Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë një sërë deklaratash të forta lidhur me konfliktin në Iran, duke theksuar se Tel Avivi ka një plan të organizuar për destabilizimin e regjimit iranian dhe për të mundësuar një ndryshim politik.
Në një mesazh në video, Netanyahu kujtoi një takim që kishte patur me Donald Trump në Florida, muaj para rizgjedhjes së tij, ku presidenti amerikan i kishte thënë: “Bibi, duhet të sigurohemi me çdo kusht që Irani të mos marrë armë bërthamore”.
Më pas, Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt Gardës Revolucionare të Iranit (Pasdaranëve), duke paralajmëruar: “Kush dorëzon armët do të falet, përndryshe do të godasim”. Ai shtoi se momenti i së vërtetës për popullin iranian po afrohet dhe se çlirimi nga tirania e regjimit varet nga vetë qytetarët.
“Popullit iranian i them: momenti i së vërtetës po afrohet. Çlirimi nga zgjedha e regjimit varet nga ju. Besoj se nëse paraqiteni në momentin e së vërtetës, nuk do të jetë larg dita kur Izraeli dhe Irani do të kthehen sërish të jenë miq të guximshëm.”, tha ai.
Mes të tjerash, kryeministri izraelit kritikoi ashpër liderët perëndimorë, duke i cilësuar “të dobët dhe të plogësht” përballë shtypjes së protestave në Iran. Ai gjithashtu i akuzoi Kombet e Bashkuara për hipokrizi dhe pasivitet.
“Shumë vende po na drejtohen neve për bashkëpunim, sepse shohin hipokrizinë e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk kanë bërë asgjë përballë masakrës në Iran, dhe shohin dobësinë dhe plogështinë e liderëve perëndimorë.”, janë fjalët e kryeministrit të Izraelit, i cili deklaroi se suksesi i vendit të tij në këtë luftë nuk do të sjellë vetëm eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe paqen mes Izraelit e Iranit, por edhe paqen në mbarë botën.
“Suksesi ynë në luftë do të çojë jo vetëm në eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe jo vetëm në paqe midis Izraelit dhe Iranit, por edhe në paqe në të gjithë botën. Ne vazhdojmë me të gjitha forcat tona. Në luftë fitohet me iniciativë dhe zgjuarsi, por edhe me vendosmëri”, tha Netanyahu.
Sipas tij, “ne po ndryshojmë fytyrën e Lindjes së Mesme”.
Kryeministri thotë se Izraeli ka përgatitur një plan me “shumë surpriza” për fazën e ardhshme të konfliktit, duke synuar “destabilizimin e regjimit iranian dhe për të bërë të mundur një ndryshim”. Netanyahu u shpreh se kushdo që braktis armët nuk do të pësojë dëm, ndërsa ata që refuzojnë do të mbajnë “gjakun mbi kokë”.
Ai tha se Izraeli ka hyrë në luftë për “t’i mundësuar popullit iranian të rimarrë në dorë fatin e vet në rajon: ne duam t’ju çlirojmë nga tirania, dhe kjo varet nga ju”.











