• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, February 28, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Dritëro Agolli\ Oratoria e mendimit dhe kushtetuta morale e politikës shqiptare

by S T
07/11/2025 12:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

DRITËRO AGOLLI – ORATORIA E MENDIMIT DHE KUSHTETUTA MORALE E POLITIKËS SHQIPTARE

Nga ILIR ÇUMANI

“10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000” – një refleksion për librin e ri të Dritëro Agollit, i cili vjen si një manifest për etikën, kulturën dhe qytetarinë politike.

Sapo më ra në dorë libri “10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000”, që është një nga botimet e rralla të kësaj fushe, me autor njërin prej personaliteteve më të dashur dhe më qëndror të letrave shqipe dhe kulturës sonë kombëtare, Dritëro Agolli.

Këtë libër ma dhuroi e bija e autorit, njëkohësisht mikesha ime e çmuar dhe e familjes, Elona.

Pas ikjes së të atit në amëshim, gjithmonë e më shumë ajo është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset për gjithçka ka shkruar e ka lënë pas kjo mendje e iluminuar e kombit tonë, që ato të shohin dritën e botimit, që asgjë të mos ngelet nëpër sirtarët e errët të harresës, në rrjedhën e kohës që ikën pa u vënë re.

Botimi i këtij libri është një nismë e përbashkët dhe e lavdërueshme e Kuvendit të Shqipërisë, ku është arritur të përmblidhet në një volum mjaft domethënës e gjithë veprimtaria parlamentare e Dritëroit në vitet 1990–2000, përfshirë edhe publicistikën e tij, si analiza, intervista, epigrame dhe poezi të shkruara një pjesë prej tyre edhe në tryezën e deputetit, të gjitha këto në funksion të angazhimit të tij në politikë.

Në vetvete, ky botim ka një peshë dhe vlerë të jashtëzakonshme nga të gjitha botimet e tjera që kanë paraardhur në këtë fushë dhe mund të konsiderohet mirëfilli pa asnjë ekuivok si një letërsi politike, falë mjeshtërisë së rrallë oratorike të Agollit.

Çdo fjalë dhe mesazh që ai ka përcjellë në publik përmes këtyre fjalimeve, intervistave, epigrameve e poezive, merr një peshë të rëndësishme si dëshmi historike e kohës dhe të bën të mendosh gjatë, duke reflektuar njëherazi për të gjithë dinamikën e ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, transformimeve ekonomike e sociale kur ato kanë ndodhur.

Në fakt, ka libra që nuk vijnë vetëm për të kujtuar një emër të madh, por për të na rikthyer në themel të vetëdijes sonë kombëtare e morale.

Një i tillë është edhe ky botim, që përmbledh dekadën më të ndritshme të fjalës publike të një prej personaliteteve më të urta e poliedrike, më filozofike e më përfaqësuese të kulturës tonë kombëtare.

Ky libër është më shumë se një përmbledhje oratorie — është një kushtetutë morale e sjelljes politike, një kod etik i mendimit dhe komunikimit publik, një manual që duhet të lexohet nga çdo parlamentar, funksionar i çdo niveli shtetëror, por edhe nga çdo qytetar që beson në forcën e fjalës së drejtë dhe të arsyes njerëzore.

Dritëro Agolli i dha politikës shqiptare një dimension që ajo nuk e kishte njohur më parë: moralin e arsyes dhe arsyen e dashurisë për njeriun.

Në çdo fjalim, debat apo reflektim, ai bëri të kuptohej se pushteti është për t’u shërbyer njerëzve, jo për t’u ngjitur mbi ta.

Fjalët e tij, edhe në momentet më të nxehta të debatit parlamentar, ruanin qetësinë e urtakut dhe dritën e filozofit. Ai fliste me kulturë, respekt, maturi dhe dashuri për vendin, duke treguar se politika nuk ka pse të jetë arenë luftënxitëse e urrejtjes dhe ndasive, por mund të jetë hapësirë bashkëjetese, një auditor i gjerë i mendimit dhe mirëkuptimit.

Në ligjërimin e Dritëroit, parlamenti nuk është thjesht një sallë debati, por tempulli i qytetarisë, ku fjala është e shenjtë dhe duhet të shërbejë për të ndërtuar urën mes politikës dhe popullit. Ai e konsideronte fjalën si përgjegjësi morale, jo si armë për të mundur kundërshtarin.

Në këtë kuptim, Agolli mbetet një model i rrallë i përfaqësimit politik shqiptar, që përmes kulturës, humorit të hollë dhe humanizmit të tij krijoi një formë të re të komunikimit parlamentar — komunikimin që e ngre nivelin e shoqërisë dhe e nderon njeriun.

Në një kohë kur gjuha e urrejtjes dhe e mllefit po zë gjithnjë e më shumë vend në hapësirën publike, fjalimet, intervistat dhe shkrimet e Dritëro Agollit janë një udhërrëfyes për shpëtimin moral të politikës shqiptare.

