Oferta e Berishës për grupimin e Alibeajt për të shkuar me një draft të përbashkët për reformën territoriale është e domosdoshme dhe e sinqertë.
Kështu u shpreh një nga ‘viktimat’ e Sali Berishës në sulmin qëky i fundit i bëri selisë së PD në 8 janar. Grida Duma i mëshoi bashkimit të PD-së për fitoren në zgjedhjet lokale të 2023-it dhe si një detyrim ndaj demokratëve. Duke e përjashtuar veten nga palët në parti, që prej 6 marsit, Duma thekson se ka shumë deputetë të tillë që kontributin e tyre e lidhin me votuesit.
“E shoh si logjikë e domosdoshme e një kohezioni të plotë që duhet të kemi në zgjedhje. Gjithë kampi opozitar duhet të përqendrojë forcat dhe kampi opozitar duhet të jetë i unifikuar. Do të bëj aq sa është në mundësinë time për të dhënë kontributin tim ndaj kësaj qasjeje. Të kthejmë detyrimin te njerëzit që presin fitoren në shumë bashki të vendit dhe që janë pararendje e zgjedhjeve të përgjithshme. Si unë ka shumë deputetë të tjerë që nuk e lidhin kontributin e tyre me palët por me votuesit e tyre. Ka deputetë që janë të lidhur me terrenin e kanë më të lehtë dhe ka deputetë që lidhjen me votuesit e kanë jetik. Për ne ku do të jemi do të jemi të unifikuar. Nuk kam arsye të mendoj pse nuk është i sinqertë, nëse do të ndërtohet ky draft ne kemi prodhuar një finale që është e përbashkët”.
Në lidhje me financimin e PD-së nga paratë ruse Duma preferoi ta kalonte pa shumë shpjegime me arsyetimin se kjo çështje duhet të diskutohet në grupin parlamentar demokrat me themel.
“Këtë diskutim nuk dua ta bëj me emra individësh, nuk ka asgjë për të thënë sot por në grupin parlamentar me themel mes njerëzve politikisht adultë. Është përmendur çështja e financimit me para ruse unë kam thënë që s’duhet të ketë dy standarde. Më tej do të flasim. S’duhet të ketë dy standarde duhet të shkojmë drejt transparencën. Po ka shumë çështje që unë nuk kam arsye t’i sjell”.
Me rezerva u shpreh edhe kur u pyet nëse ka kusht nga ndërkombëtarët për të mos bashkëpunuar me Berishën, pasi sipas saj çështja e momentit sipas saj nuk është kjo, por kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale.
“Kjo është një gjë që ata e thonë vazhdimisht. Bisedat nuk janë të fokusuara në PD, por janë qëndrimet tona, vala e kësaj trysnie. Nuk është qëndrimi aktual, nuk është kjo çështja e momentit, por kandidatë që do të dalin si kandidatë të opozitës. Uroj që të jetë një dhe një i vetëm këtë detyrim ia kam njerëzve. Nuk jam e pjesë e asnjë pale, por për të mundur kundërshtarin. Në 6 mars nuk kishte zgjedhje lokale ishte një diskutim brenda PD. Me gabime apo jo jemi ne përgjegjës që nuk duhet t’i themi të gjitha në publik. Unë nuk kam nxjerrë në publik çfarë ndodh në mbledhjet e brendshme të PD. Diskutimi brenda PD nuk është më çështje për ushqim hienash, por 6 marsi tregoi një realitet politik për të cilin unë kam thënë që mbaj përgjegjësi që jemi këtu pastaj historitë e tjera nuk kanë rëndësi”.
Duma mohon përçarjen në bazë dhe thotë se demokratët nuk duan ndasi. Duke kujtuar precedentin e 6 marsit ajo shpreson që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët.
“Unë nuk besoj që ka çarje të thellë në bazë. Qëkur jam ulur me njerëzit dhe kam diskutuar para dhe pas 6 marsit për të gjetur mënyrat për ta bërë PD-në fituese. Unë nuk e kam bërë. Nuk ka zhveshje të imazhit të PD, ka shumë demokratë që thonë ju duam bashkë. Kudo që të jenë deputetët e PD unë shoh që demokratët e strukturave të kontribuojnë. Njerëzit e partisë nuk duan çështje të ndasive. Jemi në një situatë që nuk meritohet dhe njerëzit nuk e pranojnë më. Cilido që të jetë kandidati shpresoj të jetë një. Dua shumë që kjo parti të forcohet, të fitojë terren të motivojë njerëzit e vet tu japë pesë politike njerëzve në terrene dhe pasi të ketë ngritur këtë shkallare që e humbi në 2017 e 2019”.
E pyetur se kë njeh në PD Berishën apo Alibejan, Duma nuk fsheh vlerësimet për të dy figurat dhe thotë se nuk mund ta përcaktojë ajo.
“Unë me Alibejan kam një marrëdhënie OK të respektuar. Kjo nuk do të thotë që nuk e njoh potencën e Berishës dhe nga ana tjetër ky është një ngërç, por kujt do t’i shërbejmë ne? Lider nuk të bën asnjë vendim gjykate dhe as kryetar partie nuk të bën asnjë statut partie. Nuk jam këtu për të vënë majën e hierarkisë për sa kohë është kthyer në horizontal, apo maja e piramidës është në rrotullim të vetëm dhe nuk e quaj veten të rëndësishme ta përcaktoj unë”.
/a.r