Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë nëpunësin e gjendjes civile të Manzës, i cili u ndalua nga policia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës përmes falsifikimit të akteve të gjendjes civile.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar dega e Partisë Demokratike në Durrës, e cila e ka cilësuar ndalimin e Gazmir Lukut, njëkohësisht drejtues i PD-së për Manzën, si një akt të pastër politik.
Sipas policisë, më 13 tetor të këtij viti, Luku, me detyrë nëpunës pranë gjendjes civile në Manëz, ka bërë ndryshimin në regjistrin elektronik të emrit dhe mbiemrit të shtetasit Dritan Nazeraj në kundërshtim me rregulloren që normon punën e gjendjes civile.
Por për demokratët, ndalimi i Lukut është një akt i pastër presioni politik, që vjen pas refuzimit të dorëheqjes që Luku i ka bërë kërkesës së kryebashkiakut të Durrësit dy javë më parë.
Gjatë konferencës për shtyp, kryetari i PD-së në Durrës, Osman Stafa deklaroi se së shpejti do të sjellë fakte të reja për vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit lokale.
/ Top Channel