Ai është shembulli më i gjallë se si kultura mund të humanizojë pushtetin, se si letërsia mund të bëhet busull e mendimit politik dhe se si urtësia mund të zëvendësojë agresivitetin.

Ky libër duhet të lexohet si një kushtetutë e dytë, jo për rregulla dhe ligjet që miratohen, por për shpirtin e rregullit — për të na rikujtuar se një vend demokratik nuk mbahet vetëm nga ligjet, por edhe nga morali i atyre që i bëjnë dhe i zbatojnë ato.

Në një Shqipëri që aspiron të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, modeli i Dritëro Agollit duhet të jetë busulla e re orientuese e politikës shqiptare. Ai na kujton se rruga drejt Evropës nuk është thjesht dhe vetëm një proces i gjatë e i vështirë negociatash e dokumentesh, me hapje kapitujsh e grupkapitujsh për t’u anëtarësuar në BE, por një rrugëtim normal kulture, qytetarie dhe sjelljeje që na mëson si të meritojmë plotësisht statusin e qytetarit evropian.

Në fjalimet e tij, Agolli fliste shpesh për njeriun e thjeshtë — për hallet, brengat dhe shqetësimet e tij të përditshme, për ekonominë e brishtë e të çaluar nga krizat politike të ricikluara, shpeshherë të panevojshme, por gjithmonë me kosto të lartë për vendin dhe shoqërinë.

Ai e ngriti zërin për pasigurinë që rëndonte mbi jetën e qytetarëve, për mungesën e ekuilibrit shoqëror, për padrejtësitë e vogla e të mëdha që rëndonin mbi njeriun e zakonshëm.

Në çdo fjalim të tij ndihej nevoja e ngutshme për një paqe të qëndrueshme sociale, për një frymë bashkëjetese që t’i rikthente shoqërisë besimin, mirëkuptimin dhe shpresën — një paqe aq e domosdoshme e aq e dëshiruar nga të gjithë.

Në qendër të fjalës së tij qëndronte gjithmonë njeriu i punës: fshatari dhe bujku që lufton me tokën, punëtori dhe minatori që përballet me vështirësitë e jetesës, studenti që endet mes ëndrrave dhe pasigurive, qytetari i zakonshëm që shpreson në një të ardhme më të mirë, më të drejtë e më të sigurt.

Agolli e dinte më mirë se kushdo se politika e humbet kuptimin dhe qëllimin e vet kur harron njeriun, kur pushteti shndërrohet në qëllim më vete dhe jo në mjet për të përmirësuar jetën tonë të përbashkët.

Ai besonte se demokracia e vërtetë nuk fillon me premtime, por aty ku pushteti përkulet me respekt për jetën, dinjitetin dhe dinamikën shpirtërore të çdo qytetari.

Në këtë kuptim, Dritëroi është më shumë se një shkrimtar apo deputet; ai është një shkollë e mendimit politik dhe moral, që duhet të studiohet në çdo auditor dhe të lexohet në çdo tavolinë qeveritare e parlamentare.

Kultura e tij ishte e rrënjosur në filozofinë e dashurisë, në besimin se njeriu i ndershëm është themeli i çdo institucioni. Ai besonte se pa kulturë, politika është veç retorikë, dhe se pa ndershmëri, ajo është një gënjeshtër kolektive.

Prandaj, fjala e tij duhet të rezonojë në të gjitha kapilarët e kohezionit social — nga Kuvendi te familja, nga shkolla te media, si model sjelljeje dhe frymë për një shoqëri demokratike që kërkon të përparojë me dinjitet.

Në dekadën e tij parlamentare, Dritëro Agolli solli një risi të madhe në historinë e parlamentarizmit shqiptar: rikthimin e kulturës dhe të filozofisë në politikë. Ai nuk e ngriti zërin për të dominuar, por për të shpjeguar; nuk përdori fjalën për të ndarë, por për të ndërtuar ura; nuk kërkoi të triumfonte mbi kundërshtarin, por mbi injorancën, mllefin dhe ligësinë që shpesh e deformojnë dhe e shëmtojnë debatin politik.

Në kohën e tranzicionit, kur shumëkush humbi besimin te fjala dhe politika, Dritëroi mbeti besimtari më fanatik dhe gardiani vetmitar në forcën e fjalës morale. Ai na la një trashëgimi të çmuar, jo thjesht në publicistikë, vargje, tregime apo romane, por edhe në modelin e politikanit që di të mendojë, të dëgjojë dhe të respektojë cilindo.

Ai ishte dhe mbetet filozofi i arsyes dhe urtaku i moralit publik, që i mësoi politikës shqiptare se etika nuk është luks, por nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare.

Libri i ri i Agollit, përpara se të lexohet si letërsi politike, duhet të shihet si një manual për parlamentarët e së sotmes dhe të së ardhmes, një pasqyrë e identitetit moral që duhet të ketë një përfaqësues dinjitoz i popullit.

