Dukati në flakë, shkrumbohen qëllimisht 20 hektarë me pyje dhe kullota
Rreth 20 hektarë me kullota u përfshinë nga flakët në fshatin Dukat të Vlorës. Zjarri raportohet se ka rënë gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së martës, por u intensifikua paraditen e djeshme. Për shuarjen e flakëve është kërkuar ndihma e ushtrisë, të forcave të Pashalimanit dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të policisë.
Zjarri dyshohet se është i qëllimshëm i vendosur ndoshta nga barinjtë e zonës që kërkojnë ripërtëritjen e kullotave. Flakët u shuan pas 8 orësh përpjekjeje, duke shpëtuar stallat e fermerëve dhe 300 rrënjë ullinj që ndodheshin pranë vatrës. Policia tha se nisi menjëherë hetimet dhe po mbledh informacione rreth autorëve që kanë vendosur flakën në këtë zonë të pyllëzuar.









