Legalizimi i drogës dhe pros titucionit mund të jetë një resurs i madh për ekonominë shqiptare”, kjo është deklarata e bujshme e kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, e cila jo vetëm që ka impresionuar opinionin publik, por edhe klasën politike dhe të intelektualëve shqiptarë. Teksa bën krahasimin me Gjermaninë, ku sipas Jakës, prostitutat edhe klientët paguajnë në shtet dhe hotelet e mëdha menaxhojnë biznesin e seksit, kjo mund të funksiononte edhe këtu. “Pse të mos zbatojmë edhe ne formulën e Holandës, Italisë, Greqisë për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike, apo siç e lejojnë ligjet evropiane? Pse të mos kalojmë edhe te ligjet e tjera, që është paketë, siç janë qasjet ligjore që liberalizojnë shërbimin e femrës, siç e ka Gjermania dhe Holanda? Janë gjëra normale, të jemi të ndershëm. Njëkohësisht të shprehim elemente sigurie për turistin, qytetarët për të parandaluar efektet dhe pasojat sociale që krijojnë vakumet që lë legjislacioni shqiptar”, deklaroi Jaka në një konferencë për mediat. Por, politikanët dhe shkrimtarët, ata që përfaqësojnë shtresën intelektuale të vendit, nuk janë tërësisht dakord me të. Të kontaktuar nga “GSH”, Saimir Tahiri, Flamur Noka, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Flutura Açka, Saimir Kumbaro, Preç Zogaj, Primo Shllaku e të tjerë japin qëndrimet e tyre.
SAIMIR TAHIRI: NUK DO TË FURNIZOJMË TREGUN KRIMINAL
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është shprehur kundër legalizimit të kanabisit dhe prostitucionit. Në deklaratën e tij për “GSH”, Tahiri është shprehur: “Kam qenë dhe jam kundër”, ndërsa ka sqaruar edhe njëherë se nuk do të lejojnë kultivimin e do shkulin çdo rrënjë kanabis në çdo cep të Shqipërisë. “Asnjë rrënjë në tokë dhe nën tokë nuk do lejohet të furnizojë tregun kriminal të drogës”, ka thënë ai.
FLAMUR NOKA: KUR ZGJIDHJA KËRKOHET TE KRIMI, SHTETI KA FALIMENTUAR
“Qëndrimin ynë është që biznesi i kanabisit është kriminal. Edhe sikur të legalizohet, nuk jemi në kushtet që Shqipëria mund të pranojë legalizimin e tij”, është shprehur Flamur Noka, ish-ministri i Brendshëm. Më tej ai e ka dënuar tezën e legalizimit të këtyre veprimtarive, teksa shprehet: “Kur një shtet kërkon zgjidhje dhe përpiqet të shpëtojë ekonominë nëpërmjet legalizimit të biznesit kriminal të drogës, do të thotë që ky shtet ka falimentuar. Sa i takon legalizimit të prostitucionit, Flamur Noka pohon se, “nuk më shqetëson edhe nëse legalizohet edhe nëse jo”.
TOM DOSHI: JAM MALËSOR, KARAKTERI NUK MË LEJON T’I APROVOJ
“Unë si malësor, si verior jam kundër”, shprehet Tom Doshi në lidhje me legalizimin e drogës dhe prostitucionit. Deputeti i majtë rrëfen se, “karakteri im nuk ma lejon t’i aprovojë”, teksa pohon se si një njeri që i jep vlerë familjes, nuk mundet asesi t’i pranojë.
