• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Dyshimi për transferimin e prokurorit, Martini kundër Llallës: Nuk e dhashë pëlqimin

by Aalison Pearse Stevens
10/07/2016 09:32
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Aleksandra Bogdani/BIRN

Në dhjetor 2015, kreu i dyshuar i një organizate të trafikut të drogës u përgjua teksa mburrej në telefon se kishte luajtur fijet për transferimin e një prokurori të Krimeve të Rënda nga Tirana. Në bisedën e përgjuar, Jurgen Molla-një sipërmarrës ndërtimi që po hetohej për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të narkotrafikut pohonte se “transferimi i prokurorit i kishte kushtuar shtrenjtë”.

Biseda mes Mollës dhe nënës së një korrieri të arrestuar me emrin Arben Prendi u përgjua më 10 dhjetor 2015 dhe kishte në fokus ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini. Në bisedë, Molla deklaronte se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e Martinit nga Tirana në Shkodër.

Pohimi i Jurgen Mollës në bisedën e përgjuar nuk është provë dhe deklarata e tij mbetet e pavërtetuar. Megjithatë, ky përgjim hedh hije dyshimi për procedurën e transferimit të prokurorit dhe një ndikim të mundshëm të krimit të organizuar në këtë vendimarrje.

Jurgen Molla, pronar i kompanisë “Molla/L shpk” dhe ndërtues i disa komplekseve banimi në Shëngjin dhe Tiranë u arrestua më 7 korrik bashkë me gjashtë persona të tjerë si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës, me anëtarë në shumë shtete të Ballkanit.

Operacioni kundër kësaj organizate u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bullgari dhe Greqi dhe çoi në arrestimin e mbi 30 personave, pas një hetimi të gjerë të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me DEA-n amerikane.

Hetimet kundër kësaj organizate kriminale nisën në mars 2015, nën drejtimin e prokurorit Anton Martini. Në dhjetor 2015, Martini u transferua në Shkodër, ndërsa hetimi për organizatën e drejtuar nga Jurgen Molla u çua përpara nga prokurori Eugen Beçi.

Arben Prendi, nëna e të cilit shfaqet në përgjim u arrestua në qershor 2016 në doganën e Morinit në Kukës, ndërsa po transportonte me kamionin e tij 15.2 kilogramë heroinë. Për shkak të mbrojtjes së hetimeve kundër organizatës së drejtuar nga Molla, arrestimi i tij u reklamua si një aksion rutinë dhe çështja u hetua më vete, nga një prokurore tjetër e Krimeve të Rënda.

BIRN mësoi se vendimi për transferimin e prokurorit Anton Martini nga struktura elitë e Krimeve të Rënda drejt prokurorisë së Shkodrës u mor në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë së 10 dhjetorit 2015. Më 14 dhjetor 2015, transferimi i tij mori fuqi nga dekreti i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Transferimi erdhi pas një kërkese që Martini kishte dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme për të kandiduar për postin vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës. Përkundër kësaj ambicieje, vendimi i transferimit në një pozicion më të ulët i la atij shije të hidhur.

I kontaktuar nga BIRN, prokurori Anton Martini refuzoi të komentonte mbi përgjimin e Jurgen Mollës, ku ai pohonte pagesën 150 mijë euroshe për largimin e tij nga Krimet e Rënda.

“Bëhet fjalë për një dosje që nuk është më e imja dhe unë nuk mund të komentoj mbi këtë,” tha Martini gjatë një interviste telefonike.

Prokurori Martini e cilëson megjithatë të parregullt procedurën e transferimit të tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda drejt Prokurorisë së Shkodrës.

“Këshilli i Prokurorisë vendosi të më transferojë prokuror të thjeshtë, jashtë dëshirës sime,” tha ai.

Prokuroria e Përgjithshme refuzoi gjithashtu të bëjë komente mbi bisedën e përgjuar të Jurgen Mollës për transferimin e prokurorit Martini. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme mbrojti idenë se procedura e transferimit të Martinit ishte e ligjshme dhe i vuri BIRN në dispozicion kërkesën e kandidimit të Anton Martinit për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës.

Në kërkesë, Martini paraqet dëshirën e tij për të kandiduar në postin e shefit të Prokurorisë së Shkodrës dhe shton: “paraqes kërkesën time para Këshillit të Prokurorisë për të konkuruar për këtë pozicion drejtues, duke u transferuar pranë kësaj prokurorie”.

E pyetur nga BIRN nëse kishte nisur një hetim rreth përgjimit të Mollës në lidhje me transferimin e Martinit, Prokuroria nuk dha përgjigje.

