Petriti dhe Oki janë dy shokë të cilët përballen me një sprovë në situata të vështira gjatë luftës në Kosovë. Janë personazhet kryesore të filmit të shkurtër “Shok” nën regji të regjisorit anglez Jamie Donoughue.
Portretizohen nga Lum Veseli (Petriti) e Andi Bajgora (Oki). Dyshja e filmit “Shok” rrëmbeu çmimin për aktorin më të mirë në kategorinë e filmit të shkurtër në edicionin e katërt të “Evolution Mallorca International Film Festival”, i mbajtur në Palma de Mallorca të Spanjës, prej 10 deri më 15 të këtij muaji, shkruan “Koha Ditore”.
Rreth 600 filma konkurruan për t’u bërë pjesë e këtij festivali e prej tyre u përzgjodhën 11 filma të gjatë, 31 të shkurtër, 9 dokumentarë, 15 video muzikore, 3 filma arti eksperimental dhe 6 filma për fëmijë. Filma nga nëntëmbëdhjetë shtete të botës u bënë pjesë e këtij edicioni, i cili solli histori nga mbarë globi. Çmimin për filmin më të mirë artistik e mori “Barcelona Nit d’hivern” nga Spanja me regji të Dani de la Orden. Fituesit u publikun edhe ueb-faqen zyrtare të festivalit, i cili, siç përshkruhet, promovon krijimtarinë filmike inovative, provokuese dhe koherente me temat aktuale duke e bërë Palma de Mallorcan një destinacion botëror për komunitetin kreativ.
Vlerësimi që i është bërë filmit “Shok” në këtë festival çon në 11 numrin e çmimeve që ka marrë ky film deri më tani. Premierën botërore e pati në “Aspen Shortfest” në prill të këtij viti në Aspen të Colorados, një festival që mundëson kualifikimin e filmave fitues në garën për “Oscar”. Atje rrëmbeu tri çmime, “Best Drama”, çmimin special “Audience Recognition Aëard” dhe “Youth Jury Prize”, i cili ndahet nga nxënësit e shkollave të mesme. Bajgora (12) mori çmimin për aktorin edhe në “Tirana International Film Fest”, në tetor të këtij viti, ndërsa për moshatarin e tij, Veselin ky është çmimi i parë. Ai ka thënë se ky vlerësim i ka dhënë motiv që të vazhdojë të merret seriozisht me aktrim.









