PBDNJ e Vangjel Dules ka hedhur akuza drejtuar qeverisë, e në veçanti Kryeministrit dhe deputetit Koço Kokëdhima, pasi sipas saj, në Himarë po tjetërsohet prona përmes shkatërrimit të bizneseve dhe objekteve.
Në njoftimin e PBDNJ-së, nismat që qeveria i cilëson si projekte zhvillimi, në fakt janë një genocid pronësor.
DEKLARATA E PLOTË
Këto ditë të javës së Madhe dhe të Shenjte të Pashkës Orthodhokse, por njëherësh edhe të pragçeljes së sezonit turistik, Dhermiu dhe Vunoi në veçanti dhe gjithë Bashkia e Himarës në përgjithësi janë venë “nën pushtimin” e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Diku me evokim selektiv të ligjit dhe diku të “maliqit”, vjelin haraçe, prishin objekte, tjetërsojnë prona. Kërcënojnë çdo familje individualisht dhe kultivojnë panik kolektiv.
Frymëzimet Kokedhima-Rama të mishëruara në “projekte zhvillimi” për bregun e Jonit synojnë tjetërsimin tërësor të statusit pronësor në dem të pronarëve të ligjshëm privatë, komunitarë dhe kishtarë.
Thirrja jonë i drejtohet së pari zotit Rama që të ndërpresë menjëherë këtë ndërmarrje që prek caqet e një “genocidi pronësor” dhe së dyti komunitetit ndërkombëtar që të kthejë vështrimin dhe të shikojë se si trajtohet komuniteti historik i Himarës nga qeveria e një vendi kandidat të BE.