Të cilësuara si tabu dekada më parë, denoncimet për ngacmimet seksuale po bëhen më evidente në shoqërinë shqiptare e për pasojë po rritet numri i çështjeve të referuara në instancat e drejtësisë. Të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit tregojnë se nga viti në vit kemi një rritje të numrit të denoncimeve për ngacmime seksuale.
Në 5 vitet e fundit shihet një dyfishim i rasteve për ngacmim seksual. Vetëm vitin që lamë pas në Shqipëri janë regjistruar 89 raste, dyfish më shumë nga viti 2021.
Sipas avokatëve, në shumicën e rasteve ngacmimet seksuale janë lidhje të fshehta dhe burojnë nga rrjetet sociale.
“Rritja e tyre ka ardhur për shkak të rrjeteve sociale, të cilat kanë fituar një akses të jashtëzakonshëm, përfshirë dhe efektin që këto janë marrëdhënie të fshehta dhe ka edhe një lloj mungese ndërgjegjësimi për pasojat e rënda që dënohen nga shteti për këtë vepër”, pohoi avokati Ylli Kameri.
Tirana, Vlora dhe Korça janë tre qarqet me numrin më të lartë të krimeve seksuale, përfshirë edhe ngacmimet.
“Për shkak të natyrës që zhvillohen ngacmimet seksuale, denoncuesit kryesorë janë femrat”, tha Kameri.
Avokatët thonë se shumica e autorëve nuk kanë ndjenjë se çfarë rrezikojnë duke kryer një ngacmim seksual.
“Një autor i ngacmimit seksual rrezikon 7-15 vjet burgim në rrethana të cilësuara dhe jo më pak se 5 vite burg në rrethana të tjera”, shtoi avokati Kameri.
Sipas specialistëve në shumicën e rasteve zbulimi i autorit mbetet i vështirë kur ngacmimi ndodh në rrjetet sociale, për këtë arsye ata kërkojnë që edhe hetuesit privatë të kenë akses në seksionin e krimit kibernetik, aty ku ngacmimet seksuale janë më evidente.











