Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi i përkasin një gjenerate politikanësh të rinj, pa njolla nga e kaluara dhe, për aq sa dihet, pa mëkate nga koha sa kanë ushtruar pushtet politik. Që të dy kanë shkuar në shkollë të mesme në vitet ’90, kanë kaluar, si shumë të rinj të Kosovës, nëpër sistemin paralel arsimor, kanë gjetur veten me shumë angazhim, janë shkolluar në botën e jashtme dhe janë kthyer në Kosovë të japin kontribut për të mirën e vendit. Këtë e kanë bërë në politikë dhe në sektorin e shoqërisë civile, në parti politike, në qeverinë qendrore apo në nivel komunal.
Rrjedhimisht, të dy janë pritur mirë nga opinioni publik si modele të ndryshme nga politikanët e gjeneratës së vjetër, që merren ose me kurdisje tenderësh ose me shkarravitje statusesh në mediat virtuale. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Shpend Ahmeti ka qenë ndër deputetët më të votuar në Kosovë. Edhe suksesi i Arban Abrashit në zgjedhjet komunale ishte i pamohueshëm.
Duke pasur parasysh këtë sfond të tyre politik, të dy – sidomos gjatë fushatës për raundin e dytë dhe vendimtar për postin e kryetarit të Prishtinës – do të duhej të ishin shembull i prezantimit të një modeli të lakmueshëm të qeverisjes. Për fat të keq tri javë para balotazhit të dy kandidatët dhe bashkë me ta edhe militantët e tyre janë kurthuar në një debat të padobishëm me sulme e kundërsulme kryesisht në media sociale dhe digjitale. Si shkas ka shërbyer, siç po thuhet, refuzimi i Abrashit për të marrë pjesë në një debat me Ahmetin. Si arsyetim po përmendet një problem shëndetësor i Abrashit. Kjo u ka shërbyer përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje të nisin një fushatë kundër kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, duke e tallur e ofenduar me lloj-lloj pallavrash. Nga ana tjetër Ahmeti e ka parë të udhës t’i tregojë opinionit se gjatë fushatës elektorale paskësh qenë i sëmurë, por prapë s’qenkësh dorëzuar dhe nuk paskësh hequr dorë nga debatet me kundërkandidatët.
Kujt i duhet ky debat? Qytetarëve të Prishtinës jo. Ata kanë nevojë të dëgjojnë kandidatët duke folur për planet e tyre konkrete se çfarë e kanë ndërmend të bëjnë në katër vitet e ardhshme – pa marrë parasysh se cili prej tyre do të fitojë besimin e qytetarëve. Për të dy partitë fitorja në Prishtinë ka rëndësi të madhe. Lëvizjes Vetëvendosje qeverisja e Prishtinës edhe për një mandat i duhet për të dëshmuar se kjo parti është më e përshtatshmja për administrim jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë qendror. Për LDK-në humbja e Prishtinës para 4 vitesh ishte një goditje e rëndë dhe kthimin në postin e kryetarit të kryeqytetit kjo parti do të mund të prezantonte si paralajmërim se po vjen koha e asaj që po e quajnë «Lidhja». Është një betejë legjitime politike, por edhe në betejë ka disa rregulla, ku kryesorja është respekti për rivalin politik, të cilin nesër mund ta kesh partner në konstelacione të tjera të pushtetit.
A ka qeverisur mirë VV në katër vitet e fundit? Përgjigjen do ta japin qytetarët e Prishtinës. Ata janë sovrani. A kanë mundur të bëjnë më shumë VV dhe kryetari i kryeqytetit? Gjithsesi. A ka bërë gabime Shpend Ahmeti? Po. Përqendrimi i tepërt në formë dhe jo në përmbajtje është një nga dobësitë. Por, prapëseprapë bilanci i Ahmetit nuk është negativ. Përkundrazi: në mandatin e tij të parë ai ka arritur të heq pluhurin dhe mykun shumështresor të krijuar me vite të tëra nga qeverisja e LDK-së.
Për këtë trashëgimi nuk është fajtor Arban Abrashi. Atë e shpëton mosha. Nuk ka qenë pjesë e strukturave të Ismet Beqirit apo Isa Mustafës. Por, Abrashi nuk mund të sillet sikur LDK s’ka asnjë mëkat. Askush nuk e ka detyruar Mustafën që para katër vitesh të thotë se Prishtinën e fiton «me duar në xhepa». Gara e tanishme nuk i përket Isa Mustafës, por Arban Abrashit. Ta akuzosh Ahmetin se u bë kryetar i Prishtinës me votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera, siç bën LDK, e cila qe së paku një dekadë shërben si patericë e PDK-së në nivel qendror, tingëllon si hipokrizi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare LDK arriti të ruajë numrin e votuesve, në zgjedhjet komunale në nivel të Kosovës mori aq vota, saqë mund të konsiderohet partia e parë, edhe pse ky sukses është mashtrues, sepse në fund numërimi bëhet ndryshe: sa komuna i ke fituar dhe sa i ke humbur? Në zgjedhjet parlamentare, pa marrë parasysh kur mbahen ato, do të shihet fuqia reale e LDK-së. Në përgjithësi LDK është e besueshme vetëm atëherë kur është e pakompromis kundër partive të «krahut të luftës», të cilat LDK i ka akuzuar madje edhe për vrasje të aktivistëve të njohur të saj – dhe në shumë momente vendimtare prapë është bashkuar me to. Suksesi relativ i LDK-së në zgjedhjet lokale nuk është meritë e gjeneratës së harxhuar, por e politikanëve të rinj.
Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti duhet të tregojnë se janë të aftë të ofrojnë një model krejt ndryshe të politikës. Kjo bëhet duke u larguar pikësëpari nga moçali i pallavrave. I kanë tri javë përpara për të zhvilluar një fushatë që do të ishte leksion për ata politikanë që me keqqeverisjen e tyre i kanë neveritur qytetarët kudo në Kosovë – dhe sidomos në Prishtinë.