Nëpërmjet tij, çdo deputet mund të kuptojë se politika nuk është privilegj, por përgjegjësi; se fjala publike nuk është armë, por shërbim; se të përfaqësosh popullin do të thotë të jetosh me ndërgjegje, me kulturë dhe me dashuri për njeriun.

Dritëroi mbetet zëri i arsyes në historinë e tranzicionit shqiptar, njeriu që e shndërroi Kuvendin në shkollë të qytetarisë dhe fjalën në akt moral. Ai është dëshmia e gjallë se kultura dhe politika nuk janë botë të ndara, por dy rrugë që takohen në pikën më të lartë të njeriut — në ndërgjegjen e tij.

Prandaj, ky libër nuk është vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u ndjerë, për t’u përvetësuar dhe për t’u kthyer në udhërrëfyes i një klase politike moderne që mendon me zemër dhe flet me mendje.

I njohur gjatë jetës si “Patriarku” i të majtës, Agolli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në reformimin e forcës së tij politike, duke e nxjerrë nga hijet e një të shkuare të dhimbshme të epokës komuniste, dhe e njëjta aureolë që e shoqëroi brenda të majtës e ndriçoi edhe përtej saj, duke i shërbyer kombit si një monument i heshtur i moralit publik, si njeriu që i dha fjalës dinjitet dhe politikës shpirt.

Nëse Shqipëria do të ecë me dinjitet drejt Evropës, duhet të marrë me vete amanetin e urtakut të saj të madh: të ndjejë gjithmonë vetveten të varur në pemën e moralit, siç thotë poeti francez Pol Elyar.

Aty ku fjala mban peshën si udhërrëfyese drejt përparimit dhe emancipimit shoqëror, ku njeriu të jetë në fokus, duke mbetur themeli i çdo shteti të drejtë, që e mat zhvillimin me dinjitetin dhe mirëqënien e qytetarëve të vet.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, që respekton njeriun dhe trashëgon mençurinë e të urtëve dhe të parëve të saj.

Next Post
Sa shanse ka Shqipëria të mbyllë grupkapitujt në 2027? Kos: Është e mundur, por ka shumë punë për t’u bërë

Reagimi për deklaratat e Berishës, Alfred Lela sulmon komisioneren e BE-së: Na është bërë Marta si Kos 'Lufra'

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“A ke ndjenja për mua?” Darkë romantike në shtëpinë e BBV, ja si i përgjigjet Selin pyetjes së Gimbos

“A ke ndjenja për mua?” Darkë romantike në shtëpinë e BBV, ja si i përgjigjet Selin pyetjes së Gimbos

February 27, 2026
Punimet në aksin e bllokuar Librazhd-Prrenjas vazhdojnë edhe natën, ARRSH: Ja çfarë po ndodh me punimet

Punimet në aksin e bllokuar Librazhd-Prrenjas vazhdojnë edhe natën, ARRSH: Ja çfarë po ndodh me punimet

February 27, 2026
Dominim dhe fitore e Vllaznisë në “Klasike”, Shehi nuk e “zgjon” dot Tiranën në debutim

Dominim dhe fitore e Vllaznisë në “Klasike”, Shehi nuk e “zgjon” dot Tiranën në debutim

February 27, 2026
Anulohen disa fluturime nga Stambolli në Teheran, shkak kërcënimet e SHBA-së për sulme ajrore në Iran

Anulohen disa fluturime nga Stambolli në Teheran, shkak kërcënimet e SHBA-së për sulme ajrore në Iran

February 27, 2026
Artan Hoxha: Durim Bami, minierë informacioni, di më shumë se SkyECC! Ja arsyet pse ka kërkuar të mos qëndrojë te 313-a

Artan Hoxha: Durim Bami, minierë informacioni, di më shumë se SkyECC! Ja arsyet pse ka kërkuar të mos qëndrojë te 313-a

February 27, 2026
Policia aksion të befasishëm në Vlorë për kapjen personave në kërkim

Policia aksion të befasishëm në Vlorë për kapjen personave në kërkim

February 27, 2026
Ligji i ri për rivlerësimin e pronave/ Ekspertja: Mos prisni ulje çmimesh, ja kush përfiton realisht

Ligji i ri për rivlerësimin e pronave/ Ekspertja: Mos prisni ulje çmimesh, ja kush përfiton realisht

February 27, 2026
Deklarata e fortë e Trump: Do të kërkoj heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë si një marrëveshje paqeje në Ukrainë

Deklarata e fortë e Trump: Do të kërkoj heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë si një marrëveshje paqeje në Ukrainë

February 27, 2026
“Ne do të dërgojmë ushtarë”, Orban akuzon Ukrainën: Planifikon të ndërpresë gazin rus

“Ne do të dërgojmë ushtarë”, Orban akuzon Ukrainën: Planifikon të ndërpresë gazin rus

February 27, 2026
A përdori Epstein bazat ushtarake britanike për avionin e tij? Mbretëria e Bashkuar nis hetimet

A përdori Epstein bazat ushtarake britanike për avionin e tij? Mbretëria e Bashkuar nis hetimet

February 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In