Nga Jakin Marena
Sali Berisha vijon pambarimisht “foltoret” e tij në të gjithë vendin, duke “kryqëzuar” takimet sa në jug e në veri. Të dielën radhën e kishte takimi me të rinjtë në Tiranë.
Në dukje dukej një takim i improvizuar, për arësye se Lulzim Basha një ditë më parë kishte lëshuar një qarkore normale, si herën e fundit para 6 vitesh kur kërkoi hapjen e procesit dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të FRPD sipas parimit “një anëtar një votë”.
Por hapja e këtij procesi në këtë moment përplasjeje të fortë për lidershipin e PD mes Berishës dhe Bashës, si dhe pozicionimin qartë të liderit të të rinjve demokratë Belind Këlliçi përkrah “Foltores” së liderit historik, ka shërbyer për shpërthimin e konfliktit mes tyre.
Lidershipi i FRPD është vënë gati i gjithi përkrah Berishës, duke reaguar fort ndaj Bashës, me argumentin se po shkel statutin dhe po hyn në punët e brendshme të rinisë, që nuk është levë e partisë, por një forum rinor që ka strukturat dhe forumet e veta drejtuese, të cilat janë vetë në gjendje të marrin vendimet përkatëse, dhe në rastin konkret përtëritjen e tyre.
Berisha nxitoi ta quante metodë staliniste urdhërin e Bashës për hapjen e procedurës së zgjedhjes së kryetarit të FRPD, megjithëse vite më parë ndonëse ka qënë e njejta procedurë e ndjekur nga kreu i PD, Berisha kishte heshtur dhe e kishte quajtur statutore.
Po Basha ka hapur frontin e zgjedhjeve të reja dhe te Forumi i Grave Demokrate, duke sjellë ngritjen e një “vatre” konflikti në këtë forum, pasi kryetarja aktuale Albana Vokshi, e cila është emëruar në krye që në vitin 2011 nga ana e Berishës, është “rebeluar” ndaj Bashës aq sa bojkotoi një ditë më parë dhe mbledhjen e kryesisë së grupit të PD të thirrur me urgjencë nga Basha.
Deri më tani Lulzim Basha nuk është përfshirë në përballje direkte me Berishën, por ka gjetur një mënyrë për të qeverisur PD-në përmes kryesisë së grupit parlamentar, janë njerëzit e përzgjedhur prej tij, ndonëse një pjesë e deputetëve janë shprehur hapur se mbështesin Berishën. Por Basha ka goditur dhe duke lëshuar akuza indirekte dhe direkte ndaj liderit historik të PD, dhe duke kërkuar ripërtëritjen e organizatave të PD, FRPD e FGD, ku me sa duket ka “piketuar” zgjedhjen e drejtuesve të rinj, nga radhët e mbështetësve të tij.
Nuk është se po bën gabim, madje po bën shumë mirë, më mirë vonë se kurrë, për të pasur kontrollin e plotë mbi të gjithë “territorin” e PD, ndërkohë që Berisha pretendon se ka mbështetjen e shumicës absolute të PD dhe të strukturave drejtuese në bazë.
Basha ka vendosur të rezistojë nga qendra në Tiranë, përmes veprimeve teknike të kontrollit të PD, pa harruar të sulmojë direkt dhe liderin historik Berisha, të cilin e akuzoi se “po shërben si tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”. Deklaratë kjo që ka ngritur mjaft “sentimentin” e mbështetësve të ish kryeministrit, që akuzojnë Bashën se është një peng i kryeministrit socialist.
Nëpër këto “piketa” po lëviz “dueli” mes Berishës dhe Bashës, me shumë gjasa deri më 11 dhjetor kur ish kreu i PD ka deklaruar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD për të ndryshuar statutin e kësaj partie, për të futur fraksionet dhe referendumin në statut, si dhe bërjen e analizës së vendimeve të Bashës në krye të demokratëve, që mund të shndërrohet në një mocion mosbesimi deri në shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të PD.
Berisha është shprehur qartë se nuk dëshiron dorëheqjen e Bashës para se të mblidhet Kuvendi Kombëtar por kërkon ta shkarkojë, duke treguar se “tërbimi” ndaj “pjellës” së tij politike që e “mëkoi” për 16 vite me radhë është shumë i madh. Pavarësisht se është plotësisht i bindur që Lulzim Bashës nuk i kishte mbetur rrugë tjetër për të treguar se është ai lideri real i PD dhe për të pretenduar kthimin e opozitës në pushtet, përveç “atvrasjes” përmes përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.
