Nga Shpëtim Nazarko/
Rrëmuja e krijuar së fundmi me deklaratën e presidentit që kundërshton dhënien e “Plotfuqishmërisë” për negociatat me Greqinë më kujton një ngjarje shumë kohë më parë, kur deti u bë problem vërtet, por nga një sens tjetër, që përcjell në thelbin e tij sa humor të zi aq edhe trishtim.
I gjendur në një panel analistësh, me Mustafa Nanon, Dashamir Shehin, Pandeli Majkon dhe Vasilika Hysin, panel që ishte organizuar nga BBC, duhej t’i përgjigjeshim një pyetjeje të përbashkët lidhur me vështirësitë në sektorin e energjsë dhe veçanërisht tranzicionin. Pyetja ishte drejtuar nga auditori, që ishte një grup studentësh të përzgjedhur.
“Po pse nuk bëheni bashkë Ju pozitë dhe opozitë, që të zgjidhni hallet e mëdha të vendit dhe të kalojmë sa më shpejt krizën e ujit, energjisë dhe tranzicionin? Kjo ishte pyetja e pafajshme e studentit.
Mbas përgjigjeve standarde më erdhi radha dhe mua, që u përgjigja afërsisht kështu:
Im atë, që është me dy klasë, thotë që po të çash Qafën e Thanës, ujët vete drejtpërdrejt në Durrës, pa stacione pompimi, për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit. Po kjo nuk është shumë e lehtë… Berisha (atëherë Kryeministër) tha që ishte me një zgjidhje elegante. Ai tha që edhe detin do ta shkripëzonte që t’i jepte Durrësit ujë.
Po problemin me detin e kishte me Fatos Nanon, që e donte këtë pjesë të tij për të prurë ca anije me gjeneratorë të fuqishëm e për të prodhuar energji dhe ujë njëkohësisht. Kështu që duhet të zgjidhim këtë problem së pari… Kujt t’ia japim së pari detin: Berishës apo Nanos?
Përpos këtyre të dyve, në betejë për detin është futur edhe ish-kryeministri tjetër, Majko, që kërkon atë për të bërë një tunel që kalon nga Syri i Kaltër deri në Itali. Dhe jo për t’i dhënë ujë Italisë së Jugut, që vuan për ujë, por thjesht për shëtitje.
Ndërkohë, ne vetë shumicën e ujit në atë kohë ia blinim grekëve në një zonë që ata e kishin të ndaluar për ta pirë njerëzit…
Mendimi im për ju, studentë të dashur, e që kërkoni të shpëtoni nga problemet, duke bashkuar pozitën dhe opozitën, është më i thjeshtë. Mblidhini në një thes pozitë dhe opozitë dhe hidhini në det dhe do të shpëtoni më shpejt nga sa mendoni.
Më duket se e kemi keq vërtet kur vjen puna për detin…
Që nga koha ku Pal Emili, konsulli romak që shkatërroi Ilirinë dhe bashkë me të edhe fuqinë detare të saj, me të vërtetë me detin na vijnë problemet si një mallkim.
Po të kthehemi në temë.
Meta sot provoi se jemi përsëri brenda mallkimit të madh. Ai nuk ka për ta dhënë “Plotfuqishmërinë” për marrëveshjet që kërkon të bëjë qeveria e Ramës.
A ka të drejtë ai dhe ku e tejkalon të drejtën. Pohimi në konferencën e shtypit të dhënë ndaj tij ishte i thjeshtë. Ai është garant i Kushtetutës. Ndërkaq, në Kushetutë shkruhet edhe kush e bën apo e ndërton politikën e jashtme të vendit. Dhe në këtë rast është Kryeministri ai që e realizon dhe jo Presidenti.
Pa hyrë në këtë histori kompetencash duhet të bëjmë drejtpërdrejt një vërejtje. Edhe sikur Presidenti të ketë 100 për qind të drejtë, ai nuk mund të nxjerrë me kaq lehtësi problemet e shtëpisë në pazar…Meta u kujdes ta theksojë këtë dobësi të strategjisë së tij disa herë kur jepte përgjigje, por problemi ngelet. Plaçkat e shtëpisë morën rrugët.
Ka njëqind instrumente të dukshme pak, ose aspak të dukshme, ku ai i bën të ditur palëve qëndrimin e tij. Në një farë marrëveshjeje të pashkruar, Presidenti, për shkak të rolit që i jepet edhe në politikën e jashtme, ka një afërsi në marrëdhënie me ministrin e Jashtëm. Jo se e cakton ai drejtpërdrejt, por mund edhe të pyetet për preferencat që ai ka.
Duke thënë këtë, shprehem përsëri në favor të argumentit se Presidenti ka mjete të tjera për të shprehur pakënaqësinë e tij në këtë rast.