Debati rreth transferimeve

Me një karrierë 18 vjeçare në Prokurori dhe prej 2004 te Krimet e Rënda, Anton Martini nuk ishte i vetmi i transferuar përmes një procedure të kontestuar në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë së 10 dhjetorit 2015. Gjashtë prokurorë të tjerë karriere, mes të cilëve edhe ish-shefi i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari u ulën në detyrë ose qarkulluan nga njëra prokurori në tjetrën.

Hajdari, i cili ka pasur një histori konfliktuale me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla gjatë dy viteve të fundit dha dorëheqjen nga detyra pas transferimit në Shkodër dhe denoncoi në një intervistë për Zërin e Amerikës “situatën alarmante në Prokurori të emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme”.

Transferimi i korpusit të prokurorëve rregullohet përmes ligjit për Prokurorinë dhe një rregulloreje të Prokurorit të Përgjithshëm “për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Prokurorisë”.

Në nenin 24 të ligjit për Prokurorinë thuhet se “transferimi i prokurorit nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tij, përveç kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të prokurorisë”. Në përputhje me këtë dispozitë, Këshilli i Prokurorisë voton për transferimin e gjyqtarëve dhe më pas, Prokurori i Përgjithshëm i propozon presidentit të Republikës dekretimin e transferimeve apo emërimeve.

Në një reagim të mëparshëm, Prokuroria e Përgjithshme i motivoi transferimet e 10 dhjetorit me argumentin se ishin bërë në kuadër të ristrukturimit të institucionit dhe sektorëve të ndryshëm të tij. Por Hajdari akuzoi drejtuesit më të lartë të Prokurorisë se po shkatërronin organin e akuzës me vendimet e tyre të paligjshme, ndërsa deklaroi se Këshilli i Prokurorisë ishte kthyer në një “vegël qorre” të Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurori Anton Martini i tha BIRN se pretendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për transferimin e tij nuk qëndron, pasi ai kishte kandiduar për drejtues i Prokurorisë së Shkodrës dhe nuk kishte dhënë pëlqimin për t’u transferuar si prokuror i thjeshtë.

“Kjo nuk është një procedurë korrekte, sepse unë nuk kisha bërë kërkesë për prokuror të thjeshtë,’ tha Martini për BIRN.

Ndryshe nga Hajdari, Anton Martini nuk e apeloi vendimin e Këshillit të Prokurorisë dhe iu bind atij duke shërbyer prej gjashtë muajsh në Prokurorinë e Shkodrës.

“Nuk bëra ankesë, pasi besova se mund ta korrigjojnë vendimin,” i tha ai BIRN.

Më 7 korrik 2016, Këshilli i Prokurorisë është mbledhur sërish dhe votoi pro kthimit të Martinit në pozicionin e tij të mëparshëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

“Është vendosur rikthimi im në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe tani mbetet në vullnetin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit të Republikës ta zbatojnë këtë propozim,” tha ai.

Krimi i organizuar dhe drejtësia

Korpusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri është vendosur në shenjestrën e opinionit publik dhe të faktorit ndërkombëtar për nivelin e lartë të korrupsionit, lidhjet e ngushta me politikën dhe dyshimet për favorizim të krimit të organizuar.

Prej 18 muajsh, klasa politike në Shqipëri po diskuton një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë në mënyrë radikale procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke synuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur dhe të presë fijet e padukshme që e lidhin atë me krimin e organizuar.

Reforma në drejtësi do të hidhet për votim në Parlament më 21 korrik, ndonëse palët politike nuk kanë rënë ende dakord për miratimin e saj.

Dyshimet rreth një ndikimi të mundshëm të krimit të organizuar në institucionet ligjzbatuese shqiptare nuk qarkullojnë për herë të parë në opinionin publik dhe mes institucioneve që monitojnë sistemin e drejtësisë.

Një studim i mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri, i botuar në vitin 2015 zbulonte se grupet e fuqishme kriminale investojnë shuma të mëdha parash në emërimin e drejtuesve të policisë apo institucioneve të tjera ligjzbatuese.

Fabian Zhilla, pedagog dhe autor i këtij studimi i tha BIRN se krimi i organizuar shqiptar hyn tanimë në kategorinë e organizatave kriminale më të sofistikuara në rajon, pasi mundëson përfshirjen në biznese të ligjshme, pjesmarrjen në trafikun ndërkombëtar dhe ndikimin në transferimin e prokurorëve më me peshë në sistem.