Ndonëse ishte një masë gjysmake e ardhur nga presioni amerikan, pas shpalljes së Berishës “non grata”, e vërteta është se ky ishte një mesazh i qartë se rrugët mes Bashës dhe Berishës ishin ndarë njëherë e mirë. Pavarësisht se duhet të ishte lideri historik ai që duhej të kishte lëshuar rrugë dhe duhej që hallin e tij personal ta përballonte vetë, pa involvuar PD-në në përballjen e tij të radhës me SHBA, apo siç pretendon Berisha, me ata që i ngritën kurth e me të cilët do të ndajë zgjidhjen në gjykatën e Parisit ku ka paditur Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Eshtë një ndërmarrje e pamundur që të hedhesh në gjyq SHBA-në për të mbrojtur “dinjitetin”, apo siç ka dëshirë ta përgjithësojë Berisha, dinjitetin e PD dhe të gjithë shqiptarëve, dhe të ketë ndonjë shans për të fituar.
Madje vetë gjykata e Parisit ka bërë me dije se përkundër ekzaltimit të Berishës teksa deklaron se është marrë parasysh padia e tij në Paris dhe se pritet të fillojë gjykimi duke mbledhur provat, padia e Berishës nuk është hapur por vetëm është protokolluar kërkesa dhe mund të mos hapet asnjëherë. Me shumë gjasa kjo do të ndodhë dhe e Berisha e di mirë këtë, por i nevojitet një lojë e tillë politike me “hapjen e gjykimit” deri më 11 dhjetor kur të mbledhë delegatët e PD për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar. Duke paralajmëruar se “foltoret” do të vazhdojnë deri më 11 dhjetor, në të gjithë vendin për të thirrur bazën e partisë kundër Bashës dhe për t’i zënë atij vendin në rastin më oportun.
Për hir të së vërtetës Lulzim Basha s’ka dalë vetë në bazë për të treguar se është ai lideri i kësaj partie, ndërkohë që dhe deputetët dhe lidershipi i PD, me gjithë kërkesën e kreut të kësaj partie për të takuar demokratët dhe sqaruar për vendimin e përjashtimit të Berishës por dhe për negativitetin që sjell një Kuvend anti-amerikan i PD, nuk kanë lëvizur as “gishtin”. Ata janë mjaftuar duke zënë radhë nëpër studiot televizive e me deklarata spontane në dalje në Kuvendit apo selisë së PD, që janë shumë pak në krahasim me “prekjen” e bazës së partisë, aq sa argumentat e tyre në veshin e demokratëve që po hyjnë në mandatin e tretë në opozitë, tingëllojnë shumë utopike dhe tregojnë mungesën e besimit se me Bashën mund të mundet ndonjëherë Rama.
Lulzim Basha është shprehur herë pas here se nuk do të lejojë një Kuvend anti-amerikan, pasi aleanca me SHBA është jetike që PD të pretendojë për të ardhur në pushtet, duke paralajmëruar se dhe sikur Berisha të arrijë të marrë vendimin e shkarkimit të tij në Kuvend, nuk do t’i njihet kjo fitore. E cila pritet t’i nënshtrohet procedurave dhe teknikicialiteteve, deri në mohimin në gjykatë të ligjshmërisë së Kuvendit Kombëtar të mbledhur nga Berisha, me kërkesën e ¼ të delegatëve të Kuvendit të PD.
Ndoshta Basha dhe ia del që ta mbajë zyrtarisht dhe në mënyrë të ligjshme vulën e PD, por ajo që mbetet pas është se praktikisht kjo parti është e ndarë në dy pjesë. Dhe në një përballje të mundshme me Ramën, qoftë në zgjedhjet e pjesëshme për pushtetin vendor në disa bashki të vendit apo në ato të përgjithshme dy vite më vonë, rezultati mund të jetë më katastrofik se të gjitha garat e tjera elektorale në 8 vitet që PD është drejtuar prej tij.
Basha më shumë se sa të mbajjë shpresa tek mbajtja e postit të kryetarit të PD tek procedura dhe gjykata, ka shpëtuar përmes një praktike të tillë nga akuza për zhdukjen e 230 milionë eurove të Rrugës së Kombit njëherë, duhet që të dalë në bazë për të fituar dhe vetë partinë e për të mos lënë atë që të zvogëlohet. Vonë është, por më mirë vonë se kurrë. Në mënyrë të padiskutueshme nëse Basha do të dilte në bazë, hap pas hapi do të fitonte zemrat e demokratëve dhe do t’u kthente atyre besimin, të paktën për të zgjedhur mes dy të këqijave në PD, të keqen më të vogël, vetë Bashën. I cili ndryshe nga Berisha i refuzuar nga amerikanët dhe europianët, këtë element bazë për orientimin e PD drejt fitores, mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë e ka të siguruar me shumicë. Ndërkohë që rivali i tij Berisha ka zero mbështetje ndërkombëtare.