DASHAMIR SHEHI: LEGALIZIMI DO TË ZHVATË MORALISHT SHOQËRINË
“Nuk jam dakord. Mund t’i shërbejë biznesin dhe të dalin disa para nga kjo punë, por është si një dorëzim i shtetit dhe shoqërisë, që ne nuk jemi në gjendje”, është shprehur Shehi. Sipas tij, legalizimi i këtyre dy veprimtarive nuk është zgjidhje, ndërsa pohon se nëse do të ishte diçka e mirë, do ta kishin bërë edhe vende të tjera. Politikani pranon se legalizimi i tyre e ndihmon ekonominë, por sipas tij duhet të shohim edhe anën tjetër të medaljes. “Sigurisht që e ndihmon ekonominë, por ato pak para që do të vijnë nga kjo punë do ta zhvatin moralisht të gjithë shoqërinë dhe rregullat e ligjet nuk do të kenë më vlerë”, është shprehur ai, teksa shprehet se është kundër legalizimit. “Ata që janë më të rinj se unë ndoshta e mendojnë ndryshe, por unë si njeri i një force konservatore jam kundër”, përfundon Dashamir Shehi.
NARD NDOKA: PROSTITUCIONI ËSHTË KUNDËR PARIMEVE TË MIA POLITIKE
Ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka rrëfen se legalizimi i drogës dhe prostitucionit janë kundër parimeve të tij politike. Sipas tij, “Nuk është zgjidhje droga për zhvillimin e ekonomisë, përkundrazi. Droga nuk ka lidhje me ekonominë, thjesht mund të disiplinojë trafikun në një farë mënyre”. Ndërsa sa i takon prostitucionit, deputeti i Partisë Demokristiane pohon se, “parimet që mbështes unë në politikë nuk e lejojnë një gjë të tillë”. “Ne mbështesim familjen, individin”, përfundon ai.
MESILA DODA: NUK U BESOVA VESHËVE, PROJEKTONI PLANE TË TJERA ZHVILLIMI
Deputetja e PDIU, Mesila Doda i ka cilësuar si marrëzi deklaratat e Nikolin Jakës. Ajo thotë se Shqipëria duhet ta projektojë zhvillimin e saj ekonomik mbi turizmin, energjinë, artizanatin, etj. “Shqipëria e mijëvjeçarit tjetër projekton zhvillimin e saj ekonomik me liberalizimin e drogës dhe prostitucionit. Nuk po u besoja veshëve kur dëgjova kryetarin e Dhomës së Tregtisë që na tregoi pikat e forta ku duhej të ndryshonte ekonomia jonë dhe pashë që thuajse askush nuk iu kundërvu makro-planbiznesit drogë-prostitucion. A ka ndonjë mundësi të projektohet rritja ekonomike duke ndihmuar turizmin, agroturizmin, bujqësinë, artizanatin, energjinë, të fuqizohet ekonomia duke e parë si një të tërë bashkë me Kosovën, të fuqizojmë lekun si monedhë kombëtare… A ka mundësi të mendojmë për një strategji të vërtetë fuqizimi”, ka thënë Doda.
LUÇIANO BOÇI: KJO BARKË SHPËTIMI KA PASOJA MORALE
“Ekonomia duhet të gjejë resurse të tjera për t’u zhvilluar. Mundësitë ekzistojnë”, shprehet Luçiano Boçi. Sipas deputetit të opozitës, “nuk mund të përdorë si barkë shpëtimi legalizimin e dy aktiviteteve që konsiderohen kriminale, ose pothuajsekriminale”. “Janë propozime të papranueshme për pasojat morale dhe sociale që mund të sjellin për vendin”, shprehet deputeti i PD-së.
SAIMIR KUMBARO: JAKA DEFIÇENT, PAS 100 VITESH LEGALIZIMI
Saimir Kumbaro është një nga figurat më të shquara të artist shqiptar, por edhe ai, si shumë kolegë refuzon të mbështesë deklaratat e Nikolin Jakës. “Shefi i Dhomës së Tregtisë duhet të jetë pak defiçent sepse në një vend me shumë probleme, sidomos në nivel kulturor, sepse ne klasifikohemi si popull i prapambetur, të legalizosh drogën dhe prostitucionin është pak e parakohshme. Nuk është brenda mentalitetit tonë aktualisht. Ndoshta pas 100 vjetësh po”, shprehet Kumbaro për “GSH”.