Duke u bazuar në raporte kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe në intervistat me prokurorë, ish-prokurorë dhe gjyqtarë, Zhilla ka bërë një analizë të evoluimit të krimit të organizuar shqiptar, duke filluar me pastrimin e parave në biznese të ligjshme.

“Nëpërmjet forcës së parave dhe influencës në terren, krimi i organizuar  ka arritur të ndikojë indirekt me njohjet politike ose direkt nëpërmjet korrupsionit në sistemin gjyqësor,” thotë ai.

Akuza për ndikimin e krimit të organizuar në vendimarrjen e prokurorisë ka hedhur edhe prokurori i dorëhequr, Shkëlqim Hajdari. Në intervistën për Zërin e Amerikës, Hajdari ngriti akuza të rënda për shkelje të ligjit, përdorim politik apo lidhje me krimin e organizuar.

“Disa elementë në institucionin e prokurorisë po kontrollohen nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni dhe përdoren nga politika,” tha ai.

Zhilla e komenton rastin e Jurgen Mollës si shembullin tipik që tregon përfshirjen e krimit të organizuar në korrupsionin e drejtësisë.

“Ky lloj aksesi i krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë, por dhe në legjislativ dhe ekzekutiv sjell një deformim të shtetit ligjor, duke e khyer këtë të fundit në funksion të krimit të organizuar dhe elitës së korruptuar që drejton vendin, dhe jo në shërbim të shoqërisë,” tha ai.

Prokurori Anton Martini i tha BIRN se është i prirur të mos i besojë artikujt në media se transferimi i tij ka lidhje me Jurgen Mollën.

“U takon kolegëve të mi të Krimeve të Rënda të hetojnë, të zbardhin të vërtetën dhe të dalin në konkluzione,” tha ai për BIRN. “Unë kam besim se do ta bëjnë me profesionalizëm”.

Next Post

Mustafa: Ahmeti ka shpenzuar shumë kohë e energji për punë që s’lidhen me prishtinasit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Parlamenti Europian mbështet Shqipërinë/ Integrimi në BE, 9 eurodeputetë javën e ardhshme në Tiranë

Parlamenti Europian mbështet Shqipërinë/ Integrimi në BE, 9 eurodeputetë javën e ardhshme në Tiranë

February 14, 2026
U qëllua në makinë pas një sherri në një klub nate, publikohet fotoja e 25-vjeçarit që u vra në Itali

U qëllua në makinë pas një sherri në një klub nate, publikohet fotoja e 25-vjeçarit që u vra në Itali

February 14, 2026
U aksidentua në Greqi, zbulohet emri i 16-vjeçarit shqiptar që ndërroi jetë (EMRI)

U aksidentua në Greqi, zbulohet emri i 16-vjeçarit shqiptar që ndërroi jetë (EMRI)

February 14, 2026
“Navalny u helmua me toksinë të rrallë bretkose”, akuza e Britanisë dhe aleatëve për Kremlinin

“Navalny u helmua me toksinë të rrallë bretkose”, akuza e Britanisë dhe aleatëve për Kremlinin

February 14, 2026
“Bavaria mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, Spiropali zbulon detaje nga takimi me kryeministrin bavarez

“Bavaria mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, Spiropali zbulon detaje nga takimi me kryeministrin bavarez

February 14, 2026
Zbulohet plani i Bannon me Epstein: Do rrëzojmë Papa Françeskun! Godasim dhe Clinton e Xi

Zbulohet plani i Bannon me Epstein: Do rrëzojmë Papa Françeskun! Godasim dhe Clinton e Xi

February 14, 2026
Hetimi për shqiptarin nga Saranda çon në gjobitjen me gjysmë milionë euro për Louis Vuitton

Hetimi për shqiptarin nga Saranda çon në gjobitjen me gjysmë milionë euro për Louis Vuitton

February 14, 2026
Mbledhja e Këshillit, Salianji zbulon arsyen pse nuk ka marrë pjesë! Ja si përgjigjet ai

Salianji i përgjigjet Berishës: Nuk kam nevojë të provoj lidhjen time me PD! Kontributi, beteja dhe sakrifica ime janë të njohura

February 14, 2026
SHBA ‘zbut’ tonet me Iranin: Gati të bisedojmë që nesër për programin bërthamor civil

Rubio konfirmon aleancën SHBA-Europë, por veç gjysma e të pranishmëve u ngritën në këmbë

February 14, 2026
Ushtria amerikane po përgatitet për operacione disajavore kundër Iranit

Ushtria amerikane po përgatitet për operacione disajavore kundër Iranit

February 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In