“Strukja” e Bashës në selinë e PD buzë Lanës, lëshimi i ndonjë “breshërie” akuzash kundër Berishës, tentativa për të marrë në dorë dhe drejtimin e FRPD e FGD, si dhe skenari për të mbajtur drejtimin e partisë dhe opozitës me procedurë na ngjan me atë anektodën e Nastradin Hoxhës,i shquar për batutat e tij, që herë pas here kishin aq shumë zarar se shqetësonin dhe sulltanatin e atëhershëm turk, i cili reagonte duke e dënuar.
Dhe meqë e dënuan me varje Nstradinin, për vetë mbështetjen që kishte në popull si njeri i humorit të dalë nga populli, i kërkuan që të linte vetëm një amanet, të cilin do t’ia plotësonin me çdo kusht. Dhe Nastradini i zgjuar tha: “Të më varni në pemën ku dëshiroj unë”. I dhanë fjalën për këtë, dhe Nastradini pas i “shëtiti” për tre ditë e tre net nëpër pyje, u kthye bashkë me ushtarët ekzekutues pa u ekzekutuar vendimi për varjes, pasi atij “nuk i kishte përlqyer asnjë pemë”. Kishte të drejtë, kujt i pëlqen të varet. Dhe duke qënë se ishte dhënë vendimi me këtë kusht, Nastradini jetoi siç dinte të jetonte, deri sa i Madhi e mori kur ishte në fund të jetës.
Kështu dhe Lulzim Basha, dhe drejtimin e PD e do, dhe në bazë s’kërkon të dalë, dhe Kuvendi nuk do që të zhvillohet pasi kërkon të evitojë përballjen me Berishën e mbështetësit e tij aty, por kërkon të mbajë postin e kryetarit me procedurë. Pra kërkon që gjithçka të zhvillohet siç i pëlqen atij. Pa u lodhur!
Me sa duket ende nuk e ka mësuar se Berisha është në hall të madh, për më tepër që i kërcënohet dhe familja nga përballja me drejtësinë në një të ardhme jo fort të largët, dhe është gati të bëjë gjithçka për të marrë postin e kryetarit të PD. Ndoshta dhe për pak kohë sa të kalojë kjo ‘valë’, për të qënë ai interlokutori kryesor i PD, ku me detyrim përcaktim nuk mund të shmanget komunikimi me të nga askush. Opozita dhe kryetari është, nuk mund të zgjidhet nga kundështari dhe me këtë luan Berisha, luan dhe me dobësinë e Bashës. Gjithsesi të presim. E sigurtë është se si me Bashën kryetar ashtu dhe me Berishën në krye, PD do të jetë shumë më e vogël përballë një mazhorance të drejtuar nga Edi Rama, e konsoliduar dhe e gatshme deri në detaje, për të treguar forcën në çdo përballje elektoreale.
Basha mund të ketë vulën e partisë, por nuk ka votues për të sjellë PD-në në pushtet dhe nga ana tjetër dhe Berisha si e mori si nuk e mori drejtimin e PD, me gjithë mbështetjen e demokratëve që pretendon se e ka, nuk vjen kurrë në pushtet, pasi jo vetëm se ky numër i përgjysmuar militantësh nuk shërben për fitoren e PD, por ai e ka të pamundur të depërtojë në zonën “gri” të elektoratit, atij të lëkundur dhe pa parti!
PS e ka treguar se nuk ka lëvizur nga votat e marra të paktën në dy palë zgjedhjet e fundit, duke treguar stabilitet dhe me shumë mundësi fitoreje në çdo garë elektorale që i afrohet. PD është në krizë të thellë dhe në prag të rrënimit. Duhet një operacion themeltar deri në rithemelim, jashtë kushteve “klinike” të Berishës dhe Bashës, që ta marrë veten. Ndryshe do të operojë në dy pole, me ndarje të fortë vote dhe me bojkote të forta votimi nga ana e demokratëve, që nuk kanë shpresë se mund të vijë fitorja e opozitës, kështu e përçarë përballë kundërshtarit politik. Demokratët ndoshta duhet të presin deri në daljen e një figure përbashkuese për të pretenduar dhënien fund të “agjërimit” në opozitë, një figure të distancuar nga Berisha dhe Basha themi!