FLUTURA AÇKA: LEGALIZIMI THJESHTON LIDHJEN ME KRIMIN DHE TRAFIKUN
“Nëse do të ishte një diskutim që ngrihet nga principe të larta, do ta kisha pranuar. Por e thënë kështu, pa asnjë argumentim, ose thjesht po tërheq vëmendjen publike nga probleme shumë më të mprehta që ka vendi, ose thjesht është një mënyrë për të justifikuar dhe ligjëruar biznese që tashmë janë ngritur”, tregon Flutura Açka. Shkrimtarja e njohur e argumenton qëndrimin e saj duke u shprehur se, “në një Shqipëri si e jona ku asgjë nuk kontrollohet dhe kur dukshëm jemi kthyer në një vend qesharak dhe i përmbytur nga marijuhana, si mund të vihet nën kontroll? Siç duket, ia panë këtë vit shijen e fitimit të marijuhanës, që kërkojnë ta legalizojnë. Unë jetoj në Holandë, në një vend ku që të dyja janë të lejuara, por sigurisht ka një kontroll të atillë dhe dënime të atilla, që nuk do të guxoje ta çoje në mend të abuzoje. Dhe në të vërtetë, trafikun e hashashit dhe të prostitucionit në Holandë e drejtojnë shqiptarët, kështu që nuk më duket fare habi që një shqiptar të kërkojë nga shteti i tij t’i legalizojë të dyja; shkurt do ta bëjë më shpejt lidhjen me krimin dhe trafikun dhe madje edhe ligjërisht”, tregon ajo. Sipas z. Açka, “për fat të keq, për të tjerat ne e kemi treguar se shumë, shumë pak herë marrim iniciativa për principe të larta”.
NATASHA LAKO: ALARMOHUNI ME KËTË NIVEL TË FRIKSHËM KOMUNIKIMI
Natasha Lako është ndër të parat intelektuale të alarmuara nga deklarata e shefit të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka. “Alarm për të gjithë. Sapo kam lexuar një shaka, apo një tmerr të një platforme të shpallur nga përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë të Tiranës, e cila legalizimit të plehrave dhe të kanabisit i shton edhe atë të prostitucionit. Kjo tregon se në këtë gjendje që jemi, duhet të shkojmë drejt fundit”, rrëfen Lako. Në statusin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Natasha Lako vazhdon reagimin duke thënë se, “nuk po u besoj as veshëve, as syve, sepse shqiptarët trajtohen si specie më vete. Jo, njëmijë herë, jo shakaxhinjve të sotëm të përparimit, që edhe stilin e shprehjes dhe jo me analizat i kanë më banalet që mund të ekzistojnë. Nuk mund të ekzistojë nivel më i frikshëm komunikimi. Edhe njëherë nuk më besohet”.
PREÇ ZOGAJ: PO INKURAJOJNË NARKOTRAFIKANTËT
Sipas shkrimtarit dhe politikanit Preç Zogaj, debati për legalizim është inkurajues i trafikantëve të drogës. “Të flasësh për legalizim të prodhimit kur tregu është ilegal është retorikë pa sens që inkurajon narkotrafikantët. Çështja e legalizimit duhet të jetë një vendim i përbashkët i vendeve të Bashkimit Europian. Nuk mund të marrë Shqipëria një vendim të njëanshëm, sepse legalizimi i prodhimit duhet të vijë paralelisht me legalizimin e tregut, përndryshe ky diskutim është në hava, por që sjell dëme. Të shtrosh këtë lloj debati në këtë mënyrë është i dëmshëm, sepse inkurajon kultivimin e kanabisit në Shqipëri”, është shprehur ai. Sa i takon prostitucionit, sipas Zogajt, “Shqipëria është një vend i vogël me historinë e tij, që nuk e favorizon legalizimin. Lidhet me natyrën e vendit, sepse edhe Italia nuk e ka të legalizuar, por jo sepse italianët janë më pak liberalë se holandezët, por është natyra e vendit, prania e Kishës. Ndryshe nga Ballkani, vendet e ulëta janë më kozmopolite dhe multikulturore. Ne kemi njohje dhe lidhje të shumëfishta me njëritjetrin”.
