, njësoj si te patatja! Në këtë mënyrë, pas gatimit, orizi do të jetë më i butë dhe më i lehtë për t’u tretur. Nëse i shtoni procesit të gatimit edhe shpëlarjen, praktikë që nuk ju kushton asgjë, orizi i zier do të jetë më i përshtatshëm për sallatëra të ndryshme, të ftohta!
Dikur, nëse e kujtoni, mamatë apo gjyshet e lanin gjithmonë orizin për shkak të papastërtive por, edhe sot që e blini me ato paketimet e sofistikuara, mos kujtoni se një shpëlarje nuk duhet.










