Problemi i pronave nuk është një çështje që zgjidhet lehtë, por do duhet të marrë kohën e nevojshme. Kështu ka deklaruar kreu i Kadastrës Artan Lame në Report Tv. Ai u ndal në shifra konkrete duke thënë se deri më tani janë dhënë 250 mijë legalizime.
Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Lame tha se po përfundon regjistrimi i pronave në jugun e vendit. Sipas Lames, Durrësi është një vend problematik me çështjen e regjistrimit të pronave, krahasuar me Vlorën. Ai veçoi zonën e plazhit në Spitallë, Lalëz dhe Kepin e Rodonit. Kreu i Kadastrës tha se janë rreth 3 mijë familje që kanë zaptuar toka në Durrës dhe kjo sjell problematika me pronarët e mëparshëm, pasi janë rreth 30 mijë individë që vuajnë nga kjo shkelje e ligjit.
Lame theksoi se janë shumë individë që e shkelin ligjin, prandaj ndryshimi duhet të nisë që nga shoqëria, për t’u shtrirë më pas edhe tek punonjësit e Kadastrës. Por, ata punonjës që abuzojnë me detyrën, Lame tha se shkarkohen, duke shtuar se shifra e atyre që largohen nga puna është e paimagjinueshme.
“Për pronat do të flitet edhe pas 300 vjetësh, po të shkosh në një gjykatë në Itali, 3-cereku, janë për prona dhe është normale, është një çështje që i çon njerëzit në debate. Ajo që është e mërzitshme për njerëzit është e pafalshme tashmë, që pas ‘90, e padurueshme për administratën që duhet të zgjaste kanë shumë vënia në hulli e çështjeve të pronës. Kemi arritur 250 mijë legalizime.
Durrsakë të dashur janë 3000 e ca familje që kanë vjedhur, ato që e vuajnë janë nja 30 mijë, se në çdo pronë e vjedhur, janë 5-10 familje të tjera që kanë pronë aty, që u është futur sherri në familje, nuk janë 10 punonjës të Kadastrës, jemi shumë që shkelim ligjin, atëherë po nuk ndryshoi shoqëria, duhet të lëvizim. Vlora është qetësuar përgjegjësish. Po përfundon regjistrimi përfundimtar i pronave të jugut. Durrësi me probleme më të rënda se Vlora, se interesi ekonomik e niveli ekonomik është më i vonshëm, në Durrës ka nisur direkt me ardhjen e demokracisë ‘me kap naj gjo’(…)E paimagjinueshme shifra e atyre që pushohen nga puna dhe që largohen nga puna. (…) Zona e plazhit, e Spitallës, e Lalzit, e Rodonit, është rënduar edhe më tej dhe është bërë më e dukshme. Ka tre zona, e privatëve të vegjël, e dyta është kur vijnë të mëdhenj, dhe e treta kur vjen shteti që do të bëjë investime më të mëdha, siç ishte me portin”, tha Lame në Report Tv.
Lame u ndal edhe tek Kadastra e Durrësit, ku tha se zyrat e reja u zhvendosën nga qyteti i Durrësit në Rinas, për të shmangur edhe presionet që vijnë, pasi është një institucion me rëndësi të madhe. Me zhvendosjen e zyrës, ka nisur një kontroll në të gjitha dosjet e Kadastrës Durrës, ku Lame tha se është dalë në një raport me 600 faqe. Nga të gjitha dosjet e marra nga kjo nga kjo kadastër vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.
“Hoqëm zyrat nga Durrësi. Zyrat e kadastrës në Durrës ishin brenda një qendre tregtare private, mendoj që zyrat e pronave janë më të rëndësishme se Komisariatet. Tapitë e shtetit janë më të rëndësishme, e hoqëm dhe e sollëm në Rinas për ta shkëputur dhe nga presionet, bëmë inventarin”, u shpreh Lame.
Lidhur me pallatin 15-katësh në Krujë ku pronarët e apartamenteve nuk njihen nga ndërtuesi i pallatit, Lame tha se kjo çështje duhet zgjidhur nga Gjykata. Ai shpjegoi se 24 familje në Krujë kanë blerë apartamente në vitin 2010 kur ka nisur objekti, por më pas ky objekt u shit dhe pronari aktual nuk ua njeh kontratat, duke kryer shitjen e dyfishtë të apartamenteve. Lame theksoi se për këtë çështje është shkarkuar ish-drejtori i Kadastrës Krujë, Luan Minja ndërsa është anuluar edhe legalizimi i objektit.
“Pallatet e braktisura nga ndërtuesit, ndërtuesi që i mori, duhet të njihte dhe kontratat e bëra me ndërtuesin e parë dhe kam frikë se problematika është bërë me noter dhe tani ndërtuesi ri thotë nuk iu njoh. Kadastra i Krujës nuk i njohu kontratat, kur i mësuam, u shkarkua drejtori dhe u anulua legalizimi i bërë dhe ndërtuesi e ka çuar në gjyq, banorët janë në situatën që kanë te gjykata që s’kanë ndërtim, ndërtues që ua kanë hedhur, noteri që ua ka hedhur dhe e vetmja derë që kanë pasur të hapur ka qenë dera e Kadastrës, është pezulluar çdo veprim te pallati dhe ata duhet ta ndjekin gjyqësish për ta fituar për kontratat që kanë pasur me ndërtuesin e parë”, tha kreu i Kadastrës.