Ministria e jashtme iu përgjigj me korrektesë aktit të Presidentit, shprehur jo vetëm në letrën që kishte marrë prej tij, por edhe konferencës për shtyp.
Ç’do të ndodhë…?
A do të biem prapë në historinë e detit që përmenda në fillim të artikullit?
Presidenti ka të drejtë kur shprehet për rëndësinë e problemit dhe për rolin e tij kushtetues. Po ashtu, për listën e njerëzve që duhet të përfshihen në proces. Po ashtu, edhe për specialistët që duhet të gjykojnë për ndarjen e zonave, etj. Megjithatë pyetja qëndron përsëri. A dalin dot çështje të tilla në pazar?
Vetë besoj se ato zhvillohen nën tavolinë, duke përfshirë këtu edhe thirrjen e ish-presidentëve apo të ekspertëve të huaj, apo vendës, që kanë vërtet certifikatën e teknicienit të njohur për këto punë.
Kryeministri grek, që ndryshe nga ne ka plotfuqinë për të negociuar pa u mbështetur diku tjetër, njoftoi për bisedimet të gjithë faktorin e interesuar në vendin e tij. Duhet shtuar këtu se garancia e tij vjen ndoshta edhe nga faktorë të tjerë. Greqia ka më shumë se një shekull e ca institutin e studimeve strategjike, i cili ruan dhe survejon edhe “Plaçkën apo Pajën e shtëpisë” apo gjëra të tjera që kanë të bëjnë me probleme kaq të rëndësishme si ky i tanishmi. Greqia nuk mbështetet në artikuj të tipit folklorik, ose thirrje të veçanta, apo në kor të inteligjencës, apo politikanëve të veçantë të vendit. Ne duhet ta bëjmë, edhe bile me urgjencë, këtë institut, që është i pavarur nga qeveria apo qeveritë që venë e vijnë. Ai duhet të jetë si qeni roje i vendit…
Si do t’ia bëjmë me detin dhe jo vetëm me të?
Në marrëveshjen që po përvijohet në horizont, janë jo vetëm deti, por edhe kufijtë tokësorë, manaxhimi i krizave, ligji i luftës, pasuria e shqiptarëve e ngrirë që në vitin 1940 dhe një sërë çështjesh të tjera të fundit për nga renditja, por jo nga rëndësia.
Kërkesat e Presidentit, megjithëse të drejtpërdrejta, kujdeseshin të ishin të karakterit teknik, pavarësisht se mbante nën kujdes të përmendte tërë kohën Kushtetutën.
Vetë besoj se Presidentit duhet t’i plotësohen kërkesat për stafin negociues apo elementët e tjerë nëse kjo është nën kompetencat e tij. Po edhe të mos ishte, moralisht do të duhej të plotësoheshin. Grupi i negociatorëve që mbart mbi supe çështje teknike duhet të jetë edhe në lartësinë e detyrës si teknicien, por edhe në aspektin moral. Vetë Presidenti, që ashtu edhe si gjithë politikanët e tjerë, nuk ka asnjë njohuri teknike në punët e detit, apo thjesht në mënyrën si ndahet ai, ka të drejtën të informohet mbi karakterin dhe CV-në e atyre që duhet ta bëjnë këtë punë.
A kemi një rol të sforcuar të Presidentit në këtë çështje?
Mundet. Secili ka të drejtë të ketë apo ushtrojë rolin e vet si protagonist në çështje të caktuara. Të gjitha lojërat janë normale nëse bëhen brenda kuadrit kushtetues. Jashtë këtij ato nuk vlejnë.
Nisur nga ky arsyetim mund të themi drejtpërdrejt se Presidenti ka të drejtë të informohet për këtë çështje delikate, për të mos thënë se nuk është vetëm një çështje, por disa të tilla. Ndërkaq, vazhdoj të mbaj mendimin se gjëra të tilla nuk duhet kurrsesi të dalin në publik në formë të drejtpërdrejtë, siç po duket këto ditët e fundit. Ato nuk tregojnë fuqinë, por dobësinë e Presidentit, që nuk duhet t’i qahet publikut, ashtu si nuk mund të qahet asnjëherë Plaku i shtëpisë për një hall që e ka zënë.
Një dobësi e tillë frymëzon segmente të shumta, që ashtu si në shakanë me detin që tregova në fillim të artikullit, zënë e thonë broçkulla të lemerishme, që kanë ditë e që po bllokojnë televizonet.
A do t’i zgjidhë me urtësi problemet Presidenti dhe Ministria e jashtme, por edhe opozita problemin e mësipërm pa iu bërë rrodhe publikut, por në institucionet që u ka besuar populli?
Bën mirë që t’i zgjdhë, se përndryshe meriton atë zgjidhjen që e theksova më sipër. Do futur e gjitha në një thes dhe do flakur në det, që të shpëtojmë njëherë e mirë prej tyre.(Konica.al)