VIRION GRACI: JAM PRO, E VETMJA FRUTIKULTURË E SHQIPËRISË ËSHTË KANABISI
Shkrimtari Virion Graci është ndër të paktët personalitete që shprehen pro legalizimit të kanabisit dhe prostitucionit gjithashtu. Autori i një sërë librave thotë për “GSH”: “Në kushtet kur anembanë vendit tonë e vetmja frutikulturë dhe veprimtari bujqësore që ka rrëmbyer krahët e punës dhe investimet e qindra fshatarëve e tutorëve të tyre nga qyteti e segmente të veçanta të shtetit, mendoj se duhet të legalizohet hashashi. Mbjellja e legalizuar ul e eliminon çdo lloj përfitimi e kriminalizimi, jo vetëm të bujqëve, por dhe nëpunësve të shtetit, policët rrugorë, prokurorë e gjykatës, të cilët shpesh bëjnë ndalime personash sa për statistika mediatike e me pasojë mbushjen e xhepave të tyre në këmbim me dënime të buta”. “Mbjellja e kultivimi i grupuar e me rregullat e duhura do ta bëjë konkurrues çmimin e investimin dhe çdo i paligjshëm nuk do të kishte më motiv të vazhdonte të ishte i tillë me kosto të ulur”, është shprehur më tej Graci. Të njëjtin mendim shkrimtari ka edhe për prostitucionin. Sipas tij, “prostitucioni është një realitet masiv. Nga prostitucioni i fshehtë vuajnë më shumë femrat nën kërcënimin e tutorëve mizorë. Mjaft femra mbajnë etiketa të rreme profesionale për të afërmit e familjarët e tyre, kur në fakt mbijetojnë duke shitur trupin, pra le t’i japim fund kësaj hipokrizie masive në të cilën çdo dyshim a nxjerrje sekreti për identitetin dhe punën e vërtetë kushton shpesh me jetën e një ‘tradhtari’ dekonspirues. Natyrisht nuk mund t’i përshëndes këto plagë të rënda sociale. Por, jam për legalizimin e tyre si e vetmja mundësi reale për ta zvogëluar rrezen e ndotjes së mëtejshme morale, etike e shëndetësore.
PRIMO SHLLAKU: PUNONI TOKAT, PROSTITUCIONI DUHET RRITUR QË TË SJELLË FITIME
Për shkrimtarin Primo Shllaku, shteti nuk është në gjendje të monitorojë një veprimtari të tillë, ashtu siç nuk ishte shteti i para ’90-ës të ruante misrin dhe qumështin nga vjedhja. “Legalizimi i prostitucionit tek ne është një problem i pastudiuar mirë në të gjitha aspektet e tij. Sot shihet si përparësi ana ekonomike dhe rentabiliteti i tij, meqë ai ekzistoka në fakt. Ai ekziston, por është i fshehtë dhe po të dalë ‘përfushë’ mendoj se ka shumë pasoja të rënda për shoqërinë dhe për moralin tradicionalist shqiptar. Shteti ka shumë resurse të pashfrytëzuara si për shembull tokat e lëna djerr e të papunuara në të katërta anët e Shqipërisë. Toka është burim gjigant i mirëqenies. Prostitucioni duhet rritur që të bëhet i ndjeshëm në të ardhura. Pra, ne na u dashka të rrisim prostitucionin për të arritur ato rezultate ekonomike që do të sillte punimi i inventarit të tokës”, ka thënë Shllaku. Sipas shkrimtarit të njohur: “Me këtë keqqenie që ka shoqëria shqiptare, mbjellja dhe legalizimi i drogës, përkatësisht hashashit, sjell një konfuzion të madh. A do të ishte shteti në gjendje ta ruajë? Shteti socialist i para ’90-ës nuk ka qenë në gjendje ta ruajë të gjithë misrin, të gjithë qumështin, të gjithë prodhimin se vidhej. Po hashashin e ruan dot? Jo. Do të kemi korrupsion të madh dhe deri foshnjat do të pinë hashash, se do ta gjejnë të lirë fare”, përfundon ai.
BW/d.i.